Kanë qenë 5 presidentë që janë përballur me këtë vendim: Të përdorin apo jo forcën ushtarake ndaj Iranit. Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Joe Biden dhe Donald Trump. Ky i fundit është tashmë i vetmi president që përfundimisht vendosi të ndërmarrë veprime ushtarake dhe kjo (pavarësisht se si do të shkojnë gjërat në ditët në vijim) do të jetë një pjesë thelbësore e trashëgimisë së tij politike.
Imazhet e shpërndara nga “Dhoma e Situatave” gjatë sulmit ndaj Iranit, si ato të Barack Obamës kur ai shihte bastisjen ndaj kompleksit të Osama bin Laden në maj 2011 ose George W. Bush i cili në vitin 2003 dha urdhrin për të filluar luftën në Irak, do të mbeten në Histori. Ndryshe nga koha kur Trump urdhëroi sulmin për të vrarë Qassem Soleimani, krahun e djathtë të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, mbrëmë ai mbante një kapelë "Make America Great Again".

Imazhet e publikuara nga Shtëpia e Bardhë, ofrojnë mundësinë e rrallë për të parë “Dhomën e Situatave” në atë moment, e njohur edhe si “Dhoma JFK”, sepse u ndërtua gjatë presidencës së Kennedy-t.
Në njërën nga pamjet, Donald Trump, i rrethuar nga ministrat e tij, shikon me padurim përpara, duke monitoruar në ekran misionin kundër tre bazave iraniane të pasurimit të uraniumit. Trump nuk është gjithmonë i palëvizshëm. Në një foto tjetër ai qëndron pranë shefit të tij të stafit, Dan Caine i cili po i thotë diçka Susie Wiles, e cila është shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Ka shishe uji gjysmë të zbrazëta në tavolinë, shënjues, një dosje të trashë përpara gjeneralit.

Zv.presidenti J.D. Vance dhe Sekretari i Shtetit Rubio janë ulur më afër Trumpit, ndoshta një shenjë e ndikimit të tyre, shefi i CIA-s John Ratcliffe shikon me duart e kapura përpara tij dhe Tulsi Gabbard - drejtore e inteligjencës kombëtare me të cilën Trump ka pasur mosmarrëveshje për Iranin - nuk është në fotografi, ndërsa zëvendësshefi i shtabit i kudondodhur Dan Scavino dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë David Warrington, i cili ngrihet për t'i pëshpëritur diçka në vesh kreut të Pentagonit, lëvizin në sfond.

Dan "Razin" Caine, shefi i shtabit të forcave të armatosura, një gjeneral në pension, ish-pilot i avionëve F16, i emëruar nga Trump për këtë rol është protagonisti i këtyre pamjeve së bashku me presidentin. Ai mund të shihet duke u shpjeguar sulmin të pranishmëve, madje edhe me gjeste. Trump e lavdëroi atë në mënyrë të qartë më vonë kur u tha amerikanëve në TV se tani zgjedhja i takon Iranit dhe nëse bën zgjedhjen e gabuar, amerikanët do të vazhdojnë të sulmojnë.

Marrëdhënia e Trump me Caine filloi gjatë një udhëtimi në Irak në vitin 2018. Siç tha Trump disa muaj më parë në konferencën konservatore, presidenti e kishte pyetur gjeneralin pse të gjithë po i thoshin se do të duheshin edhe 2 vjet për të përfunduar luftën kundër Shtetit Islamik. Caine u përgjigj se kjo mund të bëhej vetëm brenda një jave. "Ne po i godasim ata nga një bazë e përkohshme në Siri" - i tha ai, sipas Trump.

"Por nëse jepni leje, ne mund t'i godasim ata nga pas, nga anash, nga kudo, zotëri. Ata nuk do ta dinë se çfarë i goditi”. Trump e quajti atë "një gjeneral të vërtetë, jo një gjeneral televiziv". Fjalë që ilustrojnë gjithashtu se si presidenti më shfaqur ndonjëherë në televizion në historinë amerikane e sheh forcën ushtarake.
Nuk ishte zgjedhja që disa nga kampi i MAGA-s kishin shpresuar, e cila për ditë të tëra ka argumentuar se ndërhyrja në Iran nuk pasqyron doktrinën e Trump "Amerika e Para". Kapelja MAGA e Trump në “Dhomën e Situatave”, megjithatë, përforcon një mesazh që presidenti kishte komunikuar në një intervistë javën e kaluar me “Atlantic”: "Amerika e Para" do të thotë çfarëdo që thotë ai.
“Duke pasur parasysh se unë jam personi që shpiku “Amerika e Para” dhe duke pasur parasysh se termi nuk u përdor derisa unë e vura në jetë, unë vendos për këtë. Për ata që thonë se duan paqe: “Nuk mund të kesh paqe nëse Irani ka një armë bërthamore. Për ata që nuk duan të kenë asnjë lidhje me situatën nëse Irani ka një armë bërthamore: Kjo nuk është paqe.”

Shumica e atyre që nuk donin një ndërhyrje u rreshtuan me presidentin pas sulmit, duke theksuar se ishte një veprim i synuar dhe i kufizuar. “Irani nuk i la Presidentit Trump zgjidhje tjetër”, - tha aktivisti Charlie Kirk, një nga zërat më të rinj të lëvizjes MAGA dhe një kritik i skifterëve të Partisë Republikane. Ish-kongresmeni Matt Gaetz, të cilin Trump e kishte zgjedhur si ministër i Drejtësisë, krahasoi bombardimet e natës së kaluar me bastisjen që vrau Soleimanin: "Asnjë luftë për ndryshim regjimi. Trump është një ndërmjetës paqeje!"
LEXO EDHE: Dalin pamjet satelitore/ Shikoni fabrikat nukelare iraniane pas sulmit nga SHBA
Në Kongres, midis republikanëve më entuziastë është senatori Lindsay Graham i Karolinës së Jugut: "Është zgjedhja e duhur, regjimi e meriton." Edhe midis republikanëve që kishin shprehur dyshime për goditjen ndaj Fordow, siç është senatori Tim Sheehy i Montanës, presidenti u lavdërua: "Ai mori vendimin e duhur. Kritikëve u them: “Kjo nuk fillon një luftë, por po i jep fund asaj. Irani ka qenë në luftë me Shtetet e Bashkuara për 46 vjet, populli iranian duhet të ngrihet dhe t'i japë fund këtij regjimi vrasës."
Steve Bannon drejtoi një program special të drejtpërdrejtë gjatë gjithë natës në programin e tij “War Room”, në të cilin foli për rreziqet e një lufte të tretë botërore. "Ky është veprimi më i madh dhe më i guximshëm i mandatit të parë ose të dytë të Trump," tha ai, por e këshilloi presidentin të mos rrëmbehej nga skifterët "në një mënyrë që mbingarkonte të gjithë presidencën e tij" dhe qëllimet e “Amerikës e Para”.
"Është një zgjedhje e Abraham Lincoln sepse tani je pjesë e kësaj lufte, dhe edhe nëse thua se është e kufizuar dhe nuk do të bësh ndryshim regjimi, do të jetë nën presion" – tha ai. ©Përgatiti në shqip LAPSI.al