Apple prezantoi këtë të martë një model të ri dhe më të hollë të iPhone "Air" me një bateri me dendësi të lartë dhe një procesor krejt të ri, me një çmim që fillon nga 999 dollarë.
Modeli iPhone Air ishte “ylli” i mbrëmjes vjetore të publikimit të produkteve, të cilin Tim Cook, CEO i kompanisë e quajti një "ndryshues të lojës". Apple tha se ky model është iPhone-i i saj më i qëndrueshëm deri më tani. Ai do të përdorë A19 Pro, një çip procesori që tha se e kishte përshtatur për efikasitet dhe performancë më të mirë të energjisë që të përputhet me baterinë më të hollë të pajisjes.

iPhone Air do të konkurrojë me Galaxy S25 Edge të Samsung Electronics. Analistët i thanë Reuters se ky mund të jetë një trampolinë drejt konkurrimit me telefonat e palosshëm të Samsung, të cilët janë në gjeneratën e tyre të shtatë. Një telefon i palosshëm është i rëndësishëm që Apple të tërheqë klientët në Kinë, ku konsumatorëve u pëlqejnë telefonat e palosshëm dhe kompania ka humbur pjesë të tregut.

“Kjo pajisje e re do t’i sjellë një ndjesi risie iPhone-it, i cili ka mbetur i njëjtë për një kohë shumë të gjatë”, tha analisti Paolo Pescatore. Ai tha se “linja e re dhe shumë e përmirësuar e iPhone duket mbresëlënëse, gjë që e vendos (Apple) në një pozicion të fortë”.
Kompania lançoi gjithashtu iPhone 17 dhe iPhone 17 Pro, përditësimin më të fundit të telefonit të saj kryesor, si dhe një version të ri të kufjeve ëhireless AirPods Pro dhe një monitor tensioni në Apple Watch-in e saj më të fundit. Kompania uli ose mbajti të qëndrueshme çmimet e këtyre modeleve të përditësuara.
Apple tha se iPhone Air do të ketë gjithashtu një çip të ri "N1" për të trajtuar komunikimet Wi-Fi dhe modemin e ri "C1X" për të dhënat celulare. Aksionet e Apple ranë me 1.6% pasi kompania njoftoi çmimet e telefonave inteligjentë.
Apple tha se modeli bazë i iPhone 17 do të ketë një ekran më të ndritshëm dhe më rezistent ndaj gërvishtjeve. Gjithashtu do të ketë një kamerë të përparme më të mirë me një sensor me formë të ndryshme për t'i bërë selfiet horizontale të duken më mirë.

Një version prej 256 gigabajt i modelit bazë të iPhone 17 fillon nga 799 dollarë, njësoj si modeli i mëparshëm i iPhone 16 me gjysmën e memories. iPhone 17 Pro fillon nga 1,099 dollarë për një model prej 256 gigabajt, njësoj si modeli i vitit të kaluar me të njëjtën memorie, por pa mundësinë e një telefoni me kapacitet më të vogël me një çmim më të ulët prej 999 dollarësh si iPhone 16 Pro. ©LAPSi.al