Chelsea e ka siguruar tashmë finalen e Botërorit për Klube, duke mundur Fluminense falë Joao Pedro, dhe tani pret rivalin e tij. Favoriti për fitoren mund të vijë nga ana tjetër e tabelës, pasi sonte në orën 21:00 do të luhet një finale e mirëfilltë e parakohshme: nga njëra anë PSG, nga ana tjetër Real Madrid. Donnarumma dhe shokët e tij ëndërrojnë pokerin e trofeve, Xabi Alonso do finalen dhe suksesin e tij të parë me “merengues”.
Do të ketë vend vetëm për njërin mes Real Madrid dhe PSG në finalen e madhe të Botërorit për Klube, me Chelsea që pret rivalin e tij dhe ëndërron të shtojë një tjetër trofe në vitrinën, tashmë të pasuruar nga Conference League, i vetmi sukses që i mungonte “Blues” në fushën europiane. Ana tjetër e tabelës, që na dhuroi tashmë duelin mes Bayern dhe PSG, ofron pra një tjetër finale të parakohshme. Kampionët e Europës do të përballen me Real Madrid në një ndeshje që do të përfaqësojë gjithashtu përballjen e parë zyrtare mes klubit francez dhe Kylian Mbappé, pas largimit të tij me parametër zero.
Real Madrid e situata e Mbappé
Ylli i “merengues” mund ta nisë nga stoli, pavarësisht atij goli ndaj Borussia Dortmund, pasi ende nuk është në gjendjen më të mirë pas gastroenteritit të rëndë që i ka shkaktuar humbjen e 5 kg dhe i ka dobësuar tonin muskulor. Xabi Alonso, i cili duhet të bëjë pa Huijsen e pezulluar (i përjashtuar në çerekfinale), vështirë se do të prekë 3-4-2-1-in e tij dhe strukturën që e ka çuar deri në këtë fazë të turneut.
Lexo më tej: E kërcënuan, Mbappé trembet e heq padinë ndaj PSG: “Shit fanella e mos na çaj ka*in”
Pra pritet rikthimi i Asencio mes titullarëve, pavarësisht gabimeve të shumta në fillim të Botërorit, me Rudiger dhe Tchouameni në krah të tij, ndërsa krahët do të jenë sërish Alexander-Arnold dhe Fran Garcia: dy asistime së fundmi për anglezin, gol ndaj BVB për spanjollin dhe gjithmonë i preferuar nga Xabi. Në mes të fushës Arda Guler, spektakolar ndaj verdhezinjve, dhe Valverde: në repartin pas sulmit Bellingham dhe Vinicius Junior, që do të mbështesin Gonzalo Garcia-n.
PSG me dy mungesa në gjysmëfinale
Mungesa të rënda edhe për PSG-në, që me Bayernin përfundoi me nëntë lojtarë në një ndeshje të kondicionuar nga dëmtimi i Jamal Musiala: jashtë Lucas Hernandez dhe Pacho, të përjashtuar në fundjavë. Pra pritet një mini-revolucion në mbrojtje, me Beraldo kandidat për të qenë përkrah Marquinhos: krahët mbrojtës Hakimi dhe Nuno Mendes. Për pjesën tjetër rikthehet formacioni i zakonshëm, gjithmonë me rebusin-Dembélé: a do të jetë hera e duhur për titullarizimin e tij? Për momentin duket se mbizotëron ideja për ta futur nga stoli, me Barcola si “fals nueve” dhe Doué-Kvara në krahë: i paprekshëm ndërkohë mesfusha me Vitinha, Joao Neves dhe Fabian Ruiz.
Sfidat brenda sfidës
Do të jetë një përballje me tension shumë të lartë dhe me mijëra kuptime, me shumë mini-duele: emocionues ai në distancë mes Courtois dhe Donnarumma, heronj të klubeve të tyre përkatëse. Po aq emocionues edhe ai mes trajnerëve, me Luis Enrique dhe Xabi Alonso që nuk janë përballur kurrë në pankinë. Ish-trajneri i Bayer Leverkusen ëndërron të fitojë trofeun e tij të parë në krye të “blancos”, ish-Barça nga ana tjetër do një poker historik dhe Botërorin për Klube në vitrinën e PSG. Sonte në orën 21:00, do të shohim kush do ia dalë. Chelsea pret rivalin e tij, me një vetëdije: kushdo që kalon, do të jetë i disfavorshëm. Por ky është Botërori i “underdog”-ëve, ndaj asgjë nuk duhet marrë e mirëqenë…