Nga futbollist zyrtarisht i tërhequr pas lamtumirës nga Juventus në një shtyllë të Barcelonës fituese të La Liga vitin e kaluar, jeta i ka shërbyer një pjatë të shijshme dhe të papritur Wojciech Szczesny, i cili tani në moshën 35-vjeçare nuk do t’ia dijë më të varë dorezat në gozhdë: portieri polak sapo ka rinovuar kontratën e tij me skuadrën blaugrana edhe për dy sezone të tjera, deri në vitin 2027. Një jetë e re sportive për ‘Tek’-un, i cili te Barcelona ka ndryshuar krejtësisht edhe mënyrën e tij të lojës krahasuar me Juventusin: shokët e tij të skuadrës në Katalonjë e duan topin edhe kur janë të mbuluar nga të gjitha anët, ndërsa në Torino i kthenin shpinën vetëm për të mos e pasur topin në këmbë.
Szczesny dhe abisi mes Barcelonës e Juventus
Szczesny ka folur për këtë në një podcast polak: “Këtu i ke thjesht të gjithë që duan topin. Te Juventusi merrja topin në këmbën e majtë, pesë metra larg mbrojtësit, dhe ai kthehej nga ana tjetër, duke të bërë të kuptoje që donte ta gjuaje topin larg. Këtu te Barcelona të gjithë vijnë drejt teje: ‘Ma jep, ma jep!’. Pedri e donte edhe me shtatë kundërshtarë sipër, thoshte: ‘Wojtek, Wojtek, Wojtek!’.”
Ish-lojtari i Romës pastaj përmendi disa nga shokët e tij në mbrojtjen blaugrana, duke theksuar prirjen e tyre për të luajtur gjithmonë me topin: “Kisha Inigo-n, teknikisht të shkëlqyer, dhe zakonisht Pau Cubarsí nga ana tjetër. Balde donte të luante, Frenkie (de Jong) afrohej gjithmonë. Ishte çështje kush e donte topin”.
Lexo më tej: Flick flet për Szczesny, por i habit të gjithë me një batutë: “Ndonjëherë tymos pak…”
“Kur ter Stegen u kthye në stërvitje pas dëmtimit dhe pashë talentin e tij me këmbët, fenomenal, mendova që pasimet e tij të gjata ishin të pabesueshme – vazhdoi ish-portieri tri herë kampion me Juventusin – Por në këtë sistem, me këta lojtarë, nuk ka nevojë për pasime të gjata ose topa të prerë nëpër qendër. Mjafton të marrësh topin, ta pasosh, dhe ata ia dalin. Është vërtet kaq e thjeshtë…”
“Pedri, lojtari që më ka impresionuar më shumë në jetën time”
Szczesny nuk ka parë kurrë në jetën e tij një si Pedri: “Për mua, ajo që ka bërë Pedri këtë vit… nuk kam parë kurrë një sezon të tillë nga një lojtar i vetëm. Ta shohësh live, të shohësh si e kontrollon lojën, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, ka qenë e pabesueshme. Është lojtari që më ka impresionuar më shumë në jetën time. Cili është gjeniu i tij? Nuk e di, por nuk e humbet kurrë topin. Ka lojtarë që nuk e humbin topin duke luajtur të sigurt, por ai merr kundërshtarë në shpinë, driblon, luan në qendër, bën pasime filtrante, dhe në çdo ndeshje e humbet topin maksimumi dy herë. I fiton të gjitha driblimet, është i parashikueshëm në kuptimin që i jep topin dhe e di që është i sigurt, si në një kasafortë…”