Kriza politike në Holandë ka shpërthyer sërish, pas vendimit befasues të liderit të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, për të tërhequr Partinë për Liri (PVV) nga koalicioni qeverisës. Pas më pak se një viti në pushtet, qeveria e formuar pas zgjedhjeve të nëntorit 2023 është përballur me tensione të vazhdueshme, të cilat kulmuan me përplasjet mbi politikat e azilit. Tërheqja e Wilders-it ka futur vendin në pasiguri të thellë politike vetëm pak javë para një samiti të rëndësishëm të NATO-s që pritet të mbahet në Hagë.
Politico:
Bie qeveria në Hollandë. Figura e njohur e ekstremit të djathtë në Holandë, Geert Wilders, njoftoi të martën në mëngjes se partia e tij do të tërhiqet nga qeveria në Hagë, duke futur vendin në krizë politike.
Partia për Liri (PVV) e Wilders-it doli nga koalicioni pas një debati të fortë mbi qëndrimin e qeverisë ndaj azilit.
“Asnjë firmë për planet tona për azilin. Asnjë ndryshim në marrëveshjen e koalicionit. PVV largohet nga qeveria,” shkroi Wilders në X.
Qeveria holandeze, një koalicion mes PVV-së së ekstremit të djathtë, lëvizjes populiste të Fermerëve-Qytetarë (BBB), partisë qendrore Kontrata e Re Shoqërore (NSC) dhe partisë liberale për Liri dhe Demokraci (VVD), kishte planifikuar bisedime urgjente të martën për të diskutuar kërkesat e Wilders-it për masa më të ashpra për azilin.
Wilders kërkonte që partnerët e koalicionit të angazhoheshin menjëherë për
“planin me dhjetë pika” të PVV-së për azilin. Si ai, ashtu edhe partnerët e koalicionit, dyshonin se mund të arrihej ndonjë marrëveshje, dhe ashtu ndodhi.
“PVV-ja u premtoi votuesve politikën më të ashpër ndonjëherë për azilin,” përfshirë një propozim për
“mbylljen e kufijve ndaj azilkërkuesve,” u tha Wilders gazetarëve të martën në mëngjes. Kur partnerët e tij refuzuan të mbështesnin këto plane,
“nuk më mbeti tjetër veçse të them: Ne tërheqim mbështetjen për këtë kabinet,” tha ai.
Wilders deklaroi se i kishte thënë Kryeministrit Dick Schoof se do të tërhiqte ministrat e PVV-së nga qeveria.
Ai shtoi:
“Unë firmosa për politikën më të ashpër për azilin, jo për rënien e Holandës.”
“E papërgjegjshme”
Udhëheqësit e partive të tjera reaguan me zemërim ndaj vendimit të Wilders-it për të rrëzuar qeverinë.
Kryetarja e BBB-së, Caroline van der Plas, e quajti veprimin e Wilders-it
“të papërgjegjshëm.” Ajo shkroi në X:
“Kushdo që ndalet tani, po ia dorëzon Holandën të Majtës në një tabaka argjendi.”
“Shpresonim që ai (Wilders) të kishte një natë të qetë dhe të kishte reflektuar thellë. Por ai erdhi me një njoftim shumë të shkurtër,” tha Nicolien van Vroonhoven nga NSC, duke shtuar:
“Kjo është vërtet e pakuptimtë.”
Kryetarja e VVD-së, Dilan Yeşilgöz, reagoi duke thënë se Wilders
“sërish po vendos interesin personal mbi interesin e vendit, duke ikur, në një moment të pasigurisë së paprecedentë.”
Sipas saj, veprimi i Wilders nuk kishte të bënte realisht me emigracionin.
“Ne tashmë po bënim gjithçka që ishte e mundur. Gjithçka që ishte rënë dakord ishte shtyrë për shkak të rrëmujës së PVV-së.”
E dënuar të dështojë
Qeveria holandeze, e para që përfshinte PVV-në e Wilders-it, ka qenë në detyrë për më pak se një vit, pas muajsh negociatash për formimin e saj pas fitores së befasishme të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e nëntorit 2023.
Schoof, një burokrat karriere, u zgjodh kryeministër në këtë koalicion të djathtë.
Por nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë për Schoof apo qeverinë, me Wilders-in që e ka kritikuar vazhdimisht kryeministrin dhe qeverinë në parlament. Ai ka shprehur pakënaqësi për premtimin e Schoof në Bruksel për mbështetjen e Holandës për Ukrainën dhe për kërkesën e Ministrit të Jashtëm Caspar Veldkamp drejtuar BE-së për të rishikuar marrëveshjen e asociimit me Izraelin.
“Nëse nuk do të ndodhte sot, do të ndodhte në javët e ardhshme,” tha Rob Jetten, kryetar i partisë liberale D66. Ai kritikoi qeverinë për mungesën e vendimmarrjes dhe për shumë
“grindje dhe kriza”, duke thënë se partitë e tjera të koalicionit ishin marrë “
peng” nga Wilders.
Rënia e qeverisë ndodh vetëm pak javë para një samiti vendimtar të NATO-s që do të mbahet në Hagë, ku pritet të rritet ndjeshëm shpenzimi për mbrojtjen.
Çfarë ndodh tani?
Ministrat po mblidhen të martën për të vendosur hapat e ardhshëm, megjithëse supozimi është se kryeministri do të dorëzojë dorëheqjen e kabinetit.
Zgjedhje të reja mund të përmbysin peizazhin politik të Holandës. Dy partitë e qeverisë, BBB dhe NSC, ishin fituese të mëdha në zgjedhjet e nëntorit 2023, por që atëherë kanë rënë ndjeshëm në sondazhe. Sipas sondazhit të POLITICO, të dyja janë aktualisht vetëm me 1 përqind.
Edhe PVV-ja e Wilders ka rënë në sondazhe në krahasim me rezultatin e nëntorit, por mbetet ende, me pak diferencë, forca e parë.
Aleanca Laburistët-Të Gjelbrit e udhëhequr nga ish-Komisioneri Frans Timmermans dhe partia liberale VVD kanë fituar popullaritet që nga zgjedhjet e 2023 dhe janë shumë pranë PVV-së.
Timmermans, siç pritej, tha se dëshiron zgjedhje
“sa më shpejt të jetë e mundur.” Ai përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me partitë ekzistuese të koalicionit:
“Me këto parti në formën aktuale, nuk është e mundur të formohet një qeveri kombëtare e qëndrueshme,” tha ai.
Përshtati
©LAPSI.AL