Një natë e tmerrshme për Kievin dhe një mesazh i qartë nga Kremlini: pas një sulmi tronditës të Ukrainës ndaj flotës ajrore ruse, Vladimir Putin kthehet me një nga ofensivat më të mëdha ajrore që nga fillimi i luftës. Mbi 400 dronë dhe dhjetëra raketa godasin kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera, ndërsa Volodymyr Zelenskyy paralajmëron se kush hesht, është bashkëfajtor. Pse Rusia thotë se është në “betejë ekzistenciale” të Rusisë? A do ruhet balanca tani që Trump thotë se ndoshta është më mirë që Ukraina dhe Rusia “të luftojnë edhe pak”?
The Guardian:Rusia nisi një breshëri intensive me raketa dhe dronë ndaj Kievit gjatë natës, pasi Vladimir Putin u zotua të hakmerrej për “Operacionin Rrjeta e Merimangës” të Ukrainës që goditi disa bombardues bërthamorë të Kremlinit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se Rusia kishte lëshuar mbi 400 dronë dhe mbi 40 raketa ndaj Ukrainës, ndërsa kërkoi nga aleatët të rrisin presionin ndaj Kremlinit për t’i dhënë fund luftës. Katër persona u vranë, përfshirë tre punonjës emergjence në Kiev.
“Po të mos ketë presion dhe po të lihet kohë që lufta të marrë më shumë jetë, atëherë jeni bashkëfajtorë dhe përgjegjës,” shkroi Zelenskyy në një postim në rrjetet sociale. “Duhet të veprojmë me vendosmëri.”
Lexo më tej: Operacioni “Rrjeta e Merimangës”/ Si Ukraina goditi në zemër të Rusisë (PAMJET)
Raketat dhe dronët goditën kryeqytetin ukrainas duke shkaktuar zjarre në godina banimi dhe duke detyruar mbylljen e metrosë lokale pasi një tren u godit. Sulmi ishte pjesë e një ofensive kombëtare, një prej më të mëdhave në tre vitet e luftës, me 44 raketa balistike ose jo, dhe 407 dronë të lëshuar. Rreth 50 persona u plagosën në të gjithë vendin.
Zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat, tha se forcat ukrainase rrëzuan rreth 30 nga raketat dhe deri në 200 dronë. Ministria ruse e mbrojtjes e përshkroi sulmin si hakmarrje për atë që quajti “akte terroriste” të Ukrainës ndaj Rusisë. Kremlini e cilësoi pushtimin trevjeçar të Ukrainës si një çështje “ekzistenciale” për Rusinë, një betejë për “të ardhmen e vendit”.
“Për ne është një çështje ekzistenciale, që ka të bëjë me interesin kombëtar, sigurinë, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë,” tha zëdhënësi Dmitry Peskov, në përgjigje të deklaratave të Trump që e krahasonte konfliktin Moskë-Kiev me një zënkë fëmijësh.
Pavarësisht përpjekjeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës, autoritetet në Kiev raportuan tre punonjës emergjence të vrarë dhe 20 persona të plagosur, 16 prej të cilëve të shtruar në spital. “Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në disa vendndodhje,” tha kryetari i bashkisë Vitali Klitschko.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, tre viktimat ishin zjarrfikës që po ndihmonin njerëzit gjatë sulmit. “Ata po punonin nën zjarr për të ndihmuar qytetarët,” thuhej në deklaratë.
Sistemi i transportit nëntokësor të qytetit u pezullua pasi një raketë ruse goditi një tren në lëvizje. Zjarre shpërthyen në banesa në disa lagje. Në Solomianskyi, katet e sipërme të një pallati u dëmtuan rëndë. Më shumë se 2,000 banesa në pjesën lindore të qytetit mbetën pa energji elektrike mëngjesin e së premtes.
Rusia kishte premtuar hakmarrje pas sulmit të së hënës, të quajtur “Rrjeta e Merimangës”, ndaj flotës së saj ajrore. Fillimisht, dy bombardues TU-95MC dhe dy TU-160MC u aktivizuan të enjten në mbrëmje, një numër më i ulët se sa pritej, ndoshta për shkak të mungesës së burimeve pas sulmit të 1 qershorit. Rusia gjithashtu lëshoi raketa Kalibr nga luftanijet në Detin e Zi.
Putin informoi presidentin amerikan Donald Trump në një telefonatë të mërkurën për përgjigjen ndaj sulmit ukrainas që, sipas Kievit, shkatërroi ose dëmtoi 41 avionë. “Ata shkuan thellë në Rusi dhe [Putin] më tha se nuk kemi zgjedhje tjetër veçse të hakmerremi, dhe kjo ndoshta nuk do jetë e bukur,” u tha Trump gazetarëve.
Trump tha gjithashtu se ndoshta është më mirë që Ukraina dhe Rusia “të luftojnë edhe pak” përpara se të synohet paqja. Ukraina dhe Rusia u takuan të hënën në Stamboll për bisedime, pa përparim për një armëpushim, megjithatë të dyja palët raportuan përparim në çështje të tjera si shkëmbimi i trupave dhe të burgosurve.
Sulmi ndaj Kievit nisi me dronët kamikazë rusë dhe zjarrin kundërajror të Ukrainës. Nata u shoqërua me shpërthime të fuqishme. Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, tha se dronët goditën katet e sipërme të një ndërtese të lartë dhe shkaktuan zjarr në lagjen Darnytskyi. Një qendër tregtare në atë zonë raportohet se u përfshi në flakë.
Ai shtoi se një tjetër zjarr shpërtheu në një ndërtesë banimi në një lagje perëndimore, dhe fragmente dronësh u gjetën në tre lagje të ndryshme.
Komisioneri i Ukrainës për të Drejtat e Njeriut, Dmytro Lubinets, kërkoi përgjigje të fortë ndërkombëtare ndaj sulmit rus. “Rusia po vepron si një shtet terrorist, duke goditur sistematikisht infrastrukturën civile,” shkroi ai në Telegram. “Bota duhet të reagojë qartë dhe me hapa konkretë, përfshirë dënimin e agresorit.”
Ndërkohë, në qytetin perëndimor të Ternopilit u raportuan 10 të plagosur, përfshirë pesë punonjës emergjence. Tre persona u plagosën në rajonin qendror të Poltavës pas sulmeve ndaj ndërtesave administrative, magazinave dhe një kafeneje. Sulme pati edhe në rajonin Khmelnytskyi, ku u dëmtuan shtëpi, ndërtesa ndihmëse dhe disa automjete.
Forcat ukrainase rrëzuan tre raketa ruse mbi rajonin perëndimor të Lvivit, sipas guvernatorit Maksym Kozytskyi.
Përgatiti ©LAPSI.AL