Flash

Letra prekëse e Arne Slot: “Do kujtojmë golat e do të këndojmë këngën e Diogo Jota”

Lapsi.al 4 July 2025
Letra prekëse e Arne Slot: “Do kujtojmë golat e do të
Pas ndarjes nga jeta të portugezit Diogo Jota, që humbi jetën në një aksident rrugor bashkë me vëllain e tij në Spanjë, Arne Slot ia ka besuar një letre të gjatë në kanalet zyrtare të Liverpool mesazhin e tij të ngushëllimit për humbjen tragjike të lojtarit të tij. Fjalë që kujtojnë jo vetëm futbollistin, por edhe njeriun, duke theksuar tronditjen dhe afërsinë e klubit dhe të gjithë botës së futbollit me familjen. “Çfarë të thuash? Çfarë mund të thotë dikush në një moment si ky, kur tronditja dhe dhimbja janë kaq tmerrësisht të thella? Do të doja të kisha fjalët e duhura, por e di që nuk i kam – shkruan trajneri i Liverpool –. Gjithçka që kam janë ndjenja që e di se ndahen nga shumë njerëz: ndjenja për një njeri dhe një futbollist që e kemi dashur thellësisht dhe për një familje që e duam me gjithë zemër”. “Mendimet e mia të para nuk janë ato të një trajneri futbolli – vijon teksti duke konfirmuar mbështetjen e të gjithë klubit –. Janë ato të një babai, të një djali, të një vëllai dhe të një xhaxhai, të drejtuara ndaj familjes së Diogos dhe André Silvas, që po përjeton një humbje thjesht të paimagjinueshme. Mesazhi im për ta është fare i qartë: nuk do të ecni kurrë vetëm (“You’ll never walk alone”).

Lexo më tej: Plasi goma, rikonstruksioni i ngjarjes: vetëm nga targa u kuptua se ishte Diogo Jota

“Lojtarët, stafi, tifozët e Liverpool Football Club janë të gjithë me ju. Dhe nga ajo që kam parë sot, e njëjta gjë vlen për familjen e madhe të futbollit – vijon Slot –. Kjo nuk është thjesht një përgjigje ndaj një tragjedie. Është gjithashtu pasqyra e mirësi së njerëzve të përfshirë dhe e respektit që kaq shumë kanë për këta djem si individë dhe për familjen e tyre në tërësi”. “Për ne si klub, tronditja është totale. Diogo Jota nuk ishte vetëm një futbollist i yni. Ishte një i familjes, për të gjithë ne. Një shok skuadre, një koleg, një mik dhe në secilin prej këtyre roleve ishte vërtet i veçantë – ka vazhduar trajneri i Liverpool –. Mund të flas gjatë për atë që sillte në skuadrën tonë, por e vërteta është se kushdo që e ka parë Diogon të luajë e dinte tashmë. Angazhim, dëshirë, vendosmëri, cilësi, gola. Vetë thelbi i asaj që një lojtar i Liverpool duhet të jetë”.

Lexo më tej: Diogo Jota u martua 10 ditë më parë: kush ishte sulmuesi i Liverpool që humbi jetën

“Por kishte edhe anë të tij që jo të gjithë kanë pasur mundësinë t’i njohin. Ishte një person që nuk kërkonte famë, por e fitonte gjithsesi – vijon mesazhi –. Nuk ishte miku i pak vetëve, ishte miku i të gjithëve. Një që arrinte t’i bënte të tjerët të ndiheshin mirë vetëm me praninë e tij. Një njeri thellësisht i lidhur me familjen e tij. Herën e fundit që folëm, e urova për fitoren në Nations League dhe i bëra urimet për martesën e tij të ardhshme. Në shumë mënyra, ishte një verë ëndrrash për Diogon dhe familjen e tij dhe pikërisht kjo e bën gjithçka edhe më të dhimbshme”. “Kur mbërrita në klub, një nga këngët e para që mësova ishte ajo që tifozët këndojnë për Diogon. Nuk kisha punuar ende me të, por e kuptova menjëherë se nëse tifozët e Liverpool (që kanë parë shumë kampionë të mëdhenj) i kishin kushtuar një këngë kaq të veçantë, atëherë ai duhej të kishte diçka unike – shtoi Slot –. Fakti që e kemi humbur atë diçka në rrethana kaq tragjike është diçka që ende nuk arrijmë ta pranojmë. Dhe pikërisht për këtë duhet të qëndrojmë të bashkuar, si klub dhe si njerëz. Ia kemi borxh Diogos, André Silvas, familjes së tyre dhe vetes sonë”. “Mendimet e mia shkojnë tek bashkëshortja e Diogos, Rute, tre fëmijët e tyre të mrekullueshëm dhe prindërit e Diogos dhe André. Kur të vijë momenti i duhur, do ta nderojmë shokun tone Diogo Jota, do të kujtojmë golat e tij dhe do të këndojmë këngën e tij – përfundon letra –. Për momentin, do ta ruajmë në kujtesë si një qenie njerëzore të jashtëzakonshme dhe do të vajtojmë humbjen e tij. Emri i tij është Diogo”.

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI