Asnjë atlete transgjinore në garat femërore në Shtetet e Bashkuara. Këtë e konfirmon Komiteti Olimpik dhe Paralimpik Amerikan, i cili u ka komunikuar federatave të notit, atletikës dhe sporteve të tjera se ka “detyrimin të respektojë” urdhrin ekzekutiv të lëshuar nga presidenti Donald Trump. Politika e re, e shpallur të hënën me një ndryshim në faqen zyrtare të internetit të USOPC dhe e konfirmuar në një letër dërguar organeve drejtuese të sportit kombëtar, ndjek një masë të ngjashme të miratuar nga NCAA në fillim të këtij viti, që goditi ndër të tjera edhe notarën Lia Thomas, atletja e parë transgjinore që fitoi një kampionat në NCAA Division I.
Ndryshimi i USOPC përmendet indirekt si detaj në seksionin “Politika për sigurinë e atletëve të USOPC” dhe i referohet urdhrit ekzekutiv të Trump, “T’i mbajmë burrat jashtë sporteve të grave”, i firmosur në shkurt. Ky urdhër, ndër të tjera, kërcënon të “revokojë të gjitha fondet” për organizatat që lejojnë pjesëmarrjen e atletëve transgjinorë në sportet femërore. Zyrtarët olimpikë amerikanë u kanë thënë organeve drejtuese kombëtare se duhet të veprojnë njësoj, duke shtuar se “USOPC ka nisur një sërë bisedash respektuese dhe konstruktive me zyrtarët federalë” që prej kohës kur Trump e nënshkroi këtë urdhër.
Lexo më tej: "Khelif e Yu Ting janë burra": IBA nxjerr analizat, reagon boksierja algjeriane
“Si një organizatë me status federal, kemi detyrimin të respektojmë pritshmëritë federale – kanë shkruar në një letër administratoresha e përgjithshme e USOPC, Sarah Hirshland, dhe presidenti Gene Sykes. – Politika jonë e rishikuar nënvizon rëndësinë e garantimit të një ambienti gare të drejtë dhe të sigurt për gratë. Të gjitha organet drejtuese kombëtare janë të detyruara të përditësojnë politikat përkatëse në përputhje me dispozitat e reja.”
National Women’s Law Center ka lëshuar menjëherë një deklaratë ku dënon vendimin përmes presidentes dhe administratores së përgjithshme të organizatës, Fatima Goss Graves: “Duke iu nënshtruar kërkesave politike, USOPC po sakrifikon nevojat dhe sigurinë e atleteve të veta.”