“A ndihesh i tradhtuar nga dikush apo nga diçka?”. Është pyetja e fundit që iu bë Luciano Spalletti përpara se ky i fundit të largohej nga konferenca për shtyp, pasi kishte njoftuar se ishte shkarkuar nga Gabriele Gravina, Presidenti i FIGC-së. Spalletti bën të qartë se nuk dëshiron të besojë në teori konspirative dhe nuk dëshiron të dëgjojë për tradhti. Por në atë pyetje nuk arrin të përgjigjet ashtu siç do të donte, për shkak të një përzierjeje emocionesh që po përjetonte në atë moment. E kështu përmend vetëm 6 emra përpara se të ngrihej nga vendi dhe të largohej.
“Sepse… e thashë tani… Gravina, Giancarlo, Marco, Mauro, Roberto, Emiliano.” Pas kësaj fjale, Spalletti largohet mes duartrokitjeve nga salla e konferencave, e cila e kuptoi momentin që po kalonte trajneri, pa dyshim i zhgënjyer nga kjo vendim dhe ndoshta nga fakti që nuk ia doli të realizonte synimin e tij. Por kush janë personat për të cilët foli Spalletti, duke i përmendur vetëm me emra? Nëse për Gravina nuk ka nevojë për sqarime, për të tjerët duket se po. Nuk bëhet fjalë për futbollistë apo anëtarë të stafit të tij teknik, por për persona të tjerë që janë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë me Kombëtaren.
"Armiqtë" e FIGC
Bëhet fjalë për persona që punojnë në hije, por që janë thelbësorë për zhvillimin e Italisë, të Federatës dhe të gjithë lëvizjes futbollistike axurre. Spalletti fillon të ndërtojë një arsyetim dhe përmend një sërë personash të afërt me të, përpara se të ndalet dhe të largohet.
I pari pas presidentit Gravina, në krye të FIGC që nga viti 2018, është Giancarlo Viglione. Bëhet fjalë për një avokat, përgjegjës për marrëdhëniet institucionale dhe Zyrën Legjislative të FIGC-së, për të mbështetur drejtuesit më të lartë të federatës në marrëdhëniet me autoritetet institucionale, sportive dhe qeveritare. Një rol vendimtar, strategjik, i besuar nga Gravina njërit prej njerëzve më të afërt dhe më të besuar të tij.
Kush janë personat e tjerë që Spalletti përmendi
Më pas është Marco Brunelli, i cili që nga 18 shkurti 2019 mban funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të FIGC-së. Më parë ka mbajtur disa poste të larta në Lega Serie A, ku ka qenë Administrator i deleguar nga 2018 deri në 2019, Drejtor i Përgjithshëm nga 2010 deri në 2019, dhe Sekretar i Përgjithshëm i atëhershëm i Lega Nazionale Professionisti nga 2004 deri në 2010. Spalletti përmendi më pas Mauro Vladovich, aktualisht sekretar organizativ i Club Italia, i cili ka qenë nga 1994 deri në 2018 gjithashtu sekretar i Kombëtares A.
Ndër ta është edhe Roberto Coramusi, të cilit i është besuar Koordinimi i Marrëdhënieve të Jashtme dhe Ekosistemit Digjital të Komunikimit, drejtpërdrejt nën varësinë e presidentit Gravina. Së fundi, Emiliano Cozzi, që është sekretari i Kombëtares A.