Teuta arriti një fitore të rëndësishme në ndeshjen e prapambetur ndaj Dinamos, për javën e parë të kampionatit, duke shënuar vetëm me një rast dhe duke i rezistuar deri në fund presionit të kryeqytetasve. Një sfidë ku pati më shumë kartonë të kuq se gola dhe ku durrsakët konfirmuan ringritjen e tyre. Vendosi kapiteni Kotobelli, që i jep kështu fitoren e parë teknikut Dobi në krye të durrësakëve.
Ndeshja: avantazh i hershëm dhe mbrojtje e hekurt
Fillimi i takimit ishte i hapur, me të dyja skuadrat që kërkonin të imponoheshin. Megjithatë, Teuta mbeti herët me një lojtar më pak pas përjashtimit të Vidal. Dinamo mori kontrollin e lojës, por goditja e parë e rrezikshme në portë rezultoi vendimtare: Kotobelli realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, duke i dhënë avantazhin vendasve.
[video width="682" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/09/68cab6f6d5f7b.mp4"][/video]
Nga ai moment, Teuta u përqendrua vetëm te mbrojtja, ndërsa Dinamo kërkoi me çdo mënyrë golin e barazimit, por pa arritur ta thyejë Selmanin.
Kartonë dhe polemika, por pa gola për Dinamon
Në pjesën e dytë, balanca u rivendos kur Nani i Teutës u ndëshkua me karton të kuq. Edhe pse me forcat e barazuara, dinamovitët nuk gjetën mënyrën për të mposhtur mbrojtjen durrsake. Sulmet e njëpasnjëshme nuk sollën rezultat dhe takimi u mbyll me suksesin minimal 1-0 për Teutën, që ngjitet në renditje.
[video width="658" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/09/68cab6f438a56.mp4"][/video]
Daja: “Nuk shtymë sa duhej, edhe me një lojtar më shumë”
Pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, nuk kërkoi justifikime, por pranoi meritat e kundërshtarit: “Nëse filloj të justifikohem, do kem kundër gjithë opinionin. Teuta e meritoi fitoren për shkak të sakrificës dhe dëshirës që tregoi. Ne, kur kundërshtari mbeti me një lojtar më pak, në vend që të shtonim ritmin, u sollëm sikur e kishim fituar ndeshjen. Në fakt, këto situata bëhen edhe më të vështira: kundërshtari të pret dhe të godet në hapësira boshe.”
Trajneri shtoi edhe kritika për kohën e lojës efektive, duke theksuar se skuadra e tij duhet të përqendrohet te vetja dhe të reagojë më shpejt në raste të tilla.
[video width="708" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/09/68cac458df4eb.mp4"][/video]
Dobi: “Fitore me shumë sakrificë, por kemi ende rrugë për të bërë”
Në kampin tjetër, trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, u shpreh i kënaqur me rezultatin, por edhe realist për objektivat: “Jam i gëzuar, por i lumtur do jem vetëm nëse fitojmë kampionatin apo luajmë në Champions. Është shumë e vështirë të luash me 10 kundër 11, sidomos përballë Dinamos që është kandidati kryesor për titullin. Ne jemi në proces rritjeje, e dimë mirë ku jemi dhe ku duam të shkojmë.”