Flash

Pse u ngritën studentët serbë kundër regjimit të Vuçiç!

Lapsi.al 29 June 2025
Pse u ngritën studentët serbë kundër regjimit të

Protestat studentore në Serbi kanë vazhduar për shtatë muaj, duke sjellë ndikime të gjera dhe të larmishme. Të gjitha universitetet shtetërore janë të bllokuara, ndërsa mësuesit e shkollave fillore dhe të mesme ndaluan punën nga janari deri në prill 2025. Avokatët bënë grevë gjatë gjithë shkurtit, ndërsa fermerët dhe profesorët universitarë gjithashtu shprehën mbështetjen e tyre. Rrugë u bllokuan dhe studentët organizuan marshime jo vetëm në shumë pjesë të vendit, por edhe në institucionet e BE-së në Bruksel dhe Strasburg. Shoqëritë e pakicave kombëtare njoftuan së ishin ndjerë për herë të parë të barabartë me qytetarët serbë.

Megjithatë, rezultati më i rëndësishëm i protestave studentore ka qenë delegjitimimi i konsiderueshëm i qeverisë populiste të Partisë Progresive Serbe (SPP) të Aleksandër Vuçiç. Pas gjashtë muajsh betejash, është bërë e qartë se legjitimiteti i qeverisë nuk është vetëm në dyshim, por është i papërfillshëm.

Megjithatë, SPP mbetet në pushtet dhe duket se po bëhet akoma më represive. Qeveria ka prerë në mënyrë të paligjshme pagat e profesorëve universitarë që mbështesin studentët. Pa asnjë provë, ka akuzuar dhe burgosur gjashtë aktivistë opozitarë, përfshirë studentë. Në protestën më të madhe paqësore në Beograd më 15 mars, qeveria përdori një armë jo-vdekjeprurëse, “topin e zërit”, kundër tyre.

Dihet se represioni vjen në rritje, në përpjesëtim me legjitimitetin që po zbehet të qeverisë, por pyetja se çfarë do të thotë të qeverisësh pa legjitimitet mbetet e pazgjidhur. Problemi që ngriti kjo pyetje është realiteti i pushtetit pa legjitimitet – dhuna përmes së cilës po shkatërrohen të gjitha institucionet e shoqërisë demokratike dhe komuniteteve politike ashtu si i dimë ne.

Kjo është e papërfytyrueshme nga një perspektivë qytetare, pasi pushteti pa legjitimitet nuk mund të jetë vërtet pushtet. Ai mund të cilësohet vetëm nga fyerje juridiko-metaforike si “qeveri kriminale”, “shtet i kapur” ose “shtet mafioz”, në shpresë se këto terma do të mobilizojnë rezistencë ndaj gjendjes së re.

Sinteza disjuktive

[caption id="attachment_1011353" align="alignnone" width="1370"] Screenshot[/caption]

Përtej protestave masive, një nga veprimet e rregullta të studentëve dhe qytetarëve rebelë vazhdon të jetë nderimi i të ndjerëve me heshtje gjashtëmbëdhjetëminutëshe (për të përkujtuar 16 viktimat e shembjes së çatisë në Novisad) në vende publike, të shoqëruara me bllokime rrugësh. Simbolikisht, ky veprim përçon një nga sloganet e protestës: “Gjithçka duhet të ndalet.” Gjithçka duhet të ndalet derisa të përcaktohet përgjegjësia për vdekjet, apo, siç kërkonin kërkesat fillestare të studentëve, derisa institucionet të fillojnë të bëjnë detyrën e tyre. Kjo iu referua kryesisht Prokurorisë Publike, nga e cila kërkohej një hetim i pavarur për shembjen e çatisë.

Është e njohur gjerësisht se prokuroria publike në Serbi nuk mund të jetë e pavarur për shkak të shkatërrimit të institucioneve që ka ndodhur me ngjitjen në pushtet të SPP-së. Nëse shtojmë faktin që kolapsi i çatisë ndodhi në stacionin hekurudhor të rinovuar së fundmi, pjesë e një projekti më të gjerë për rinovimin e rrjetit hekurudhor, kemi një situatë ku kërkesat e studentëve janë të pamundura për t’u përmbushur, sepse qeveria do të duhej që të arrestonte vetveten.

