Flash

SHBA i shet autoblinda FSK-së

Lapsi.al 16 August 2025
SHBA i shet autoblinda FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me autoblinda që janë blerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bën të ditur autoritetet. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky furnizim është dëshmia e radhës e partneritetit “të palëkundur me SHBA-në”, por edhe hap i rëndësishëm për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së SHBA-së”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se është i gëzuar me avancimin “dinamik të FSK-së”, që tha se po vazhdon të fuqizohet me teknologji dhe mjete të avancuara “për të garantuar realizimin e misionit të saj kushtetues”.

“Ky angazhim për transformimin në një Forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetje nga një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm — Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë i përjetshëm”, tha Maqedonci.

Maqedonci tha se Kosova është e përkushtuar që të ketë sisteme armatimi në përputhje me NATO-n, organizatën më të madhe të sigurisë në botë ku vendi synon të anëtarësohet. Autoritetet nuk bënë të ditur se sa autoblinda bleu Kosova nga SHBA-ja. Kosova synon të blejë edhe armë të tjera nga SHBA-ja. Vitin e kaluar, Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e 200 kundërajrorëve Javelin, dhe tani është duke bërë pagesën e tyre. FSK-ja aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Kosova edhe në të kaluarën ka blerë pajisje ushtarake nga SHBA-ja. Më 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle). Kosova po ashtu synon që së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë të bëjnë blerje të përbashkëta të armëve amerikane.

Procesi i transformimit të FSK-së në forca të armatosura nisi më 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet. Viteve të fundit, Qeveria ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe këtë vit buxheti për këtë sektor është 207.8 milionë euro./ REL

Të këshilluara

Çfarë ndodh me motin sot

Ditën e sotme vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të qëndrueshme. Sipas SHMU, moti parashikohet me alternime kthjellimesh e...

09:26

ide

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

91.94

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI