Disa ditë më parë emisionin “Stop” në Tv Klan transmetoi një denoncim ndaj prokurores së Sarandës, Esmeralda Basho. Një i dënuar me 5 vjet heqje lirie, pasi përfundoi dënimin, kërkoi sendet e sekuestruara, pasi vendimi i gjyqit ia mundësonte këtë.
Bëhet fjalë për 2 mijë euro, 2 telefona dhe patentën e tij. Prokurorja Basho i tha se sendet e tij kanë humbur. Avokati Arben Llangozi, shpjegoi se ky rast është vepër penale dhe përgjegjëse është prokurorja e çështjes Esmeralda Basho.
Llangozi tha se në prokurorinë e Sarandës është regjistruar edhe një procedim për Esmeralda Bashon, por pa emrin e saj, për ta favorizuar.
Pas transmetimit në “Stop”, Leo Hysi u thirr në Prokurorinë e Sarandës nga Opgj Altin Avdyli, i cili i kërkoi, që të firmosë, që i ka marrë sendet, në një kohë që atij i është kthyer vetëm patenta dhe portofoli bosh.
Për këtë arsye ai nuk pranoi të firmosë. Lidhur me rastin ka reaguar edhe KLP, duke u shprehur se nga verifikimet, nuk është dokumentuar sekuestrimi i ndonjë vlere monetare. KLP pranon se nga ana e Prokurorisë së Sarandës është regjistruar procedim penal, për të zbardhur rastin./tvklan.al