Tre skuadrat tona zbresin në fushë sonte për ndeshjen e parë të raundit të dytë të Conference League. Debuton Dinamo, që kaloi automatikisht në këtë fazë të turneut, me ndeshjen e parë në transfertë kundër Atletic Escaldes. Egnatia, pasi zbriti nga Champions e eliminuar nga Breidablik, do të përballet me Dinamo Minsk gjithashtu në transfertë. Vllaznia kthehet në Loro Borici për të luajtur kundër Vikingur me shpresën për tu kualifikuar për herë të parë në raundin e tretë të një kompeticioni UEFA.
Vllaznia, kundër Vikingur për të bërë historinë
Largimi i Kevin Dodajt është nga ato që lënë gjurmë, por te Vllaznia kanë shpejtuar të mbulohen, duke sistemuar pikat e dobëta të shfaqura në vajtje-ardhjen kundër Daugavpils, në raundin e parë të Conference League. Pikërisht aty, klubi u bind se Qarri nuk mund ti jepte garancitë e kërkuara dhe për sezonin e ri, mbërriti nga Shamrock Rovers portieri gjerman Leon Pohls. 28 vjeçari duket se do të jetë titullari mes shtyllave në Loro Boriçi, ndërsa mbrojtja mund të pësojë ndryshime.
Përfaqësimi i Gjinit nuk mund të anashkalohet, aq më tepër që Martini e njeh në atë pak kohë që të dy ishin te Teuta. Në këtë rast, Bajrami mund të jetë i sakrifikuari dhe mbrojtjen me tre që preferon tekniku e kompletojnë Kouros e kapiteni Gurishta. Mesfusha nuk lëviz shumë nga emrat e zakonshëm të Qatos, Krymit e Krujës, por nëse Yogo është para Hakajt në të majtë, në të djathtë kthehet Mala pas rikuperimit dhe golit çlirues kundër letonezëve. Përpara, pastaj, ardhja e Bismark do të spostojë Mensah në pankinë, pavarësisht provës së mirë në kthimin kundër Daugavpils, duke formuar dyshen sulmuese me Balaj.
Ajo që ngroh Martinin është një pankinë që mund ta lëvizë formacionin pa humbur kualitet, edhe pse shkodranët nuk e kanë konsideruar ende të mbyllur merkaton dhe deri në fund të gushtit të tjerë lojtarë mund ti shtohen kuqebluve.
Debuton Dinamo, Daja pa Itodon
Dinamo, pasi fati i buzëqeshi në short me kalimin direkt në raundin e dytë, do të bëjë debutimin në Europë pas 15 vjetësh mungesë. Përballë dinamovitëve të Ilir Dajës do të jenë andorranët e Atletic Escaldes, aspak të pakalueshëm për nëndetësen. Kryeqytetasit megjithatë ndeshjen e parë do ta luajnë në transfertë, në orën 16.00, me teknikun që shpreson të marrë një rezultat sa më pozitiv për të patur të thjeshtë kalimin në raundin e tretë të turneut.
Lexo më tej: Shorti i Conference League, me fat vetëm Egnatia: Dinamo e Vllaznia përballë "murit"
Blutë janë në tratativa edhe për transferimin e dy lojtarëve të tyre më të rëndësishëm Baton Zabërgja e Itodo Mandela, por asnjë lëvizje nuk do të ndodhë sa kohë Dinamo do të jetë në Europë. Nigeriani 21 vjeçar nuk do të luajë sidoqoftë në transfertën e parë në Andorra, kundër Atletic Escaldes, për probleme pasaporte, por është gati të ndihmojë Dinamon në sfidën e kthimit.
Egnatia ndaj Dinamo Minsk për arkëtime rekord
Egnatia pasi u eliminua në raundin e parë të Champions League kërkon fatin e saj në Conference League, në raundin e dytë përballë Dinamo Minsk. Nuk është një ndeshje e lehtë me bjellorusët, që edicionin e kaluar luajtën grupet e kompeticionit, por në anën tjetër është mundësia për të bërë arkëtime të mëdha dhe tentativën për të shkuar për herë të parë në grupet e Conference League.
Deri tani Egnatia ka të siguruara 810 mijë euro, më shumë se të gjithë të tjerët, për faktin e pjesëmarrjes në Champions. Rrogozhinasit sigurisht që kërkojnë të vazhdojë, por nuk duhet të bëjnë asnjë gabim në ndeshjen e parë në Arena Egnatia në orën 20.45, për të shpresuar një kualifikim në kthimin në Minsk një javë më pas.