Që nga fillimi, natyra paradoksale e kërkesave të studentëve u pa si një taktikë – apel për njerëzit brenda institucioneve që t’u bashkohen protestuesve dhe qytetarëve për të çliruar prokurorinë si një “institucion i kapur”. Por, pavarësisht masivitetit së protestës, mobilizimi i punonjësve nuk ndodhi. Prandaj, studentët avancuan një kërkesë të re: shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kjo qeveri duhet rrëzuar nëse duam institucione të lira e të pavarura.

Pranohet gjerësisht se tragjedia nuk ishte aksident. Ndërsa “korrupsioni vret” ishte një slogan i shprehur fuqishëm në protesta, këto nuk janë thjesht për eliminimin e korrupsionit; që nga fillimi, ato gjithashtu kanë propozuar një model pozitiv për institucionet. Nuk është sekret se natyra kriminale e qeverisë serbe vjen nga korrupsioni individual i përhapur dhe klientelizmi masiv, që partia në pushtet përdor për të kontrolluar zyrtarët publikë. Ky korrupsion është arsye kryesore pse thirrjet për grevë të përgjithshme nga studentët nuk kanë qenë efektive.

Gjithashtu, narrativa anti-korrupsion është më shumë karakteristikë e opozitës politike se e studentëve, deklaratat e të cilëve janë vazhdimisht plot kërkesa për drejtësi, solidaritet, siguri dhe sundim të ligjit. Ndërsa opozita shpesh thekson rolin e saj në nisjen e protestave dhe përkujtimin e të vdekurve, madhësia e tragjedisë ishte motivuesi kryesor për pjesëmarrje masive në protesta.

Ne jemi mbërthyer nga përshtypja se natyra metaforike e vdekjes ka mobilizuar dhe aktivizuar njerëzit. Ky fenomen ndodhi për herë të dytë brenda një intervali të shkurtër historik dhe politik. Dy vjet më parë, një masakër në një shkollë fillore në Beograd rezultoi me vrasjen e dhjetë nxënësve dhe një të rrituri nga një student. Të nesërmen, një tjetër vrasje masive ndodhi në dy qytete pranë Beogradit.

Vdekja dhe aksidentet mund të konsiderohen në origjinë të ngjarjeve sociale dhe politike. Aspekti përkujtimor i protestave serbe është karakteristikë përcaktuese. Ndërsa fillimisht ishin shkaktuar nga dhuna ndaj studentëve, bllokadat studentore kanë funksionuar edhe si një tribut solemn për të ndjerët.

Do të ishte e pamundur të analizohej kjo situatë pa njohur rolin e vdekjes dhe vuajtjes, sepse kjo tregon edhe një fenomen global: qeverisje e papërgjegjshme dhe mungesë totale e sigurisë ligjore, e zhdukur me rregullimin e gjerë dhe “kriminalizimin” e pushtetit politik. Thelbi është se, ndërsa vdekjet dhe tragjeditë patën një rol thelbësor në mobilizim, nxitja organizative për këto ngjarje politike buron nga bllokadat studentore.

Ndryshe nga praktika zakonisht strukturore e opozitës politike, studentët fillimisht nuk kërkuan ndërrim regjimi, por ndërrim sistemi. Tani, megjithatë, ata po kërkojnë vërtet ndryshim regjimi, duke theksuar gjithashtu se opozita nuk duhet të përfshihet në listën që ata do të mbështesin.

Si pasojë, si lëvizja e protestës ashtu edhe opozita politike po kërkojnë të njëjtën gjë, por nuk po e bëjnë bashkërisht. Si ndodhi ky “mos-takim” i ndërsjellë, përballë përshtypjes së përgjithshme se këto protesta krijuan një aleancë të gjerë mes aktorëve të ndryshëm shoqërorë dhe politikë? Një dimension i këtij problemi është përpjekja shumëvjeçare e qeverisë për të diskredituar opozitën, gjë që ka bërë që qytetarët të hezitojnë ta përkrahin nga frika se do të njollosen edhe vetë. Ishte më e sigurt të pretendoje se aktivizmi qytetar nuk kishte lidhje me politikën – një qëndrim që, edhe përpara këtyre protestave, ishte një parakusht për protesta masive.

Kjo ka sjellë gjithashtu problemin e depolitizimit. Shprehja “kjo nuk është politike” vazhdon të dëgjohet – një frazë e përdorur për herë të parë nga prindërit e studentëve në protesta të mëparshme civile. Por ka lindur edhe problemi i “omnipolitizimit” – pretendimi se “gjithçka është politikë”. Kjo e fundit dëmton kapacitetin organizativ dhe hapësirën për negociata politike, të nevojshme për ndërtimin e aleancave për ndryshimin e qeverisë. Ky ishte edhe motivi kryesor pse studentët u distancuan nga çdo organizatë tjetër – qofshin parti opozitare, shoqëri civile apo grupe aktivistësh.

