Në kuadër të hetimeve për dosjen “Veliaj” biznesmeni Gentian Sula është pyetur nga SPAK më datë 5 qershor 2025, ku ka sqaruar rrethanat e përfshirjes së tij në një kontratë të firmosur me Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryetarit të bashkise Tirane.
Sula ka deklaruar se më herët, më 9 janar 2025, kishte dhënë një dëshmi për këtë çështje, por atëherë ishte ndodhur në një gjendje tronditjeje dhe paqartësie. Ai ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë qëllim për të dhënë deklarata të pavërteta, por për shkak të mungesës së qartësisë dhe të kuptimit të plotë të rëndësisë ligjore të dëshmisë, kishte improvizuar në ato që kishte thënë.
“Kam reflektuar për gjithçka dhe dua të bashkëpunoj me drejtësinë. Nuk kam asgjë për të fshehur dhe dua të jetë e qartë se zhvilloj një biznes të ndershëm, paguaj taksat dhe jam familjar i rregullt. Nuk kam asnjë lidhje me veprimtari të jashtëligjshme dhe nuk dua që emri apo aktiviteti im të njolloset,” është shprehur Sula gjatë dëshmisë së tij.
I pyetur lidhur me shumën monetare prej 220,000 eurosh të gjetur gjatë një kontrolli më 6 dhjetor 2024 në ambientet e shoqërisë “Partners Laë” sh.p.k., Sula ka mohuar që të ketë porositur apo paguar ndonjëherë një shumë të tillë në cash. Ai ka theksuar se kontrata e kaparit, e datës 4 dhjetor 2024, nuk pasqyron të vërtetën dhe është nënshkruar prej tij vetëm si një favor për Ajola Xoxën, pa pasur dijeni për përdorimin e saj të mëtejshëm në institucionet ligjore.
Pjese nga dosja hetimore
Në vijim të hetimeve për këtë episod, i pyetur sërish më datë 05.06.2025, shtetasi Gentian Sula ka sqaruar se më datë 09.01.2025 kishte dhënë shpjegime lidhur me një marrëdhënie shitblerjeje me shtetasen Ajola Xoxa. Në atë moment, ai ka deklaruar se ka qenë i tronditur dhe i paqartë për rrethanat dhe përgjegjësinë e tij. Ai ka theksuar se nuk kishte dashur të jepte të dhëna të rreme, por i ndodhur në kushtet që nuk kuptonte seriozitetin dhe rëndësinë e deklarimit të tij, kishte improvizuar në thëniet e tij.
Pas asaj periudhe, ai ka reflektuar dhe ka konkluduar se nuk ka asgjë për të fshehur karshi Prokurorisë dhe dëshiron të bashkëpunojë duke thënë të vërtetën, duke theksuar se zhvillon një biznes të ndershëm, është tatimpagues dhe familjar i rregullt dhe nuk ka lidhje me asnjë veprimtari të jashtëligjshme, si dhe nuk dëshiron në asnjë mënyrë që emri apo biznesi i tij të njolloset në çfarëdolloj rrethane.
I pyetur lidhur me shumën monetare të gjetur më 06.12.2024 gjatë kontrollit në ambientet e shoqërisë “Partners Laë” sh.p.k., për të cilën ishte depozituar një kontratë kapari e datës 04.12.2024 në vlerën 220,000 euro lidhur ndërmjet tij dhe shtetases Ajola Xoxa për blerjen e një pasurie në rrugën Brigada VIII, ai ka sqaruar se nuk është e vërtetë që ka porositur apo paguar cash shumën e sekuestruar në kasafortë dhe se rrethanat e përshkruara në kontratën e kaparit nuk janë të vërteta. Ai ka theksuar se hartimin dhe nënshkrimin e kontratës ia kishte kërkuar si favor Ajola Xoxa dhe kishte pranuar, pasi nuk kishte asnjë ide që kjo kontratë do të paraqitej në Gjykatë apo në Prokurorinë e Posaçme. Për shkak të lëvizjeve të shpeshta jashtë shtetit, ai ka qenë në padijeni të plotë për problemet ligjore që kishte Ajola Xoxa dhe nuk i kishte kushtuar rëndësinë e duhur kërkesës së saj, duke shtuar se për shkak të njohjes që kishte me të, kishte nënshkruar kontratën që nuk ishte përpiluar prej tij dhe pa u informuar për arsyet pse i duhej Ajolës.