Nëse në përgjithësi ka shumë krizë, momenti personal i Javier ‘Chicharito’ Hernandez duhet të jetë vërtet i veçantë, të paktën duke gjykuar nga videoja e fundit që sulmuesi meksikan 37-vjeçar ka publikuar në Instagram. Një fjalim i pabesueshëm, i ngarkuar me seksizëm dhe që duket sikur vjen nga një epokë tjetër. Fjalët e futbollistit aktual të Chivas Guadalajara i kanë sjellë një ortek kritikash dhe dikush ka arritur të aludojë se është manipuluar nga ndonjë sekt, pas dështimit të martesës së tij me modelen Sarah Kohan, nëna e dy fëmijëve të tij, që përfundoi katër vite më parë.
Chicharito është një lojtar ikonik në botën latino-amerikane dhe popullariteti i tij është i madh edhe në Europë, pasi ka luajtur me klube si Manchester United dhe Real Madrid. Së fundmi, ndërsa karriera e tij futbollistike po zbehet (këtë sezon në Meksikë ka shënuar vetëm disa gola, mes dëmtimeve dhe stolit), në profilin e tij në Instagram me 6 milionë ndjekës kanë filluar të shfaqen video të çuditshme mbi kuptimin më të thellë të jetës dhe lumturinë e vërtetë. Në këto pamje Hernandez shfaqej i buzëqeshur, duke aluduar për një kthesë ekzistenciale të rëndësishme, me futbollin krejtësisht të munguar.
Chicharito Hernandez: “Gra, po dështoni. Po e shkulni burrërinë”
Deri tek videoja e fundit, para disa ditësh, ku golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i kombëtares meksikane e thellon diskutimin mbi raportin mes burrit dhe gruas. E tij është një fjalim i mirëfilltë kundër roleve gjinore në shoqërinë moderne, të lëngëta dhe jo më të ngurta, të cilat ai i konsideron krejtësisht të gabuara. Chicharito shpjegon se gratë po “dështojnë” sepse nuk përqendrohen te punët e shtëpisë dhe nuk i lejojnë burrat t’i “drejtojnë”.
“Gra, po dështoni. Po e shkulni burrërinë duke e bërë shoqërinë tepër të ndjeshme. Mishëroni energjinë tuaj femërore duke u kujdesur, ushqyer, mirëpritur, shumuar, pastruar dhe mbështetur shtëpinë, që është vendi më i çmuar për ne burrat – fillon Chicharito në Instagram – Mos kini frikë të jeni gra, të lini veten të drejtoheni nga një burrë që do vetëm t’ju shohë të lumtura, sepse nuk njohim parajsë pa ju. Të fuqizosh energjinë tuaj do të thotë gjithashtu t’i doni vetvetes”.
Hernandez vazhdon duke pohuar se në ditët e sotme disa burra kanë frikë të shprehin nevojat e tyre, por mbeten të përkushtuar për të përkujdesur gratë: “Burra, po dështojmë nga mungesa e përkushtimit, sepse i vendosim partneret tona në vend të fundit, sepse nuk e mbajmë fjalën e dhënë dhe sepse nuk u japim përparësi zakoneve që na bëjnë të admirueshëm. E kuptoj që kemi frikë të flasim dhe të shprehim vërtet atë që ndjejmë sepse po përpiqen ta shkulim burrërinë, sepse në disa raste në të kaluarën energjia femërore është shtypur, por shumë prej nesh janë këtu për t’i dashur ato, për t’u kujdesur për to, për t’i respektuar dhe për t’u gjendur për to”.
Në fund Chicharito ngul këmbë në faktin se gratë duhet të nderojnë burrërinë: “Ju gra duhet të mësoni ta pranoni dhe ta nderoni burrërinë. Ndonjëherë e vërteta mund të lëndojë menjëherë, por kjo është pjesë e rritjes. Ta pranojmë të vërtetën dhe të ndryshojmë mjaftueshëm për të krijuar njerëzimin që gjithmonë kemi kërkuar”.