Flash

Samiti Putin-Zelenski: Ku do mbahet? Çfarë do diskutohet?

Lapsi.al 21 August 2025
Samiti Putin-Zelenski: Ku do mbahet? Çfarë do diskutohet?

Plani ambicioz për një samit dypalësh midis Volodymyr Zelenskit të Ukrainës dhe Vladimir Putinit të Rusisë duket se po ngec, vetëm disa ditë pasi Donald Trump shprehu besimin se një takim i tillë mund të zhvillohet brenda pak javësh.

Vende nga Gjeneva dhe Vjena deri në Budapest ose Stamboll janë përmendur si mundësi për vendtakim. Putin dhe Zelenski nuk kanë qenë në të njëjtën dhomë që nga viti 2019, tre vjet para se Rusia të nisë pushtimin e saj në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Presidenti amerikan tha se ai kishte “filluar përgatitjet” për samitin, duke nënkuptuar se besonte se Putin kishte rënë dakord për samitin përmes telefonit të hënën.

Ky mund të ketë qenë një interpretim optimist i bisedës.

Gati menjëherë, Kremlini shpërndau versionin e tij, më të paqartë, të bisedës. Trump dhe Putin kishin diskutuar “mundësinë e ngritjes së nivelit të përfaqësuesve”, tha ndihmësi Yuri Ushakov, dhe kjo mund të thotë thjesht se ministrat, në vend të përfaqësuesve specialë, mund të marrin pjesë në bisedime.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se një takim mund të ndodhë “brenda dy javëve të ardhshme”. Por, ai paralajmëroi, “ne nuk dimë nëse presidenti rus do të ketë guximin të marrë pjesë në një samit të tillë” dhe kërkoi që Putin të “bindet”. 

Trump përmendi një situatë “të vështirë” për Rusinë, nëse Putin nuk bashkëpunon në procesin e paqes, por refuzoi të ishte më specifik.

Tani, ndërsa stuhia diplomatike po qetësohet, mundësia e një takimi midis Putinit dhe Zelenski duket se po zvogëlohet më tej.

Në sipërfaqe, Moska duket e hapur për të marrë pjesë në bisedime dypalëshe midis dy presidentëve. Në realitet, megjithatë, kushtet paraprake që ajo po kërkon për takimin do të jenë pothuajse me siguri të papranueshme për palën ukrainase.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha këtë javë se Putin ishte i gatshëm të takohej me Zelenskin, me kusht që të gjitha “çështjet” që kërkonin shqyrtim “në nivelin më të lartë” të zgjidhen. Ky gjuhë e paqartë por e pakompromis është përdorur më parë nga Kremlini për t'i rezistuar propozimeve ukrainase për një takim dypalësh.

Javën e kaluar përfaqësuesi i Trump, Steve Witkoff, tha se Rusia kishte pranuar garanci sigurie për Ukrainën, duke e quajtur atë “një hap shumë të rëndësishëm”. 

Por tani duket se garancitë në fjalë do të ishin të modeluara mbi ato që Moska i kishte propozuar fillimisht dhe që Kievi i refuzoi në 2022, të cilat do të shihnin Rusinë të bashkohet me një grup vendesh që ushtrojnë të drejtën e veto-s mbi ndërhyrjen ushtarake në mbrojtje të Ukrainës.

Ky propozim gjithashtu do të parashikonte një ndalim të vendosjes së trupave perëndimore në Ukrainë, duke e lënë efektivisht të pambrojtur në rast të një pushtimi të ri rus. Lavrov tha të enjten se çdo kornizë tjetër sigurie do të ishte “një përpjekje absolutisht e kotë”. 

Ndërkohë, Zelenski ka thënë se çdo takim me Putinin duhet të ndodhë vetëm pasi aleatët e Kievit të bien dakord mbi garancitë e sigurisë, që padyshim do të përfshinin mbështetjen e forcave perëndimore dhe do të përjashtonin Rusinë, duke e bërë këtë lloj takimi të papranueshëm për Moskën.

Në gjendjen aktuale, as Rusia dhe as Ukraina nuk duken gati të lëvizin nga pozicionet e tyre të mbajtura gjatë gjatë, dhe secili akuzon tjetrin për minimin e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje paqeje.

