Flash

I dërguari i Trump viziton Moskën, zhvillon bisedime me udhëheqjen ruse

Lapsi.al 6 August 2025
I dërguari i Trump viziton Moskën, zhvillon bisedime me

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, ka arritur në Moskë më 6 gusht, ku pritet të takohet me zyrtarë të lartë rusë.

Vizita e emisarit amerikan zhvillohet vetëm dy ditë para se të skadojë afati që Shtëpia e Bardhë i ka vendosur Rusisë për të bërë përparim drejt një armëpushimi me Ukrainën.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar vendosjen e tarifave ndaj eksporteve ruse dhe sanksioneve dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë nga Rusia – masa që synojnë të rrisin presionin mbi Moskën për t’i dhënë fund luftës së nisur në shkurt të vitit 2022. Masat dytësore, sipas zyrtarëve amerikanë, do të shënjestronin kryesisht Kinën dhe Indinë – blerëset më të mëdha të naftës ruse.

Pas nisjes së udhëtimit të Witkoffit për në Moskë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina i ka propozuar Rusisë “qetësi në qiell” – pa sulme me raketa apo dronë, dhe pa goditje ndaj infrastrukturës civile apo energjetike.

Trump, i cili kohëve të fundit ka shprehur gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj Putinit, paralajmëroi javën e kaluar se “do të ketë sanksione, por ata duket se janë mjaft të mirë në shmangien e tyre”.

Trump tha gjithashtu se do të rrisë “në mënyrë të konsiderueshme” tarifat ndaj Indisë, për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse nga ky shtet. I pyetur më 3 gusht se cili është mesazhi që Witkoff do t’ia përcjellë Moskës dhe nëse Rusia mund të shmangë sanksionet, Trump u përgjigj shkurt: “Po, të bëjnë një marrëveshje që ndalon vrasjet”.

Kremlini ka dhënë pak detaje për vizitën. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi më 4 gusht se “ne gjithmonë e mirëpresim zotin Witkoff në Moskë... Ky është një kontakt i rëndësishëm dhe i dobishëm”.

Në një deklaratë tjetër për agjencinë ruse TASS, Peskov tha se përmirësimi i marrëdhënieve SHBA–Rusi do të kërkojë kohë, për shkak të “inercisë” dhe mungesës së takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet presidentëve Putin dhe Trump.

Presidenti Trump ka bërë të ditur më 14 korrik se i ka dhënë Rusisë 50 ditë kohë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në të kundërtën do të vendosen tarifa të ashpra ndaj eksporteve ruse. Më pas, ai e zhvendosi afatin për më herët – më 8 gusht.

Afati i ri erdhi në një periudhë me sulme të ashpra në Ukrainë. Më 31 korrik, mbi 300 dronë rusë goditën Kievin, duke vrarë të paktën 31 persona. Po ashtu, forcat ukrainase kanë shtuar sulmet ndaj infrastrukturës ruse.

Disa analistë paralajmërojnë se kërcënimet ndaj Kinës për importet e saj të naftës nga Rusia mund të kenë efekt të kundërt dhe të çojnë në rritje të çmimeve globale të energjisë.

Megjithatë, sipas analistit politik Alexander Morozov nga Universiteti Charles në Pragë, Shtetet e Bashkuara duan që çdo vendim të merret përpara vizitës së planifikuar të Putinit në Pekin, ku ai pritet të takohet me udhëheqësin kinez, Xi Jinping.

“Shtetet e Bashkuara synojnë të hyjnë në samitin e APEC-ut më 31 tetor me një marrëveshje tregtare me Kinën dhe, në mënyrë ideale, me një pozicion të përbashkët edhe për luftën në Ukrainë”, tha Morozov.

Në të njëjtën kohë, Trump ka deklaruar se ka lëvizur në rajone të caktuara nëndetëse me kapacitet bërthamor. Ai tha më 1 gusht se ky vendim u mor pas “deklaratave jashtëzakonisht provokuese” nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev./ REL

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI