Bota po përballet me një krizë pabarazie, e cila mund të sjellë lindjen e trilionerëve të parë, ndërsa gati gjysma e njerëzimit vazhdon të mbetet në varfëri, paralajmëron një grup prej 40 ish-presidentësh dhe ish-kryeministrash të vendeve të ndryshme.
Letra e parë nga “The Guardian” – ku përfshihet edhe ish-kryeministri britanik Gordon Brown – bën një apel të përbashkët drejtuar liderëve aktualë botërorë për krijimin e një “koalicioni të ri ekonomik” për të adresuar kërcënimet gjithnjë e më të mëdha të pabarazisë, varfërisë dhe degradimit mjedisor.
Ish-liderët dënojnë gjithashtu “unilateralizmin e ngushtë” dhe modelin ekonomik të vitit 1944, që e quajnë të “tejkaluar”, ndërsa bëjnë thirrje për një lehtësim të gjerë të borxhit, bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e taksave dhe reformimin e institucioneve si Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Letra është organizuar nga “Club de Madrid”, forumi më i madh në botë i ish-krerëve demokratikë të shtetit dhe të qeverive, me mbështetjen e Oxfam dhe Aleancës së Barnave për Popujt (People’s Medicines Alliance).
Firmëtarët përfshijnë Gordon Brown; Helen Clark të Zelandës së Re; Jose Luis Rodríguez Zapatero të Spanjës; Carlos Alvarado Quesada të Kosta Rikës; Aminata Touré të Senegalit; Sanna Marin të Finlandës; si dhe fituesit e çmimit Nobel për Paqe, José Ramos-Horta – presidenti aktual i Timor-Leste – dhe Óscar Arias, ish-president i Kosta Rikës.
Ndërhyrja e tyre, e rrallë në skenën ndërkombëtare, vjen në një moment pasigurie të thellë globale, me demokracitë në tërheqje, rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla në rënie, dhe dhunën në rritje. Analistja e politikave Fiona Hill ka argumentuar se një luftë e tretë botërore është tashmë në zhvillim e sipër.

Donald Trump ka vazhduar të sfidojë konsensusin e pasluftës, duke tërhequr SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për klimën dhe, me ndihmën e sipërmarrësit të teknologjisë Elon Musk, ka mbyllur agjencinë amerikane për zhvillim USAID. Sipas një raporti, Musk pritet të bëhet trilioneri i parë në botë deri në vitin 2027.
“Paqëndrueshmëria sundon botën tonë sot,” thuhet në letër. “Pabarazia po përhapet mes kombeve. Trilionerët mund të shfaqen këtë dekadë, ndërsa afërsisht gjysma e njerëzimit jeton në varfëri. 3.3 miliardë njerëz jetojnë në vende që shpenzojnë më shumë për interesat e borxhit sovran sesa për arsimin ose shëndetësinë.Shkatërrimi klimatik po ecën më shpejt se tranzicioni i gjelbër. Në shumë vende, fëmijët po varrosen nën agresionin e shteteve, teksa çdo ndjenjë e një rendi të bazuar në rregulla po zëvendësohet në mënyrë të dhunshme nga një rend i bazuar në forcë. Multilateralizmi që doli nga dy Luftërat Botërore për të zgjidhur problemet globale është në kaos. Problemet globale që kërkojnë zgjidhje globale dhe që nuk mund të zgjidhen nga shtetet individualisht, mbeten të paadresuara.”
Ish-liderët paralajmërojnë se bota po dështon në bashkëpunimin shumëpalësh dhe në financimin e ndihmës për zhvillim global, gjë që po çon në më shumë varfëri, sëmundje, analfabetizëm dhe probleme mjedisore.
Në atë që disa vëzhgues mund ta interpretojnë si një thumb ndaj Trump-it, i cili ka sulmuar organizata si NATO, Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, letra thotë: “I vetëm, asnjë shtet – dhe populli i tij – nuk mund të jetë i mbrojtur kur një tjetër zgjedh unilateralizmin e ngushtë përpara çdo gjëje tjetër. Na duhet bashkëpunim ndërkombëtar, i ridizajnuar për epokën tonë.”