Mundësia e një samiti Putin-Zelenski mund të duket për momentin e largët, por kjo nuk ka ndalur spekulimet mbi vendin ku mund të zhvillohet.

Pas stuhisë diplomatike që pasoi bisedimet në Shtëpinë e Bardhë, Budapesti u përmend si vendtakim i mundshëm dhe thuhej se amerikanët ishin në favor të tij.

“Ata mund të vijnë në Hungari në çdo kohë,” tha ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto. “Na jepni një orë paralajmërim më parë, dhe ne jemi të gatshëm të garantojmë kushte të drejta, të mira, të sigurta dhe të barabarta për të gjithë në Hungari.” 

Por jo të gjithë e shohin kryeqytetin hungarez si një terren mjaftueshëm neutral. Kryeministri Viktor Orban është një nga pak liderët europianë që ka ruajtur lidhjet me Putinin. Ai gjithashtu ka bllokuar financimin për Ukrainën dhe ka premtuar të përdorë të drejtën e vetos për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

“Të jemi të sinqertë, Budapesti nuk na mbështeti,” tha Zelenski të enjten. “Nuk po them se politika e Orban ishte kundër Ukrainës, por ishte kundër mbështetjes së Ukrainës,” u shpreh ai për gazetarët, duke shtuar se mbajtja e bisedimeve në Budapest do të ishte “sfiduese”.

Të mërkurën, Kryeministri polak Donald Tusk postoi në X se ishte kundër mbajtjes së bisedimeve në Budapest. Qyteti ishte vendi i një samiti në 1994 që rezultoi me dorëzimin nga Kievi të pjesës së tij të arsenalit bërthamor sovjetik në këmbim të garancive të sigurive nga Rusia. Këto garanci më vonë u bënë të pavlefshme nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Moska në 2014 dhe pushtimi i plotë i Ukrainës në 2022.

“Ndoshta jam supersticioz, por këtë herë do të përpiqesha të gjeja një vend tjetër,” tha Tusk me ironi.

Presidenti francez Emmanuel Macron ngriti mundësinë që samiti të mbahet në Zvicër, një vend europian ushtarakisht neutral me një histori të gjatë të mikpritjes së bisedimeve me rrezik të lartë. Zelenski gjithashtu përmendi Vjenën, vendi i disa organizatave ndërkombëtare.

Në 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi një urdhër arresti për Putinin për krime lufte në Ukrainë, por Zvicra dhe Austria, të dy nënshkrues të ICC-së, kanë thënë se do t’i japin imunitet presidentit rus nëse ai vjen për bisedime paqeje.

Turqia gjithashtu është përmendur si mundësi.

Ekziston një precedent, pasi Stambolli ka mikpritur tashmë tre raunde bisedimesh direkte në nivel përfaqësuesish midis Ukrainës dhe Rusisë që nga prilli, megjithëse ato dështuan të sjellin ndonjë përparim domethënës drejt një armëpushimi përtej një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve.

Vatikani dhe Arabia Saudite gjithashtu u përmendën nga Ukraina si vendtakime të mundshme. Vatikani prej kohësh e ka propozuar veten si një vend të përshtatshëm, ndërsa Arabia Saudite më parë ka ndërmjetësuar shkëmbime të të burgosurve midis Kievit dhe Moskës.

Përtej diplomacisë së lartë, lufta nuk tregon shenja të ndalimit.

Të enjten, Ukraina tha se forcat e saj të armatosura kishin goditur një rafineri nafte në rajonin Rostov të Rusisë, i cili kufizohet me rajonet lindore ukrainase të Donbasit.

Ndërkohë, Rusia nisi valën e saj më të madhe sulmesh ndaj Ukrainës për javë me rradhë, duke vrarë një person dhe plagosur shumë të tjerë.

“Nuk ka ende ndonjë sinjal nga Moska se ata do të angazhohen vërtet në bisedime me kuptim dhe do të përfundojnë këtë luftë,” tha Zelensky në rrjetet sociale. “Duhet presion." 

Përshtatur në shqip nga BBC, ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI