Do të jetë edhe Donald Trump në stadium për finalen e Botërorit për Klube, që zhvillohet sonte mes PSG dhe Chelsea në MetLife Stadium. Është ai që mban çelësin e trofeut të jashtëzakonshëm që do të mund ta hapë vetëm skuadra fituese e këtij edicioni të parë historik, e cila do të shpërblehet pikërisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara: nuk njihen ende detajet e ceremonisë së ndarjes së çmimit për arsye sigurie, pasi asnjë nga burimet nuk është e autorizuar të flasë publikisht. Një vit më parë Trump u përfshi në një tentativë të dështuar sulmi në Pensilvani dhe për këtë arsye kontrollet do të jenë edhe më të rrepta.
Ajo që dihet është se për sonte do të ketë një mobilizim të madh të forcave të rendit, Shërbimeve Sekrete dhe gjithashtu ushtrisë që do të duhet të mbajnë situatën nën kontroll në stadiumin me 82.500 vende që do të presë edhe presidentin Trump, duke bllokuar rrugët përreth dhe duke krijuar një itinerar të posaçëm për presidentin. Prania e tij, e konfirmuar nga presidenti i FIFA-s Gianni Infantino, ka sjellë krijimin e një plani sigurie të pathyeshëm që do të duhet ta mbrojë jo vetëm nga rreziqet e mundshme, por nga çdo gjë që mund ta vendosë në siklet, siç raporton New York Times.
Plani i sigurisë për finalen e Botërorit për Klube
I ftuari i nderit do të jetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, ai që mban çelësin për të hapur trofeun dhe për këtë rast Shërbimet Sekrete kanë krijuar një plan sigurie tepër të rreptë: nuk njihen pjesa më e madhe e detajeve, si ato që lidhen me ceremoninë e paraqitjes që duhet ta mbajë vetë Trump dhe shumë kanë preferuar të mbeten anonimë. Ekipi i sigurisë caktohet me shumë kohë përpara dhe është i ngarkuar të bëjë një inspektim të stadiumit para se të zbatojë programin e tij, për të bashkëpunuar me stafin e impiantit dhe për të studiuar strategjinë më të mirë edhe me ndihmën e njësive të qenve.
Lexo më tej: Video/ Takim dhe marrëveshje historike mes Trump dhe Infantino për futbollin!
Ekipi i sigurisë ka studiuar itinerarin që Trump duhet të ndjekë për të hyrë dhe dalë nga stadiumi, një nga më të rëndësishmit në vend, duke llogaritur të gjitha rrugët e shpëtimit për çdo emergjencë. Trump do të ulet pranë Infantinos, zyrtarëve të lartë të PSG dhe Chelsea, dhe sheikut Tamim bin Hamad Al Thani dhe do të mbërrijë në stadium i shoqëruar nga roje të armatosura që mund të vendosin detektorë metali dhe xhama antiplumb në hyrje, të cilat do të shërbejnë për ta mbrojtur presidentin si në hyrje ashtu edhe në dalje nga stadiumi. Të gjitha detajet megjithatë janë sekret dhe lajmi për praninë e presidentit në finale e ka vënë edhe më shumë në gatishmëri sigurinë e tij personale, e ngarkuar të bëjë që gjithçka të shkojë vaj dhe t’i shmangë jo vetëm rreziqet, por edhe siklete.