Yassine Cheuko është truproja e Lionel Messi. Kush nuk e njeh, mund të mbetet i habitur dhe madje paksa i shqetësuar nga prania e tij. Kush e di që është një ish-Navy Seals, pra një ish-ushtar i forcave speciale amerikane i mësuar me stërvitje të lodhshme dhe misione me rrezik të lartë, nuk çuditet aspak se sa i përkushtuar është ndaj detyrës, mjaftueshëm i rreptë sa të qortojë edhe atë që, me shumë edukatë dhe pa shkaktuar shqetësim, bën një foto me kampionin argjentinas. Kjo ndodhi (edhe) me rastin e ndeshjes hapëse të Kupës së Botës për Klube për “fajin” e një fotografie të thjeshtë, ndërsa ylli i Inter Miami ndodhej ende në brendësi të stadiumit dhe po përgatitej të zbriste në fushë.
Kamerat treguan gjithçka. Dhe nëse në një shikim të parë duket sikur nuk ndodh asgjë e veçantë, një sy më i vëmendshëm nuk mund të mos vërë re vigjilencën e “truprojës”. Në tunelin që çon drejt fushës është Alessandro Del Piero që takon “Pleshtin”: të dy ndalojnë për të shkëmbyer disa fjalë, përshëndeten me përzemërsi, përqafohen si shenjë e respektit reciprok. Pas tyre është një figurë që del nga hija dhe bën disa hapa drejt argjentinasit Messi.
Truproja vëren diçka që nuk i pëlqen. Është një person, pothuajse me siguri një anëtar i stafit të Al-Ahly (skuadra që barazoi 0-0 me Inter Miami në ndeshjen hapëse të turneut të FIFA-s), që qëndron vetëm pak metra larg Pinturicchios dhe argjentinasit. I vështron dhe i lind një ide: nxjerr nga xhepi një smartphone dhe shtyp butonin për të ndryshuar drejtimin e kamerës. Kur do t’i jepet më mundësia të ketë në një foto të vetme dy futbollistë të atij niveli? Dhe kur do të jetë më kaq afër Lionel Messi për të rrëmbyer të paktën një klikim të pafajshëm?
Cheuko është aty, gati për të ndërhyrë
Të shfaqet përpara dhe as që e vëren, thuajse del nga asgjëja. Ai stërvitet në mënyrë mbresëlënëse për ta bërë këtë: ka për detyrë të mbrojë kampionin argjentinas nga ndërhyrjet e tifozëve – sidomos atyre që do të ishin të gatshëm të bënin gjithçka për një kujtim me “10-shin”. Në një moment vërehet si shkon drejt personit që i duket i papërshtatshëm. I thotë diçka: e qorton dhe i sugjeron të ndalojë dhe të qëndrojë në vendin e vet. Çfarë mund të ndodhë më pas, nëse nuk respektohen udhëzimet, është e lehtë të imagjinohet… mjafton të rikthehesh pak në kohë për të marrë një ide se si është i gatshëm të bëjë gjithçka, madje edhe vrapime sprinti dhe ndërhyrje të forta, për të mbrojtur figurën e argjentinasit. Një detaj tjetër kurioz. Truproja e Messit është parë në tunel gjatë pushimit të ndeshjes: po shoqëronte Javier Mascherano drejt fushës sikur të ishte një ndihmës i tij, aq sa kishte veshur edhe uniformat e Inter Miami.
Messi e ka punësuar truprojën Cheuko disa vite më parë, me rastin e mbërritjes së tij në Miami. Që prej atëherë, ai e ka ndjekur superyllin argjentinas pothuajse kudo… madje edhe në fushë, gjatë ndeshjeve. Por që nga prilli i kaluar, liga amerikane e futbollit ka vendosur një kufi për këtë situatë, duke marrë kontrollin e plotë të sigurisë në ditët e ndeshjeve dhe duke kufizuar zonën e veprimit të ish-ushtarit të Navy Seals, të cilit i është lejuar hyrja vetëm në dhomat e zhveshjes dhe zonat e përziera.
“Nuk më lejojnë më të jem në fushë – shpjegoi truproja. – Kam punuar në Ligue 1 dhe në Champions League dhe vetëm gjashtë persona kanë bërë ndërhyrje në fushë. Që kur kam ardhur në Amerikë, tashmë 16 persona e kanë bërë këtë në 20 muaj. Këtu ka një problem të madh dhe sigurisht që nuk jam unë”.