Sot kemi një përgjigje më të artikuluar politikisht nga studentët për distancën e tyre nga partitë opozitare. Konkretisht, studentët këmbëngulin për një listë zgjedhore që përjashton politikanët e spikatur opozitarë. Ata argumentojnë se opozita ka dështuar të bashkohet dhe të dalë me një listë të vetme që do të mund të rrëzonte qeverinë aktuale, në një mënyrë që do të frymëzonte besim në nivel kombëtar.

Kjo reflekton jo vetëm një trend global të krizës së partive politike, por gjithashtu tregon për subjektivizimin e vetë studentëve. Opozita ka dështuar aty ku studentët besojnë se kanë patur suksesin më të madh: në unitet. Për ta, gjëja më thelbësore është të jenë së bashku dhe të marrin vendime në mënyrë transparente përmes diskutimeve në plenume gjatë bllokadave. Siç vuri re një artist dhe profesor, studentët respektojnë kontratën sociale që kanë vendosur vetë për veten e tyre. Kjo ka befasuar të gjithë dhe ka thyer stereotipet për një gjeneratë digjitale vetë-referenciale dhe të mbyllur në vetvete.

Megjithëse janë brezi i parë i lindur me teknologji digjitale, marrëdhëniet personale janë thelbësore për studentët. Ata vlerësojnë shumë solidaritetin me grupe të ndryshme shoqërore dhe mungesën e hierarkisë, çka shpjegon edhe mungesën e liderëve apo konkurrencës së brendshme: ata respektojnë individualitetin dhe autenticitetin e gjithsecilit. Studimet tregojnë se ndërveprimi i tyre me brezat më të vjetër do të jetë vendimtar në të ardhmen.

Në një kuptim, kjo është pikërisht ajo që po ndodh në Serbi sot. Nëpërmjet veprimeve të tyre dhe ngulmimit thuajse kokëfortë në kërkesat e tyre, ata kanë nxitur forma solidariteti dhe mbështetjeje që askush nuk i kishte parashikuar. Në një moment, studentët u bënë thirrje qytetarëve të organizoheshin në asamble, duke ndjekur modelin e plenumeve, për të siguruar përfshirjen e të gjithëve në vendimmarrjen për çështjet shtetërore dhe kombëtare. Që nga ai moment, asambletë kanë prodhuar bllokada dhe protesta, të cilat e rrisin trysninë ndaj qeverisë aktuale.

Megjithatë, duhet theksuar se mbështetja dhe solidariteti shfaqen shumë më tepër në një plan emocional (afektiv) sesa në një plan organizativ dhe vendimmarrës politik. Qytetarët reagojnë me shumë emocione ndaj studentëve, i përqafojnë dhe qajnë, i shohin si fëmijët dhe çlirimtarët e tyre, dhe veten si prindër më shumë sesa si qytetarë aktivë.

Ndërkohë që plani emocional ka rëndësinë e vet dhe efekte pozitive, ai gjithashtu ka të metat e veta, sidomos kur vjen puna te ndërtimi i aleancave. Përtej mbështetjes deklarative dhe takimeve përkujtimore, punonjësit në institucionet publike nuk janë organizuar. Përshtypja është se përfshirja emocionale – kujdesi mbrojtës për studentët si të rinj, si fëmijë – mbizotëron mbi pjesëmarrjen aktive në një betejë të përbashkët. Me fjalë të tjera, prindërit nuk po marrin hapa më vendimtarë, dhe nganjëherë duket sikur po fshihen pas fëmijëve të tyre.

Mendohet gjerësisht se organizimi politik më i gjerë duhet të përfshijë negociata me partitë opozitare, dhe shumë shpresojnë se do të arrihet një formë bashkëpunimi. Megjithatë, pavarësisht se mbështesin studentët, opozita ende nuk ka ndërmarrë hapa për të krijuar një bashkëpunim politik me ta. As kërkesa e studentëve për zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk e ka shtyrë opozitën që të jetë më vendimtare dhe të rrisë presionin ndaj qeverisë, për shembull duke lënë parlamentin.

