Victor Osimhen ka gjetur skuadrën e tij të re, por telenovela e verës nuk ka përfunduar ende. Sulmuesi do të donte të rikthehej te Galatasaray, ku kaloi vitin e fundit në huazim, por Napolit i duhet një ofertë më e lartë për ta lënë të largohet: nuk mjafton marrëveshja personale mes lojtarit dhe turqve, të gatshëm ta mirëpresin sërish edhe për sezonin e ardhshëm, sepse ka kushte ekonomike shumë të qarta për t’u përmbushur që bllokojnë të gjithë tratativën dhe shitjen përfundimtare.
Sipas asaj që raporton Sky, klubi i drejtuar nga Aurelio De Laurentiis nuk bën hap pas për kërkesat e tij që mbeten gjithmonë të njëjtat prej një viti. Nigeriani ka një klauzolë largimi prej 75 milionë eurosh e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë dhe shoqëria nuk do të pranojë asnjë euro më pak për ta lënë të largohet. Edhe Juventus mbetet në pritje, i interesuar fort, por Osimhen do të preferonte të rikthehej në Turqi, ku kaloi një sezon pozitiv.
Çfarë mungon për transferimin e Osimhen te Galatasaray
Sulmuesi ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij në Turqi, ku ka gjetur një ambient të shkëlqyer pas një ndarjeje të stuhishme me Napolin. Por dëshira e tij nuk mjafton sepse do të duhet të plotësohen kërkesat ekonomike të napolitanëve, të cilët në këtë pikë janë të palëkundur: Osimhen do të largohet vetëm nëse dikush do të vendosë mbi tavolinë 75 milionë euro, pra vlera e klauzolës që vlen vetëm për klubet jashtë vendit. Al Hilal i drejtuar tashmë nga Inzaghi është ofruar ta paguajë, por për lojtarin nuk është zgjedhja e tij e parë.
Lexo më tej:Prapaskena e refuzimit për ofertën Osimhen nga Galatasaray: ADL pret Juven në qershor
Nigeriani ka arritur marrëveshje totale me Galatasaray, me një kontratë të vlefshme deri në qershor 2028, detajet e së cilës përsa i përket pagës nuk janë zbuluar, por problemi mbetet shifra që turqit janë të gatshëm të shpenzojnë. Aktualisht ata kanë vendosur mbi tavolinë 60 milionë euro, një propozim që nuk i përmbush aspak kushtet e Napolit: do të duhen mbi 10 milionë më shumë që të mund të flitet dhe ky operacion me siguri do të bëhet një nga sagat më të gjata të kësaj vere të nxehtë.