Dy javë kampionat, më pak se dy muaj në detyrë dhe Vangjel Mile falenderohet me fjalët e zakonshme, duke i treguar daljen nga Tirana. Trajneri shkarkohet kështu pas një barazimi në debutim me Bylis e një humbje në transfertë me Vorën. Tirana është bërë një klub me mungesë të theksuar profesionalizmi, në stukturë dhe funksionim, me drejtuesit që tani janë fokusuar drejt një emri tjetër për pankinën, italianin Roberto Bordin.
Vendime të tilla të pamatura vetëm sa destabilizojnë edhe më shumë një ambjent kaotik, ku lojtarët vijnë e ikin pa asnjë ide, njëlloj si trajnerët. Ajo që fyen edhe më tepër tifozët, që kanë vërshuar me komentet e tyre në faqen zyrtare të klubit, në njoftimin e shkarkimit të teknikut Mile, është se këto lëvizje shiten si “strategjike” e “në të mirë të klubit”.
Njoftimi i klubit
“Klubi i Futbollit Tirana njofton se bashkëpunimi me trajnerin Vangjel Mile është ndërprerë në mënyrë konsensuale, pas një takimi me anëtarin e bordit drejtues, Grent Halili. Pas diskutimeve mes palëve, u arrit në përfundimin se kjo ishte zgjidhja më e mirë për arsye strategjike dhe në funksion të objektivave të klubit”, shkruhet në njoftimin zyrtar bardheblu.
Pasi mbushën ekipin me lojtarët që gjetën pa kontratë, vetëm dy muaj nga fillimi i kampionatit, Tirana vendosi të zgjidhte trajnerin, duke i dhënë në duar atë cfarë kishte zgjedhur Grent Halili, në mungesë edhe të një drejtori sportive që të udhëhiqte merkaton. E ndërtuar kështu natyrisht që rezultatet do ishin këto që janë, po në këtë rast është shumë më e lehtë të shkarkohet trajneri.
Shtatë javë më parë, Mile ishte zgjedhja ideale
Paradoksale po të mendosh që vetëm 7 javë më parë, kur u zgjodh të caktohej në krye të pankinës Vangjel Mile, klubi kishte shprehur elozhet për të, duke e cilësuar si zgjedhja ideale: “Njohja e thellë me strukturat e klubit, filozofinë bardheblu dhe modelin e funksionimit të Akademisë i japin trajnerit Mile avantazhin për të ndërtuar një urë të natyrshme mes të rinjve dhe ekipit të parë. Objektivi i tij do të jetë jo vetëm rikthimi i skuadrës në krye të futbollit shqiptar, por edhe integrimi i elementëve të rinj me potencial, në përputhje me identitetin historik të KF Tiranës. Mile është i njohur për qasjen e tij moderne ndaj stërvitjes, disiplinën taktike dhe aftësinë për të ndërtuar grupe të balancuara me frymë kolektive të fortë. Eksperienca e tij si strateg dhe drejtues teknik e bën zgjedhjen ideale për një projekt të qëndrueshëm dhe ambicioz”.
Projekti i qendrueshëm dhe ambicjoz sic duket në konceptin e presidentit Halili apo anëtarit të bordit Grent Halili, i biri i presidentit, është më shumë se një muaj. Tirana përpëlitet kështu në format e zakonshme të treguara në vitet e fundit në tentativë për ti mbijetuar rënies. Edhe sezonin e kaluar Shkëmbi ndërtoi skuadrën, u shkarkua për Maganin dhe u thirr pas 75 ditësh për të marrë drejtimin e ekipit edhe njëherë. Vjet mbijetesa u arrit, po këtë herë?