Në fillim të qershorit 2025, u mbajtën zgjedhje të rregullta në dy qytete më të vogla serbe. Në njërin prej tyre, e gjithë opozita, me ftesë të studentëve, u bashkua në një listë të vetme zgjedhore. Kjo njësi e paprecedentë, e mbështetur nga studentët, bëri që shumëkush të parashikonte fitoren. Megjithatë, qeveria e SPP-së e ruajti pushtetin me një diferencë të ngushtë, përmes manovrave nën rrogoz si: shantazhimi i nëpunësve publikë, mobilizimi “kapilar” (çdo anëtar partie duhet të sigurojë mbështetje nga familjarët e tij), blerje votash dhe shpërndarje dhuratash për pensionistët dhe të varfrit, si dhe parregullsi në listat e votuesve. Megjithatë, shumë nga brenda lëvizjes së protestës e konsiderojnë këtë zgjedhje një sukses dhe një provë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që ata po kërkojnë.

Është e sigurt që bllokadat dhe protestat studentore e kanë bërë tashmë qeverinë të humbasë pjesën më të madhe të mbështetjes së dikurshme. Konkretisht, proceset e mbështetjes emocionale dhe simbolike ndaj studentëve kanë çuar në një humbje të legjitimitetit të qeverisë. Nga këndvështrimi i organizimit politik, kjo është një risi. Termi “sintezë disjunktive”, i cili nënkupton fragmentimin dhe krijimin e shumëllojshmërisë së dallimeve, me synim rilidhjen e komponenteve të ndara në kombinime dhe kuptime të reja, përshkruan në mënyrë të saktë këtë karakteristikë të protestës.

Këto protesta përfaqësojnë një lëvizje të rinisë dhe në mbështetje të saj, duke simbolizuar një ndryshim radikal brezash dhe një rilindje kombëtare. Për herë të parë pas shumë vitesh, njerëzit në Serbi po shohin një të ardhme për veten e tyre dhe për fëmijët e tyre. Duke pasur parasysh kontekstin global të kërcënimeve në rritje ndaj demokracisë nga regjimet joliberale dhe luftërat, ajo që është veçanërisht interesante është se kjo e ardhme ende konceptohet si demokratike. Megjithatë, ky vizion nuk është imun ndaj zhvillimeve globale, ku vlerat demokratike tashmë perceptohen më shumë si kombëtare sesa universale. Kjo është një formë e re sovraniteti, por gjithashtu edhe e izolimit – që shmang të kuptuarit e mëparshëm të demokracisë si vlerë universale.

Luftë në planin simbolik

Gjatë protestave dhe marshimeve të gjata rraskapitëse, duke përshkuar qindra kilometra nëpër thuajse gjithë Serbinë – deri në atë pikë sa qytetet e tyre të origjinës nuk dallohej më cilat ishin – studentët ngritën flamuj shtetërorë, kënduan himnin kombëtar dhe mbanin me vete kopje të kushtetutës.

Studentët përqafuan simbolet kombëtare, i rikthyen për vete dhe në mënyrë efektive ua “rrëmbyen” ato qeverisë. Ishin ata, dhe jo regjimi aktual, që organizuan festimin e vërtetë të Ditës së Pavarësisë në Kragujevac, kryeqyteti i parë i Serbisë. Në këtë kontekst, demagogjia e qeverisë – e cila e portretizon veten si mbrojtëse e interesave shtetërore dhe kombëtare serbe – del e pafuqishme. Duke marrë në dorë këto simbole, studentët, në njëfarë mënyre, po përvetësojnë vetë shtetin, që synojnë ta shpëtojnë nga qeveria e korruptuar.

Protestat studentore në Serbi kanë marrë mbështetje nga shumë njerëz në ish-republikat jugosllave, të cilët besojnë se këto protesta mund të lindin një Serbi tjetër – jo-hegjemoniste dhe paqësore. Është domethënëse që askush prej tyre nuk i referohet Jugosllavisë, projektit socialist emancipues që përfundoi me luftëra të përgjakshme të udhëhequra, në pjesën më të madhe, nga Serbia. Prandaj, është pothuajse e pabesueshme që sot, ndërsa mbështesin studentët, kroatët i referohen atyre si “serbët tanë”, ndërsa boshnjakët që jetojnë në Serbi – dikur ndër viktimat më të mëdha të luftërave – për herë të parë ndihen si qytetarë të barabartë.

