Kur e mbuloja Netanyahun një dekadë më parë, vlerësimi i përgjithshëm ishte se ai ishte i kujdesshëm ndaj rrezikut, që i linte konfliktet të zjenin në sfond më mirë sesa të futej në luftë të plotë, si ato që kemi parë këto dy vitet e fundit. Çfarë ka ndryshuar?
Në njëfarë kuptimi, ai është ende i njëjti Netanyahu që njihje, ende mban shumë opsione hapur dhe i shmanget vendimeve kyçe deri në momentin e fundit. Këtë e pamë në shtyrjen për muaj të tërë të përplasjes së drejtpërdrejtë me Hezbollahun dhe Iranin vitin e kaluar. Por gradualisht, ai ka marrë më shumë rreziqe. Në fund, zgjodhi të pushtonte Libanin, të vriste udhëheqësinë e Hezbollahut, të pushtonte Sirinë dhe të bombardonte Iranin në mënyrë të hapur.
Këto zgjedhje janë pjesërisht pasqyrim i një ndryshimi në psikikën izraelite. Për kritikët e Izraelit, sulmi i Hamasit ishte një reagim i pashmangshëm ndaj bllokadës së Gazës dhe pushtimit të Bregut Perëndimor. Por për shumë izraelitë, sulmi ndodhi si pasojë e ngurrimit të Izraelit, dështimit për të goditur në mënyrë parandaluese kërcënimin që përfaqësonte Hamasi.
Një koleg i yni shkroi kohët e fundit se Izraeli, gjatë dy viteve të fundit, ka arritur të mposhtë armiqtë e tij, por gjithashtu ka larguar aleatët e vet. Çfarë tregon kjo për të ardhmen e tij?
Në termat diplomatikë, Izraeli ndodhet me një këmbë në dy realitete paralele. Në të parën, pozita globale e Izraelit është më e ulëta në dekada. Në të dytën, Izraeli po i afrohet përparimeve historike me armiqtë e tij të vjetër, duke sfiduar logjikën se lufta në Gaza e ka izoluar atë në mënyrë të pakthyeshme. Edhe pse reputacioni i Izraelit po përkeqësohet në shoqëritë amerikane dhe arabe, diplomatët izraelitë janë njëkohësisht të angazhuar në bisedime të fshehta me zyrtarë në Siri, të cilat mund të forcojnë pozicionin e Izraelit në Lindjen e Mesme. Është një situatë e çuditshme dhe e ndërlikuar.
Netanyahu është 75 vjeç dhe kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit, duke shërbyer gati 18 vjet në tri periudha të ndryshme. Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë se ai është gati të tërhiqet.
Disa nga vëzhguesit më të vjetër të Netanyahut mendojnë se ai mund të tërhiqet vetëm nëse arrin të vendosë marrëdhënie formale me Arabinë Saudite dhe shtete të tjera arabe. Nëse këtë e shoqëron me sulmet ndaj Iranit, ai mund të ketë siguruar mjaft fitore ushtarake dhe diplomatike për të rehabilituar trashëgiminë e tij politike brenda vendit, edhe nëse reputacioni i tij ndërkombëtar mbetet i shkatërruar.
Por për vite me radhë, Netanyahu ka refuzuar të japë dorëheqjen, pavarësisht se është nën akuzë për korrupsion (akuza që ai i mohon). Ai nuk ka dhënë asnjëherë përshtypjen se do të largohet vetë nga skena.
Sjellë në shqip nga ©LAPSI.AL