“Na mungoi goli i dytë, duhet të ishim më të përqëndruar. Kemi treguar që në shumë ndeshje kemi ndenjur shumë mbrapa, e kemi të vështirë të shënojmë gol. Në pjesën e parë Sylvinho normalisht nuk ishte i lumtur”. Thomas Strakosha ka një lloj kritike për vendosjen taktike të trajnerit Brazilian, edhe pse mundohet të justifikojë përfaqësimin e Shqipërisë. Por ajo kundër Letonisë ishte një ndeshje nën ton dhe pak gjëra ka për ta shpëtuar.
Strakosha, megjithatë, punën e tij e bëri, me pritjen e një penalltie që mund të kishte pasur pasoja të rëndë, nëse do të ishte shënuar. Portieri zbulon edhe bisedën me trajnerin e portierëve Ilir Bozhiqi, me të cilin u filmua të komunikonte pak para se të priste 11 metërshin: “Kemi humbur dy pikë nuk jam shumë i lumtur. Çunat kanë luftuar dhe gjynah. Asnjë nuk e shpjegon dot ecurinë e lojës sonë sonte. Bozhiqi? Më tha mendimin që kishte dhe pastaj ndodhi pritja e penalltisë, më tha të qëndroja në vend të mos hidhesha”.
Nuk duket se dekurajohet Strakosha, që nuk e sheh të përfunduar ëndërrën Botëror: “Asgjë nuk ka mbaruar, duhet të merrnim edhe dy pikë këtu. Duhet të shikojmë veten tonë, të marrim pikët brenda në shtëpi me Letoninë”.
MITAJ: “NUK KAM ÇFARË TË THEM”
“Nuk kam çfarë të them shumë gjë për këtë ndeshje, ishte një ndeshje e fortë me kundërshtar të fortë që u mbrojt gati gjithë lojën. Në pjesën e dytë bëmë shumë raste, por nuk bëmë golin”. Mario Mitaj nuk e fsheh zhgënjimin pas 1-1 me Letoninë.
Mbrojtësi madje mundohet të tregojë edhe çfarë ndodh psikologjikisht me lojtarët, kur nuk zhbllokohet ndeshja: “Të them të drejtë kur shohim që nuk bëjmë golin aq kollaj, duhet të fokusohemi të mos pësojmë. Shpresojmë që në ndeshje të tjera që të vijnë të bëjmë golat e fitojmë”.
Lexo më tej: Shqipëria ngec në Riga: Cernomordijs shënon për të dy ekipet, Strakosha pret penallti
Mitaj pastaj “dribloi” pa shpjeguar, pyetjes se përse në rastin e golit të pësuar Cernomordijs, një gjigant, u markua nga lojtari më i shkurtër I kuqezinjve, Balliu: “Ne e dinim që goditjet standarte i çojnë në shtyllën e dytë, ishte thjesht çështje shpërqendrimi, asgjë tjetër. Ne luajmë në zonë, nuk luajmë një kundër një”, e mbylli Mitaj.
ASLLANI: “NË SHTATOR DUHET SHQIPËRI TJETËR”
“Sigurisht që nuk ka qenë pjesë e parë pozitive. Nuk e di çfarë ka ndodhur, kishim fat se gabuan penalltinë dhe gjetëm golin. Nuk mund të bëhet pjesa e parë kështu sepse e dimë çfarë ëndrre kemi dhe kështu bëhet çdo gjë e vështirë”. Kristjan Asllani, dukshëm i lodhur pas 180’ në harkun e 3 ditëve, nuk mundohet të justifikohet pas barazimit në Riga. Mesfushori e kupton që ka pasoja kjo ndalesë, por shpreson që në shtator gjërt të ndryshojnë: “Të gjitha ndeshjet e vështira. Serbia ka dy ndeshje më pak, jemi në vend të dytë. Çunat do pushojnë, unë do shkoj në Botëror për klube. Më pas në shtator duhet Shqipëri tjetër”.