Një episod i fundit na çarmatosi të gjithëve: një bllokadë e radiotelevizionit shtetëror u organizua gjatë festës së Pashkëve. Për të mbajtur bllokadën dhe njëkohësisht lejuar studentët ortodoksë të festonin me familjet, ata u zëvendësuan nga studentë boshnjakë nga Novi Pazari. Dhe nuk përfundoi me kaq: me atë rast, një veteran i ushtrisë serbe nga luftërat e viteve ’90 përshëndeti asamblenë e bllokadës me fjalët “Selam alejkum”, duke u siguruar prindërve të studentëve boshnjakë se do t’i mbronin, sepse të gjithë studentët ishin “fëmijët e tyre”.

Pa dyshim, diçka po ndryshon në lidhje me nacionalizmin, forcë që është ushqyer nga të gjitha regjimet pas-Jugosllavisë. Duket se qytetarët e këtyre vendeve po ndihen gjithnjë e më pak të kërcënuar, edhe kur studentët në Serbi, gjatë marshimeve të tyre, mbajnë jo vetëm flamuj shtetërorë por edhe ikona ortodokse, kryqe dhe simbole të tjera nën të cilat Serbia ka luftuar në vitet ’90.

Megjithatë, qytetarët që kanë qenë aktivë në politikat e paqes dhe kundër luftës, shprehin ende shqetësim. Ata kanë frikë se kjo simbolikë tregon se parimi udhëheqës i “së vërtetës, përgjegjësisë dhe pajtimit” ndoshta nuk do të vendosë kurrë rrënjë të vërteta. Studentët vetë ndiejnë se përballja me të kaluarën e luftës është një barrë shumë e rëndë për ta – duke qenë se as nuk ishin gjallë gjatë viteve ’90. Qartësisht, shqetësimi i tyre kryesor është e tashmja. Kështu, kur ata deklarojnë respekt për kushtetutën, pohojnë gjithashtu respektin për preambulën e saj, e cila pretendon se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë.

Të gjitha këto janë pyetje dhe probleme për të cilat do të duhen zgjidhje – me më shumë besim sesa çfarë kishte e kaluara e traumatizuar. Lufta në Kosovë, humbjet masive njerëzore dhe krimet e kryera, dhe sidomos lufta shqiptare për vetëvendosje dhe pavarësi janë çështje politike të së tashmes së ardhshme. Shpresohet që studentët të zgjedhin politika që nuk do t’i përçajnë, të paktën derisa të arrijnë qëllimin e tyre. Këtë qëndrim e mbështet edhe opinioni publik konservator-nacionalist, i cili beson se Vuçiç e ka tradhtuar Kosovën dhe ka kapitulluar ndaj pavarësisë së saj – një ndjenjë me të cilën këta të rinj tani duhet të përballen./ Përkthyer nga Eurozine.com

Të këshilluara

Spaçi, Krimi që nuk restaurohet!

“Unë kam bërë një skenar filmi me kërkesë të regjisorit Namik Ajazi. Ndodh rrallë në botë që dy autorë të burgosur bëjnë një film, regjisori dhe skenaristi. I ë...

18:39

Pse po largohem nga Lëvizja Bashkë...

Pjesa e parë e këtij shkrimi është një përmbledhje e shkurtër historike e Organizatës Politike, Lëvizjes “Universiteti në Rrezik” dhe Lëvizjes “Për Universiteti...

12:56

Një analizë për këngën "Zjerm"...

Eurovision 2025... pse kënga e Shqipërisë është një kryevepër e vërtetë e paparë më parë. Ka këngë që dëgjohen. Dhe pastaj ka këngë që jetohen. Që të hyjn...

22:55

Si (nuk) po e mbrojnë shqiptarët Malin e Zi

Nga Veton Surroi Ulqinakët janë ngritur kundër “dubaizimit”, procese çfarë po kalojnë Serbia e Shqipëria me kontrata të nënshkruara nga pushtete që janë larg...

18:01

Fushatë me këngë e valle!

Hapja e fushatës së Partisë Socialiste kishte shumë muzikë e valle edhe aspak mesazhe edhe ide politike. Ka disa arsye për ketë ! Së pari në Shqipëri kënga d...

17:11

Pse befasohemi nga dhuna

Dhunë në familje, dhunë në shkollë, dhunë në rrugë, në punë, në çdo skutë të shoqërisë. Dhunë fizike, psikologjike, verbale dhe institucionale. Jemi bërë spe...

18:54

Një blasfemi me emrin Nënë Tereza

Një kopsht Eden sa 23 aparate EMCO që të shpëtojnë jetën nga kolapsi i zemrës dhe mushkërive. Po ky kopsht? Sa tre aparatura PET-CT që zbulojnë tumorin dhe kanc...

01:08

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI