Mëngjesin e 10 shtatorit, me urdhër të prokurores së Posaçme Doloreza Musabelliu u ekzekutua masa e sigurisë “arrest shtëpie” për avokatin Besart Logu, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Logu dyshohet se i ka marrë 8 mijë euro një klienti italian, duke i premtuar ndërhyrje pranë prokurorëve dhe gjyqtarëve në Tiranë për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj tij. Klienti në fjalë ishte nën hetim për një skemë mashtrimi me TVSH dhe ka denoncuar rastin pranë autoriteteve.
Pas ekzekutimit të masës, agjentët e BKH-së ushtruan kontroll në banesën dhe zyrën e tij, duke sekuestruar celularin, kompjuterin dhe dokumente që mund të lidhen me çështjen.
Besart Logu është një figurë e njohur publike dhe pjesë e strukturave të Partisë Demokratike. Aktualisht mban postin e zv.drejtorit të Departamentit të Drejtësisë në PD, ndërsa më herët ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të partisë dhe sekretar i degës numër 7 në Tiranë. Në aspektin profesional, Logu ka punuar në disa studio ligjore para se të themelonte në prill 2018 studion e tij “Logu”.
Çështja mbetet e hapur, ndërsa SPAK pritet të thërrasë dëshmitarë dhe të verifikojë çdo provë materiale të sekuestruar. Prokuroria e Posaçme ka paralajmëruar se hetimi nuk përfundon vetëm tek avokati, por mund të shtrihet edhe më gjerë, në varësi të të dhënave që do të dalin gjatë procedurës.