Tirana vazhdon të lëvizë në kaos, pavarësisht rreshtimit të gjashtë lojtarëve në ditët e fundit, si përforcime të skuadrës për sezonin që pritet të fillojë. Bardheblutë tani kanë edhe një trajner, por kush mendonte se do të ishte një emër me eksperiencë i trajningut u gabua: Vangjel Mile është trajneri i ri dhe për beratasin është pankina e parë në Superiore. Pak para tij, Tirana reklamoi edhe ardhjen e djalit të Igli Tares, që përforcon bardheblutë, edhe pse nuk arriti të lunate në Superiore as me Skënderbeun që ra nga kategoria.
Tirana praktikisht po bëhet një mësimore, ashtu si në fakt vështirë se mendohej të ndodhte në klubin më të titulluar në vend. E megjithatë, të paktën tani, pak më shumë se një muaj nga nisja e kampionatit, një trajner kryeqytetasit e kanë. Vangjel Mile është zyrtarisht trajner i Tiranës. 39-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare, ndërsa mungesën e eksperiencës së beratasit, bardheblutë e justifikojnë me “njohjen e thellë të strukturave të klubit”.
Njoftimi i Tiranës:
“Zyrtare: Vangjel Mile emërohet trajner i parë i KF Tirana
Klubi i Futbollit Tirana njofton emërimin e Vangjel Mile si trajner i parë i skuadrës për tre sezone. Mile vjen në këtë detyrë pas një periudhe të suksesshme si Drejtor Teknik i Akademisë së Futbollit Tirana, ku ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e talenteve të rinj dhe ndërtimin e një filozofie të qëndrueshme loje.
Njohja e thellë me strukturat e klubit, filozofinë bardheblu dhe modelin e funksionimit të Akademisë i japin trajnerit Mile avantazhin për të ndërtuar një urë të natyrshme mes të rinjve dhe ekipit të parë. Objektivi i tij do të jetë jo vetëm rikthimi i skuadrës në krye të futbollit shqiptar, por edhe integrimi i elementëve të rinj me potencial, në përputhje me identitetin historik të KF Tiranës.
Mile është i njohur për qasjen e tij moderne ndaj stërvitjes, disiplinën taktike dhe aftësinë për të ndërtuar grupe të balancuara me frymë kolektive të fortë. Eksperienca e tij si strateg dhe drejtues teknik e bën zgjedhjen ideale për një projekt të qëndrueshëm dhe ambicioz.
“E ndjej veten pjesë të kësaj shtëpie dhe e marr këtë përgjegjësi me përulësi, por edhe me shumë besim. Njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivat e KF Tiranës,” – deklaroi trajneri i ri gjatë prezantimit.
Klubi i Futbollit Tirana i uron suksese trajnerit Vangjel Mile në këtë sfidë të re dhe është i bindur se rrugëtimi i përbashkët do të sjellë rezultatet që meriton familja bardheblu”.
Pas para trajneri, Tirana prezantoi edhe ardhjen e Etien Tare. Sulmuesi 21-vjeçar erdhi nga kampionati Kosovar ku në 6 ndeshje koleksionoi 123’, sidoqoftë dicka më mire se kur ishte pjesë e Skënderbeut. Korçarët ranë nga kategoria, por sërisht djali i Tares bëri vetëm 3 shfaqje për mizerjen e 26’. Një lojtar i prespektivës thonë te Tirana, që vazhdon të mos bindë askënd nga tifozët e saj.
Njoftimi i Tiranës:
“Mesfushori premtues Etienne Tare është zyrtarisht pjesë e familjes bardheblu. Me energji, vizion dhe dëshirë për të dhënë maksimumin, ai i bashkohet Tiranës për sezonin e ri!
Me një profil të qartë teknik dhe një mentalitet serioz pune, Tare vjen te Tirana si një futbollist me perspektivë, i gatshëm të japë kontributin e tij.
Transferimi i Etienne Tares është një investim në vazhdimësinë dhe cilësinë, duke ndjekur filozofinë e klubit për të afruar lojtarë me potencial të madh zhvillimi, të cilët ndajnë vlera dhe përkushtim ndaj fanellës”, shkruan klubi bardheblu.