Tom Holland, i cili më herët ka treguar se vuan nga disleksia, tani ka zbuluar se gjithashtu ka edhe ADHD — duke shpjeguar se kombinimi i tyre e bën të vështirë të marrë përsipër role të reja.
“Kam ADHD dhe disleksi, dhe ndonjëherë kur dikush më jep një kanavacë të bardhë, mund të ndihem pak i intimiduar. Dhe nganjëherë, kur zhvillon një personazh, përballesh me këto sfida,” tha aktori i Spider-Man, 29 vjeç, për IGN, gjatë diskutimit të filmit të ri Never Stop Playing, i cili ka në qendër rëndësinë e lojës.
Sipas aktorit, “lojërat ndihmojnë shumë”, dhe në filmin e shkurtër të LEGO-s ai merr përsipër disa role – nga futbollist, te sipërmarrës teknologjie, një biznesmen , e deri te një hero sci-fi – duke premtuar se nuk do të “ndalojë kurrë së luajturi”.
“Çdo mënyrë që të angazhohesh – si i ri apo si i rritur – me diçka që të detyron të jesh kreativ, të mendosh ndryshe dhe të bësh ndryshime jashtë manualit të udhëzimeve, promovon një kreativitet të shëndetshëm,” shpjegoi Holland. “Mendoj se sa më shumë ta bëjmë këtë, aq më mirë.”
ADHD (Çrregullimi i Vëmendjes dhe Hiperaktivitetit) karakterizohet nga vështirësi në përqendrim, hiperaktivitet dhe impulsivitet. Lojërat shpesh përdoren si terapi për këtë çrregullim. Disleksia, nga ana tjetër, “ndikon në mënyrën se si truri përpunon gjuhën e shkruar, duke e bërë leximin dhe aftësitë e lidhura me të të vështira,” sipas Cleveland Clinic.
Holland ka folur edhe më parë për betejën e tij me disleksinë. Në korrik 2023, në një intervistë për podcast-in e Jay Shetty, ai tha: “Disleksia ime lidhet kryesisht me shkrimin. Është vërtet vetëm drejtshkrimi.”