Flash

Analiza/ Pse dobësia e Gjermanisë mund të jetë shpëtimi i Francës

Lapsi.al 15 September 2025
Analiza/ Pse dobësia e Gjermanisë mund të jetë shpëtimi

Rënia e një tjetër qeverie franceze për shkak të buxhetit nuk ka sjellë tronditje në tregjet financiare. Por kjo qetësi lidhet më pak me besimin te forca e Francës dhe më shumë me ndërgjegjësimin për dobësinë e Gjermanisë.

Me luftën e Rusisë në Ukrainë që vazhdon, SHBA-në që po tërhiqet nga Europa dhe ushtrinë gjermane në kaos, analistët thonë se tregjet po vënë baste se Berlini do të bëjë gjithçka për të shmangur një front të ri krizash pranë shtëpisë. Heshtja e Gjermanisë përballë zhvillimeve shihet si konfirmim i heshtur i kësaj qasjeje.

“Berlini e di që, në klimën aktuale gjeopolitike, nuk mund të rrezikojë një përshkallëzim të krizës së borxheve në eurozonë, as të lejojë përçarje të brendshme,” tha Jürgen Michels, kryeekonomist në BayernLB në Mynih.

Franca e brishtë, kostot e larta

Dështimi i kryeministrit François Bayrou për të marrë mbështetje në parlament për 44 miliardë euro shkurtime buxhetore për vitin e ardhshëm ka forcuar dyshimet mbi aftësinë e Francës për të bërë rregullimet e nevojshme. Franca, që dikur huazohej në kushte pothuajse identike me Gjermaninë, sot paguan më shumë se Greqia dhe sa Italia për borxhin 10-vjeçar.

Megjithatë, frika se Parisi mund të shembet nën peshën e borxhit është mbajtur nën kontroll. Shefja e Bankës Qëndrore Europiane, Christine Lagarde ka sinjalizuar ndërhyrje të mundshme, duke thënë se banka po monitoron nga afër rritjen e kostove të huamarrjes së Francës ndaj Gjermanisë. Koment që u lexua si paralajmërim se mund të përdoret instrumenti i veçantë i BQE-së (TPI) për blerjen e bonove të vendeve anëtare në rast luhatjesh të pajustifikuara.

Heshtja gjermane

Në të kaluarën, një deklaratë e tillë do të kishte shkaktuar reagim të ashpër në Berlin. Por kësaj radhe, asnjë zë. Robin Brooks nga Brookings e quajti këtë heshtje “të jashtëzakonshme”. Madje edhe brenda CDU-së së Friedrich Merz, sot flitet për blerje obligacionesh nga BQE pa dramë, njësoj si të mos ekzistonte trashëgimia e Wolfgang Schäuble, simboli i kursimeve të ashpra.

Deputeti i CDU-së, Roderich Kiesewetter, deklaroi: “Nëse Franca nuk arrin ta ulë dot borxhin e saj, Lagarde do të duhet të ndërhyjë. Kjo mund të nënkuptojë edhe blerjen e bonove shtetërore.” 

Pse Berlini po rri urtë

Clemens Fuest, kreu i institutit IFO, e lidh tonin e ri me kuptimin se Gjermania nuk mund të lejojë tension me Parisin, fuqinë më të madhe ushtarake të Europës dhe të vetmen me armë bërthamore në BE. “Presioni gjeopolitik është i madh, bashkëpunimi franko-gjerman është më i rëndësishëm se kurrë,” tha ai.

Ai shtoi se apelimet për kursim nga Gjermania do të ishin kundërproduktive dhe do t’i jepnin argumente ekstremëve të majtë e të djathtë. Por për ish-kryeekonomistin e BQE-së, Jürgen Stark, heshtja tregon “edhe pafuqinë e Gjermanisë”. Sipas tij, pyetja është çfarë do të bëjë Berlini nëse tregjet humbasin besimin te Franca, ndihmë bilaterale, borxh i përbashkët apo lënia e bonove në dorë të BQE-së?

Çmimi i kompromisit

Ekonomistë si Holger Schmieding nga Berenberg besojnë se Gjermania do të pranojë ndërhyrjen e BQE-së përmes TPI-së, por vetëm pasi presioni i tregjeve ta detyrojë Francën të ndërmarrë hapa konkretë për shkurtimet e shpenzimeve.

Stark dhe Michels mendojnë se më e mundshmja është një plan ku BE merr mbi vete më shumë nga borxhi francez. Macron, sipas tyre, mund ta përdorë rrëzimin e qeverisë dhe rrezikun e ardhjes në pushtet të ekstremit të djathtë si levë ndaj Berlinit për një marrëveshje të re.

Merz, që sapo erdhi në pushtet këtë vit, ishte shprehur kundër çdo zgjerimi të borxhit të përbashkët, por mund të gjendet i detyruar nga rrethanat.

“Franca do të hapë çadrën bërthamore, Gjermania do të hapë kuletën,” tha Michels, një “zgjidhje tipike europiane”, e quajtur nga Stark: "simbolike, pragmatike, por pa adresuar problemet e thella as të Francës, as të Gjermanisë." 

Politico, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

Protestë masive në Ankara kundër Erdogan

Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në kryeqytetin turk, Ankara, kundër një çështjeje gjyqësore që mund të rrëzojë kreun e opozitës kryesore të hënën, pas nj...

19:32

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI