Diogo Jota dhe vëllai i tij André Silva po shkonin në Santander për të marrë një traget që do t’i çonte në Angli, kur natën e kaluar Lamborghini me të cilin udhëtonin – që e kishin marrë me qira – doli nga rruga për shkak të shpërthimit të njërit prej gomave gjatë një parakalimi të kryer me shpejtësi të lartë. Videoja e filmuar pak çaste më pas nga një shofer kamioni që po vinte pas – e cila tregon një top zjarri që përpin mbetjet e makinës – tregon qartë se ishte e pamundur të mbijetoje nga ai aksident. Dy vëllezërit futbollistë u dogjën për së gjalli, identifikimi u bë i mundur falë targës së automjetit, dokumenteve të gjetura dhe njohjes së disa sendeve personale që iu treguan bashkëshortes së lojtarit të Liverpool-it, me të cilën ishte martuar vetëm dhjetë ditë më parë.
Pse Diogo Jota po kthehej në Angli me makinë dhe traget
Rrethanat që Diogo Jota dhe vëllai i tij kishin vendosur të lëviznin në Spanjë me makinë për të arritur bregun verior dhe prej andej të shkonin në Mbretërinë e Bashkuar me traget, kanë bërë që të shtrohet pyetja për arsyen e këtij zgjedhimi, që doli fatal. Sipas asaj që kanë zbuluar mediat portugeze, sulmuesit 28-vjeçar i ishte këshilluar të udhëtonte me makinë në vend të avionit për të shmangur presionin në kabinë. Një udhëzim mjekësor për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri të cilës futbollisti i ishte nënshtruar së fundmi, pasi kishte marrë pjesë në Nations League në Gjermani, turne të cilin e kishte fituar me Portugalinë.
Lexo më tej: Plasi goma, rikonstruksioni i ngjarjes: vetëm nga targa u kuptua se ishte Diogo Jota
Nuk ishte pra një zgjedhje e çuditshme të ndërmerrte fillimisht udhëtimin gjatë natës me makinë nëpër veriperëndimin e Spanjës dhe pastaj të përballonte rreth njëzet orë traget nga Santander deri në Plymouth: ndoshta kushdo do ta kishte ndjekur këshillën e mjekëve për të mos rrezikuar riaftësimin pas operacionit. Vëllai i Diogo Jotës nuk ka dashur ta linte vetëm dhe e ka shoqëruar në këtë udhëtim të gjatë dhe të lodhshëm: një gjest dashurie që i kushtoi jetën.
Grumbullimi i Liverpool është caktuar për të hënën që vjen
Në pikën ku ndodhi aksidenti – pranë Zamoras (në komunitetin autonom të Castiglia-s dhe León-it), afër kufirit me Portugalinë – kishin mbetur edhe rreth 350 kilometra deri në Santander: prej andej sulmuesi portugez do të imbarkohej për t’u kthyer në Angli, në prag të grumbullimit të Liverpool, i caktuar për të hënën që vjen, 7 korrik.
Trageti do të nisej sot në orën 16:00, me mbërritje në Devon pak pas orës 11 të së premtes. Pas zbarkimit në Plymouth, futbollisti i Reds do të vazhdonte me makinë drejt Liverpulit. Diogo Jota ndodhej në një moment të mrekullueshëm të jetës së tij: martesa e fundit me nënën e tre fëmijëve të tij – me të cilën njiheshin që nga shkolla e mesme – kishte kurorëzuar një periudhë që e kishte parë të fitonte Premier League me Liverpool dhe Nations League me Portugalinë. Të gjitha u shuan në një çast.