Flash

Ç'do ndodhë me Iranin pas bombave

Lapsi.al 19 June 2025
Ç'do ndodhë me Iranin pas bombave

Në prag të luftës së Gjirit në vitin 1991, një gazetar televiziv e pyeti komandantin amerikan Norman Schwarzkopf nëse do ta rrëzonte Saddam Husseinin.  Norman u përgjigj me një shprehje të paharrueshme: “E lehtë për t’u thënë. E vështirë për t’u bërë.”

Schwarzkopf e dinte se për çfarë po fliste. Ai ishte një studiues i hershëm i Lindjes së Mesme – disa nga vitet e fëmijërisë i kishte kaluar në Teheran – si dhe i historisë ushtarake. Strategjia e tij e suksesshme për të mposhtur Sadamin në Kuvajt u frymëzua nga taktikat që përdori gjenerali kartagjenas Hanibal për të mundur romakët në betejën e Kannave në vitin 216 para erës sonë.

Ndryshimi i regjimit, që tani po përmendet gjithnjë e më shpesh për Iranin, është mishërimi i politikës “lehtë për t’u thënë, vështirë për t’u bërë”. Bota padyshim do të ishte një vend më i mirë pa regjime shtypëse dhe agresive si ai i Teheranit. Por nuk ka ndonjë levë që mund të tërhiqet lehtë, as ndonjë buton që mund të shtypet kollaj për të zëvendësuar tiraninë e qëndrueshme me lumturi të qëndrueshme. Të shkatërrosh nuk është njësoj si të rindërtosh.

Në vend të kësaj, “ndryshimi i regjimit” është një frazë që shpesh fsheh një shumëllojshmëri problemesh dhe mjerimesh të përhershme, të cilat në shumicën e rasteve i përjetojnë më rëndë njerëzit e thjeshtë. Në Perëndim, qeveritë moderne dhe publiku e kanë mësuar këtë mësim në mënyrën më të mundimshme. Pushtimi i Afganistanit në 2001 dhe lufta e Irakut në 2003 vazhdojnë ende të ndikojnë në politikën tonë. Rezultatet kaotike të së ashtuquajturës Pranverë Arabe në vitet 2010-2011 janë një monument i zymtë i të njëjtit naivitet.

Megjithatë, dëshira për t’u çliruar nga regjimi teokratik iranian është e drejtë. Irani është një nga vendet më shtypëse në botë. Arrestimet dhe gjyqet janë arbitrare. Tortura – përfshirë fshikullimet me kamzhik – është e zakonshme. Ekzekutimet janë të shpeshta. Shtypja e grave, e pakicave dhe e emigrantëve është e institucionalizuar. Aktiviteti politik dhe shprehja e lirë janë pothuajse të pamundura.

Dhe ligësia e këtij regjimi nuk prek vetëm iranianët. Republika Islamike e ka eksportuar autoritarizmin e saj për vite me radhë, përmes përfaqësuesve si Hamas në Palestinë, Hezbollahu në Liban, dhe tani duke furnizuar Rusinë në Ukrainë. Ajo ka financuar dhe mbështetur terrorizmin në Perëndim. Dëshira e saj për armë bërthamore – me të cilat do të kërcënonte Izraelin, të cilin synon ta shkatërrojë – është e pamëshirshme.

Pra, nëse jepet mundësia, pse të mos përpiqemi ta zëvendësojmë një regjim të tillë? Çfarë ka për të mos u mbështetur në rrëzimin e tij – veçanërisht tani që Hamas, Hezbollahu dhe Huthit e Jemenit janë në tërheqje ushtarake dhe vendi ndjen ndikimin e sanksioneve ndërkombëtare? Ditët e para të sulmit të urdhëruar nga Benjamin Netanyahu mbi Iranin duket sikur i kanë shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturës bërthamore dhe ushtarake të regjimit dhe kanë nxjerrë në pah kufizimet e Iranit për t’u mbrojtur. Pra nëse jo tani, kur do ishte momenti?

Tundimi është real. Në politikë, si në luftë, guximi për të kapur momentin mund të jetë vendimtar. Bismark e konsideronte këtë si një nga provat përfundimtare të lidershipit, dhe e demonstroi me mjeshtëri. Edhe Shekspiri në Jul Çezari shprehet: “Ka një valë në jetët e njerëzve që, kur kapet në kulmin e saj, të çon drejt fatit”. Por, mos harroni, çfarë ndodhi me Kasin në fund: ai humbi.

