Një 17-vjeçar është arrestuar nga policia në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim për plagosje të rëndë me dashje. Sipas njoftimit të policisë, 17-vjeçari kishte plagosur me thikë një person në 14 maj të këtij viti.
"Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Wanted".
Si rezultat, në lagjen nr. 8, Durrës, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. N., 17 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Ky shtetas, më datë 14.05.2025, ka plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. R. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme", njofton policia.