Megjithë këtë panoramë të zymtë, ish-liderët shprehin optimizëm se “është e mundur një kthesë e fuqishme” dhe bëjnë thirrje për “një koalicion të ri ekonomik të përbërë nga vende që bashkëpunojnë – për të luftuar pabarazinë ekstreme, për të zhdukur varfërinë dhe për të përmbushur të drejtat njerëzore. Një koalicion që mbështetet në vlerat e solidaritetit dhe sovranitetit.”
Ata theksojnë: “Ekzistojnë triliona dollarë për të financuar zhvillimin – por shumë nga këto para publike janë kapur nga pushteti privat.” Duke dënuar “shkurtimet që rrjedhin nga vendet e pasura”, ata argumentojnë për rikthimin e ndihmës për zhvillim dhe vendosjen e taksave minimale globale mbi fitimet e korporatave multinacionale.
Grupi i 40 ish-presidentëve dhe kryeministrave identifikon Konferencën e Katërt Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit që do të mbahet në Sevilje të Spanjës, samitin e G20-s në Afrikën e Jugut dhe COP30 në Brazil si mundësi kyçe për të avancuar këtë agjendë.
Sa para kanë shqiptarët në bankë?

Në mungesë të statistikave zyrtare që matin drejtpërdrejt pabarazinë në pasuri apo konsum, të dhënat e shpërndarjes së depozitave bankare japin një tregues të qartë dhe tronditës për thellimin e hendekut mes shtresave të pasura dhe pjesës tjetër të shoqërisë shqiptare.
Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2024, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, në vend janë aktive rreth 1.84 milionë llogari bankare individuale. Por shifrat pas këtij totali flasin qartë: rreth 93% e këtyre llogarive i përkasin qytetarëve të zakonshëm dhe përmbajnë mesatarisht vetëm 312 mijë lekë (rreth 3100 euro), një shumë modeste që nuk mjafton as për një blerje të thjeshtë pasurie apo një krizë të papritur shëndetësore.
Në anën tjetër, vetëm 7% e llogarive, ose rreth 126 mijë llogari, mbajnë mesatarisht nga 5.9 milionë lekë secila (afërsisht 59 mijë euro). Kjo kategori përfaqëson shtresën e sipërme të depozituesve, të cilët mbajnë në dorë 7.4 miliardë euro, ose 58% të gjithë kursimeve individuale në sistemin bankar shqiptar. Ndërkohë, pjesa tjetër e popullsisë zotëron vetëm 5.34 miliardë euro, apo 42% të totalit të depozitave.
Ky disproporcion dramatik, i zbuluar për shkak të mënyrës sesi Agjencia e Sigurimit të Depozitave ndan llogaritë në bazë të shumës së garantuar – deri në 2.5 milionë lekë (që garantohen 100%) dhe mbi këtë vlerë (që garantohen pjesërisht) – ofron një fotografi domethënëse të asaj që mund të quhet “arkitektura e pasurisë në hije” në Shqipëri. Një strukturë ku pak llogari përmbajnë shumicën e parasë, ndërsa pjesa tjetër ndan thërrimet.
Për më tepër, kjo ndarje nuk është krejtësisht e saktë në nivel individësh, pasi një person mund të ketë më shumë se një llogari bankare. Kjo do të thotë se numri real i njerëzve që zotërojnë depozita mbi kufirin prej 2.5 milionë lekësh është edhe më i vogël se 126 mijë, duke thelluar edhe më tej kontrastin.
Për të pasurit, depozitat janë vetëm një element – të tjerat janë prona të paluajtshme, asete jashtë sistemit bankar, investime të paregjistruara. Por për pjesën tjetër të shoqërisë, ato janë pasqyrimi më i drejtpërdrejtë i gjendjes financiare dhe mundësive të jetesës. Dhe kur 93% e njerëzve mbajnë në llogari mesatarisht sa një rrogë minimale tremujore, ndërsa 7% kontrollojnë mbi gjysmën e parasë në qarkullim, pyetja nuk është më nëse kemi një krizë pabarazie, por: Sa e thellë është ajo?