Gjithsesi, rrëzimi i regjimit iranian do të hiqte një kërcënim ndërkombëtar – veçanërisht për Izraelin, por edhe për vendet e tjera të rrënuara nga përfaqësuesit iranianë. Do të vononte përhapjen bërthamore. Do të godiste terrorizmin. Do të ishte lajm i keq për Rusinë, e cila po konsumon një sasi të madhe armësh iraniane, përfshirë dronë. Do të ishte një rreze shprese për Ukrainën. Lirimi i rrugëve tregtare ndërkombëtare do të qe i jashtëzakonshëm. Çmimet e mallrave mund të binin ndjeshëm.

Prandaj, nuk është e drejtë të hidhen poshtë krejt këto argumente – qoftë edhe për shkakun se Netanyahu është në favor të tyre, apo për të përligjur zemërimin ndaj ofensivave të tmerrshme të Izraelit në Gaza. Po ashtu, do të ishte e gabuar të kundërshtohet ndryshimi i regjimit iranian vetëm sepse në një moment kjo ide mund të përqafohet më vonë nga Donald Trump, me gjithë paparashikueshmërinë e tij. Një armik i Trump nuk është automatikisht miku ynë.

Por ka arsye më të thella për kujdes. E para: shkatërrimi i regjimit nuk garanton ndryshim të suksesshëm të tij. Është e mundur që Izraeli, me ose pa mbështetjen ushtarake të drejtpërdrejtë të Trump, të shkaktojë mjaft dëme sa të paralizojë funksionimin e regjimit iranian. Por çfarë do të ndodhë më pas? As Izraeli, as SHBA nuk kanë ndërmend të pushtojnë Iranin e aq më pak mendojnë për ta qeverisur atë. Mësimet e Afganistanit, Irakut dhe Libisë janë ende të freskëta. Teherani nuk është Berlini i vitit 1945.

Në fjalimin e tij drejtuar iranianëve këtë javë, Netanyahu tha se ata duhet të formësojnë Iranin e ri. “Po ju hapim rrugën për të arritur qëllimin tuaj – që është liria,” u tha atyre. Por m, nga ana tjetër, nuk duket se ka ndonjë qeveri të gatshme për të marrë frenat. Një regjim i promovuar nga Izraeli do ta kishte shumë të vështirë të mbijetonte. Një regjim i mbështetur nga SHBA, që do të lejonte Trumpin dhe aleatët e tij të plaçkitnin vendin, nuk do të ishte aspak popullor. Opozita ndaj regjimit teokratik mund të jetë e përhapur, siç pretendon Netanyahu me 80%, por aktualisht është e shpërndarë, e paorganizuar dhe e përçarë.

Një Iran i mundur do të ishte ende një shtet i madh, krenar dhe me rëndësi gjeopolitike. I pasur me burime natyrore, superfuqi energjetike, dhe ende i armatosur mirë. Përzierja e tij etnike dhe fetare do të kërkonte më shumë të drejta. Nga ana tjetër besnikët e regjimit të vjetër do të ishin gjithandej, sidomos në forcat e armatosura dhe polici. Këto janë përbërës për një shpërthim të paqëndrueshmërisë qytetare që mund të zgjasë me vite.

Mos harroni: Irani mbetet një regjim revolucionar. Pushtetarët që vijnë në fuqi duke përmbysur tërësisht paraardhësit e tyre, siç ndodhi në 1979, mund të shndërrohen në regjime paranojake. Ata mund të mos dorëzohen kurrë, siç insistoi vetë Ajatollah Khamenei të mërkurën. 

Historia na mëson se ndryshimi i regjimeve revolucionare është veçanërisht i ndërlikuar. Regjimet e përmbysura mund të kenë qenë të vështira për t’u krijuar, por ato që i zëvendësojnë nuk e kanë më lehtë. Mendoni për Francën në 1815 apo Rusinë në 1991. Gjermania u shpëtua nga gremina e nazizmit përmes marrëveshjes ndërkombëtare, ndihmës ekonomike nga SHBA, pushtimit ushtarak dhe kompromisëve pragmatikë me institucionet gjermane. Rezultati ishte një triumf kolektiv – por një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë.

Asgjë e ngjashme nuk është në horizont për Iranin. Prandaj kujdes me çfarë dëshironi.

Nga Martin Kettle kolumnist në The Guardian, pergatiti T.Çela per Lapsi.al

 

Të këshilluara

Kush i shërben “regjimit” Rama?

Në artikullin e tij “Si të dallosh një kriptoramist” kolegu Bushati ofron një manual për të dalluar kriptoramistët, ose ramistët e fshehtë. Janë ata që në publi...

13:03

Si ta zbulosh një kripto Ramist

Tek mitingu i pasfitores në sheshin Skëndërbej Edi Rama lëshoi një urdhëresë, e cila, që prej asaj dite është shndërruar në refrenin e të gjitha studiove televi...

18:59

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI