Flash

Rritet shqetësimi për çmimet e pronave

Lapsi.al 29 May 2025
Rritet shqetësimi për çmimet e pronave

Goditjet që mund të vijnë nga jashtë vendit vazhdojnë të përbëjnë shqetësimin kryesor për sektorin bankar.

Rezultatet e vrojtimit periodik nga Banka e Shqipërisë, mbi perceptimin e rreziqeve sistemike në vend nga industria bankare tregojnë një renditje dhe vlerësim të ndryshuar të këtyre rreziqeve gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024.

Ato tregojnë një prirje në rritje të rreziqeve makroekonomike, ndërkohë që vlerësimi për rreziqet e kredisë, të tregut dhe infrastrukturës financiare, ka qenë në zbutje. Në vrojtimin e fundit, sektori bankar ka vijuar të klasifikojë “rrezikun e goditjeve nga jashtë” si rrezikun kryesor sistemik, por me një vlerësim më të lartë.

Pavarësisht zhvillimeve përgjithësisht pozitive globale lidhur me inflacionin dhe kushtet e financimit në tregje, faktorë të tjerë si vijimi i tensioneve gjeopolitike (veçanërisht konflikti në Rripin e Gazës dhe mundësia e përshkallëzimit të tij në rajon, si dhe vazhdimi i luftës në Ukrainë), zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe pasiguria lidhur me qëndrimet dhe politikat e administratës së re, duket se kanë mbajtur të lartë shqetësimin e bankave në vend mbi rrezikun e transferimit të goditjeve të mundshme negative nga jashtë, duke e klasifikuar atë si rrezikun sistemik më të rëndësishëm të periudhës.

“Rreziku nga sulmet kibernetike” ka vijuar të renditet i dyti në listen e rreziqeve më të rëndësishme gjatë periudhës, por vlerësimi për të është zbutur lehtë.

Rritja e digjitalizimit të aktivitetit bankar në vend ka rritur njëkohësisht dhe rrezikun nga sulmet kibernetike, episodet e të cilave kane qenë të pranishme në vitet e fundit, duke dëmtuar herë pas here vijimin normal të aktivitetit.

Kjo ka bërë që fokusi i bankave mbi këtë rrezik të mbetet i lartë dhe një pjesë e mirë e tyre deklarojnë se kanë ndërmarrë tashmë masa konkrete për përmirësimin e sistemeve përkatëse të mbrojtjes.

Shqetësimet e brendshme lidhen me tregun e pronave

Një tjetër rrezik sistemik që duket se po merr gjithmonë e më shumë vëmendje së fundi është “rreziku lidhur me luhatjen e vlerës së pasurive të paluajtshme”, i cili është renditur si rreziku i tretë më i rëndësishëm sistemik.

Ky rrezik ka fituar terren në listën e rreziqeve kryesore të perceptuara nga sektori bankar në vend.

Dinamikat e kohëve të fundit në tregun e pasurive të paluajtshme dhe rritja e shpejtë e çmimeve, duket se kanë rritur shqetësimin e bankave lidhur me ecurinë e ardhme të tyre, në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme e portofoleve të tyre të kredisë është e ekspozuar me aktivitetin e këtij tregu.

Kjo është reflektuar dhe në rritjen e shpejtë të vlerësimit të këtij rreziku në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Kredia për shtëpi u rrit me ritme shumë të larta vitin e kaluar, ndërsa e ka nisur në të njëjtën mënyrë edhe vitin 2025.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të vitit, sektori bankar dha pothuajse 16 miliardë lekë kredi të reja për blerje banesash. Vlera e kredisë së re është rritur me gati 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në fund të muajit mars, vlera totale e portofolit të kredisë për blerje banesash nga familjet shqiptare ka arritur në pothuajse 218 miliardë lekë, në rritje me 15.6% krahasuar me një vit më parë. Kreditimi nga sektori bankar vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një kërkese të lartë në tregun e pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë, ekspozimi total i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme arriti në 398 miliardë lekë, ose më shumë se katër miliardë euro në fund të vitit të kaluar.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e kredisë për pasuri të paluajtshme u rrit me më shumë se 16 % gjatë vitit 2024.

Kjo shifër përfshin të dyja segmentet e klientëve, biznese dhe individë. Pjesa më e madhe e portofolit i takon individëve, me afërsisht 52% të ekspozimit total në hua për pasuri të paluajtshme, ndërsa diferenca prej 48% është kredi e dhënë për bizneset.

Banka e Shqipërisë vendosi në muajin maj disa kufizime direkte që tentojnë të frenojnë “hovin” e bankave në kredinë për shtëpi.

Konkretisht, Banka e Shqipërisë ka vendosur që bankat nuk mund të financojnë më shumë se 85% të vlerës së blerjes së shtëpisë së parë dhe 80% të blerjes së shtëpisë së dytë. Në rast se kredia është në valutë, niveli tavan i financimit ulet në 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Banka e Shqipërisë gjithashtu ka aplikuar një nivel tavan edhe për koston e shërbimit të borxhit në raport me të ardhurat e huamarrësve (DTI) në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë, në rastet kur kredia është dhënë në Lek. Për kreditë në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Bankat skeptike dhe për ekonominë

Ndryshe nga dy vrojtimet e kaluara, vlerësimi i bankave mbi “rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë së brendshme” ka qenë në rritje gjatë periudhës, duke e ripërfshirë në grupin e rreziqeve kryesore sistemike. Rritja e rrezikut të goditjeve të jashtme mbi zhvillimet e brendshme ekonomike, duket se është reflektuar dhe në rritjen e perceptimin të bankave lidhur me mundësinë e përkeqësimit të ekonomisë në vend.

Në terma të përgjithshëm, bankat perceptojnë se mundësia e materializimit të një (ose disa) prej rreziqeve të lartpërmendura në të ardhmen afatshkurtër (deri në një vit) dhe atë afatmesme (1-3 vjet), momentalisht është nën nivelin mesatar dhe në rënie.

Pavarësisht sfidave të momentit, situata e mirë e kapitalizimit dhe likuiditetit të sektorit ka bërë që besimi i bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar në të ardhmen të mbetet mbi nivelin mesatar dhe në rritje./ Monitor

Të këshilluara

Këmbimi valutor për ditën e sotme

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, euro do të blihet me 97.8 lekë dhe do të shitet me 98.6 lekë, ndërsa një dollar amerikan do të blihet sot me 86.5 lekë dh...

08:08

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI