Flash

Çfarë po “gatuan” Luis Enrique për të sfiduar Inter: një vorbull futbolli hiperteknik

Lapsi.al 30 May 2025
Çfarë po “gatuan” Luis Enrique për të sfiduar

Çfarë ka qenë dhe çfarë është sot Luis Enrique si trajner? Kjo është një pyetje themelore për ndeshjen që do të duhet të përballojë Inter, sepse përpjekja për të zbuluar misterin Luis Enrique mund të jetë hapi i parë për të fituar Champions League.

Ngjitja në karrierë: e nisi si Guardiola

Në vitin 2008, praktikisht në të njëjtën ditë kur Guardiola kaloi nga Barcelona B në skuadrën që do të ndryshonte historinë e futbollit, Luis Enrique mori vendin e tij. Ky kalim stafetash kishte një qëllim shumë të qartë, të paktën për ata që nga jashtë vëzhgonin, madje admironin procesin: ndërsa Guardiola shkonte për të ndërtuar skuadrën e mrekullive, ku mbrojtja e portës kalonte përmes zotërimit të topit (ky ishte revolucionari i vërtetë, i pabesueshëm), Luis Enrique duhej të bënte nga njëra anë nxënësin në punishte, duke mësuar “zanatin”, dhe nga ana tjetër trajnerin në një fabrikë përgatitjeje, për të vazhduar të furnizonte shtëpinë mëmë me talente.

Që në një situatë të tillë ai në të vërtetë bëri diçka më shumë, sepse fillimisht arriti në Segunda División dhe më pas në playoff për tu ngjitur në La Liga, që natyrisht nuk mund ta zhvillonte sepse në kategorinë e sipërme ishte tashmë skuadra A, por që megjithatë është rezultati maksimal për skuadrën satelitë të blaugranave. Me etiketën si “Guardiola potencial” apo në version të vogël, zgjidhni ju, ai shkoi në Romë dhe aty nisi vallëzimi. Drejtuesit verdhekuq në atë kohë bënë një ekuacion shumë amerikan: futbollin më të mirë të ditëve të sotme e bën Guardiola, djali i parë taktik i tij është Luis Enrique, ta marrim.

Nga Roma në Barcelonë

Gjërat në Serie A nuk ishin ekzaktësisht ekzaltuese, për arsyet nga më të ndryshme. E pas një viti absurd, Luis Enrique rikthehet në hispanidad me Celta Vigo dhe në vitin 2014 mbërriti aty ku duhej të mbërrinte: në Barcelonë.

Ideja e të gjithëve ishte që pas Tito Villanova, i detyruar të largohej për shkak të sëmundjes, dhe pas parantezës shumë “mesiane” të argjentinasit Gerardo Martino, Luis Enrique do të duhej të rinxirrte në pah guardiolizmin në pastërtinë e tij thuajse absolute. Por si të rindërtohej skuadra e Guardiolës me Xavi e Iniesta ende gjigantë por me një marsh më pak, me një qendërsulmues të mirëfilltë, Luis Suárez, në vend të hapësirës dhe mbi të gjitha me Messi dhe Neymar pak të gatshëm për t’u angazhuar pa top? Përballë kësaj situate, edhe për të mos përsëritur atë që kishte ndodhur në Romë, Luis Enrique arriti të ndryshojë drejtim me 180°, duke mbajtur parimet e lojës së pozicionit, por duke kërkuar më pak në zbatueshmëri dhe shumë në krijimtari nga tre tenorët e tij ofensivë. Falë kësaj fleksibiliteti, trajneri fiton gjithçka, me një Tripletë gjatë sezonit të tij të parë.

Kombëtarja e humbja e së bijës

Kur cikli përfundoi, Luis Enrique bëri një zgjedhje tjetër interesante: bëhet përzgjedhës i Spanjës. Edhe në këtë rast doli jashtë guardiolizmit të përhapur dhe nga kaosi i largimit të Lopetegui disa ditë para Botërorit në Rusi 2018. Kërkohej pra një rregullues i gjithçkaje, si për Barcelonën, dhe pjesërisht Luis Enrique ja doli, duke udhëhequr skuadrën drejt një tranzicioni të butë, ndërsa duhet gjithashtu të përballonte një tragjedi personale shkatërruese, si humbja e vajzës së tij Xana.

Stacioni i fundit... Parisi

Pas disa përvojave në të cilat Luis Enrique është thirrur kryesisht për të riparuar çarje, për të modernizuar sisteme dhe për të rindërtuar vullnete, në vitin 2023 mbërriti te Paris Saint-Germain, skuadra e parë në karrierën e tij ku ai mund të ndërtojë vërtet nga themelet dhe jo thjesht të rregullojë pa prekur shtyllat. Me një lodër krejtësisht të re në duar, ndërton një skuadër që bën shumë gjëra që më parë vetëm shiheshin me sy. Për të përmendur disa: ndërmjet çerekfinaleve dhe gjysmëfinaleve të Champions, dy “mbrojtësit e krahut” të skuadrës, Hakimi dhe Nuno Mendes, kanë shënuar katër gola, duke zënë pozicionin e qendërsulmuesit.

Lexo më tej: Inzaghi psikolog para PSG-Inter: “Kjo është gjëja e fundit që do t’u them lojtarëve”

Dhe qendërsulmuesi në fakt? Epo, është një ish-anësor që shpesh ishte i çorganizuar, i cili këtë vit ka shënuar tashmë 33 gola. Për më tepër, skuadra luan me një tourbillon të vazhdueshëm të lojtarëve të krahut që pastaj bëhen shumë më tepër dhe trajneri nuk u kërkon thjesht gjerësi apo epërsi numerike duke kaluar kundërshtarin, por një krijimtari shumë më të përhapur dhe gjithashtu të guximshme. Së fundmi, kryevepra e vërtetë është mesfusha hiperteknike e besuar te Fabian Ruiz, Vitinha dhe Joao Neves, tre futbollistë që mund të kishin luajtur fare mirë me fanellën me numër 10 dhe që në vend të kësaj vrapojnë, mbrojnë dhe mbi të gjitha e menaxhojnë topin pa e ulur kurrë ritmin e lojës, kufiri i ri i futbollit post-guardiolan. Nuk mbrohet më duke kontrolluar ritmin e ndeshjes, duke mbajtur topin për të përshpejtuar më pas, por mbrohet duke provuar vazhdimisht të sulmohet kundërshtari.

Çfarë do të “gatuajë” pra Luis Enrique për finalen e Champions?

Vështirë që të ndryshojë mendje për lojtarët dhe mënyrën e përgjithshme të lojës. Për herë të parë, trajneri spanjoll ka skuadrën që gjithmonë ka kërkuar dhe që duket se luan në vitin 2030 e më tej. Natyrisht edhe e ardhmja mund të mundet dhe Interit do t’i duhet si zakonisht një ndeshje perfekte (sepse Inter është aty falë përkryerjes së vet) në çdo situatë për ta çuar trofeun në shtëpi.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

94.14

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI