Flash

Nga Tirana në Lushnje/ Cilët ishin “kokat” e mashtrimit me skemën online “XUEX”

Lapsi.al 14 September 2025
Nga Tirana në Lushnje/ Cilët ishin “kokat” e mashtrimit me

Policia e Fierit ka dhënë detaje për operacionin e zhvilluar kundër skemës mashtruese online që kishte arritur të mashtronte një numër të madh qytetarësh në Divjakë, Lushnje e më gjerë duke i bërë të besonin se po investonin në kriptomondha. Ky operacion u zhvillua në shkallë të gjerë, me kontrolle personash dhe banesash në disa qytete dhe u finalizua me arrestimin e 6 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve. Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh dhe u ushtruan gjithsej 83 kontrolle personash dhe banesash.

“Hetimi ka dokumentuar aktivitetin e një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi nëpërmjet të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt. Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram. Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre” – tha policia.

Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor – përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.

“Falë përdorimit të teknologjive të avancuara të analizës së zinxhirit të bllokut (blockchain) dhe metodave speciale hetimore, u bë e mundur identifikimi i disa prej aktorëve kyç që operonin në terren, të cilët kanë shërbyer si hallka lidhëse mes qytetarëve dhe organizatorëve të skemës. Organizatorët e vërtetë të kësaj skeme vijojnë të jenë objekt hetimi, dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, po ndjek të gjitha gjurmët për të zbardhur tërësisht strukturën e këtij rrjeti dhe për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës” – thuhet në deklaratën e policisë.

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: Arbër Çela, 38 vjeç, Emanuel Taullau, 21 vjeç, Flavio Mukaj, 23 vjeç, të tre banues në Lushnjë, Marius Kodra, 28 vjeç, banues në Tiranë, Brunilda Todi, 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini, 38 vjeçe, të dyja banuese në Divjakë, të dyshuar për veprat penale "Skemat mashtruese piramidale" dhe "Mashtrim Kompjuterik".

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit E. Sh., 35 vjeç dhe A. Sh. 29 vjeçe, të dy banues në Divjakë, të dyshuar për veprat penale "Skemat mashtruese piramidale" dhe "Mashtrim Kompjuterik". Nga hetimet rezulton se këta shtetas kanë vepruar si agjentë kyç të kësaj skeme mashtruese.

Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në sistem, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa me e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara. Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirëorganizuar për të përfituar fonde përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet më të larta fitonin, ndërsa shumica sidomos pjesa fundore e piramidës humbnin kursimet e tyre.

Po gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 50 aparate celularë, 11 njësi kompjuterike, 1 DVR, 2 hardisk, 1 automjet, 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga. Gjithashtu, u ngrinë 6 llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

36°c

KËMBIMI EURO

94.21

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI