Flash

Presidenti i Hungarisë e fshin fjalën “ruse” nga komunikata për sulmet në Ukrainë

Lapsi.al 21 August 2025
Presidenti i Hungarisë e fshin fjalën “ruse” nga

Presidenti i Hungarisë, Tamas Sulyok, e ka hequr fjalën “ruse” nga një shkrim në rrjetet sociale, ku shprehu ngushëllime për viktimat e një sulmi të madh me dronë dhe raketa gjatë natës në Ukrainë.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për të plagosurit nga sulmi me raketa ruse mbi Munkaçevo, dhe u uroj shërim të shpejtë e të plotë”, tha fillimisht Sulyok në një komunikatë të publikuar në Facebook të enjten.

Postimi u fshi pak pas publikimit dhe u zëvendësua nga një deklaratë pothuajse e njëjtë, por në të cilën fjala “ruse” (orosz në hungarisht) u hoq nga fjalia e parë.

Dallimi shihet qartë në fotografinë që Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë ua bëri postimeve.

Munkaçevo është një qytet me rreth 85 mijë banorë në perëndim të Ukrainës, ku jeton një komunitet i madh hungarez, dhe ndodhet rreth 30 kilometra nga kufiri i Ukrainës me Hungarinë.

Sulmi me raketa ishte pjesë e një vale prej qindra sulmesh në të gjithë Ukrainën gjatë natës mes së mërkurës dhe enjtes.

Zyra e presidentit të Hungarisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me këtë postim.

Veprimi i tij vë në pah hezitimin e Qeverisë hungareze për ta kritikuar haptazi Moskën për pushtimin e plotë të fqinjit të vet, Ukrainës, si edhe marrëdhëniet e tensionuara mes Budapestit dhe Kievit.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe partia e tij, Fidesz, kanë ruajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe kanë penguar përpjekjet e Bashkimit Evropian për ta mbështetur Ukrainën në luftën me Rusinë.

Hungaria gjithashtu ka bllokuar bisedimet për anëtarësimin e Kievit në BE.

Budapesti, kryeqyteti i Hungarisë, gjithashtu thuhet se po merret shqyrtohet si qyteti pritës i një samiti të mundshëm trepalësh, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, mes Rusisë dhe Ukrainës, që mund të mbahet në javët e ardhshme.

Politico raportoi këtë javë se shërbimi sekret i SHBA-së po përgatitet për samitin në Hungari, dhe se Budapesti është zgjedhja e parë e presidentit amerikan, Donald Trump, për qytetin pritës.

Pas kësaj, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ofroi Budapestin si vend të mundshëm për një takim të tillë.

“Nëse jemi të nevojshëm, ne jemi gati të ofrojmë kushte të përshtatshme, të ndershme dhe të sigurta për negociata për paqe. Jemi të kënaqur nëse mund të kontribuojmë në suksesin e përpjekjeve për paqe”, tha ai të enjten në një podcast ditor të organizuar nga anëtarë të Qeverisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, “në çdo format”, por nuk e ka përmendur ofertën e Hungarisë, duke sugjeruar në vend të saj Zvicrën, Austrinë ose Turqinë, si vende të mundshme për bisedimet për paqe./REL

Të këshilluara

Vëllai i Erion Veliajt paraqitet në SPAK

Vellai i Erion Veliajt paraqitet në SPAK. Arbër Veliaj do të merret në pyetje nga prokurorët si person që ka dijeni për hetimet që po zhvillohen në dosjen nd...

12:05

ide

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

MOTI TIRANA

32°c

KËMBIMI EURO

94.26

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI