Entuziazmi, shpresa dhe ankthi. Merkato verore e Milan jeton këto tre ndjenja kontradiktore që, në një mënyrë ose një tjetër, po komplikojnë planet e studiuara nga Igli Tare dhe Massimiliano Allegri. Entuziazmi për operacionin që solli Samuele Ricci te kuqezinjtë u ushqye edhe nga mbyllja e marrëveshjes Modric. Edhe në moshën 40 vjeç (që do t’i mbushë në shtator) ardhja e lojtarit më të titulluar në historinë e Real Madrid, i shpallur simpatizant i Milan prej disa vitesh, u prit me kënaqësi dhe entuziazëm. Kroati pritet në Milano të hënën më 14 për të kryer vizitat mjekësore rutinë, para se t’i lejojë vetes disa javë pushime pas Botërorit për Klube të luajtur, dhe pikërisht data 14 do të jetë motivi udhëheqës i historisë së tij me Djallin: ky është, në fakt, numri që do të mbajë në aventurën e tij në Itali duke e trashëguar atë nga Reijnders.
Duke zbehur emocionet dhe duke i përzier me pak shqetësim, mund të kalojmë te situata e Ardon Jasharit. Presioni ndaj Bruges vazhdon dhe, edhe pse lojtari po përpiqet me çdo mënyrë të forcojë pozitat duke refuzuar çdo propozim tjetër, gjithmonë pa luajtur e pa u stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës, situata mbetet e bllokuar. Milan ka bërë të ditur si për lojtarin ashtu edhe për stafin e tij se e konsideron se ka bërë maksimumin financiarisht për të kënaqur klubin belg, por, megjithëse Bruges ka refuzuar dy zgjidhje të ardhura nga Premier League, nuk heq dorë nga qëndrimi i tij. A do të vijë një përfundim i lumtur për Jasharin dhe Milan? Vështirë të thuhet kur ke të bësh me një dyqan të shtrenjtë si ai belg dhe pa ndonjë nevojë të jashtëzakonshme për të arkëtuar.
Lexo më tej: Milan nis sulmin për talentin Jashari, Tare rrit ofertën: pritet përgjigjja e Brugge
Së fundmi, duke kaluar nga drita e artë e ardhjes së Modric te errësira e thellë pas Hernandezit, drejtuesit e Milanit janë në ankth sa i përket blerjes së një mbrojtësi anësor. I dështuar, me një prezantim ironik në rrjetet sociale nga Fenerbahçe, Archie Brown, kuqezinjtë janë rikthyer në sulm për Guela Doué të Strasburgut, duke rritur nga 15 në 18 milionë euro ofertën për klubin, por duke marrë gjithmonë të njëjtën përgjigje: Jo, faleminderit. Klubi francez kërkon 25 dhe distanca, që mbetet e madhe, duket e vështirë për t’u kapërcyer. Megjithatë, roli duhet mbuluar dhe Tare me grupin e tij të punës po bën vlerësime të reja. Emrat që qarkullojnë nuk mungojnë, por nuk ndezin entuziazmin e tifozëve: shkohet nga Pubill i Almerias te Bard i Nicës e deri te Javi Galan i Atletico Madrid apo Fabiano Parisi i Fiorentinës.