Skandal në futbollin e femrave në Kolumbi një ditë pas lajmit të shkarkimit të Yniaris Garcia, e cila ishte në krye të skuadrës, nga klubi Atletico Junior i Barranquilla. Trajnerja, e cila ishte gjithashtu kolumbiania e parë që ka marrë licencën UEFA si drejtuese teknike, u largua për “rezultate të dobëta”. Por reagimi i saj ishte i menjëhershëm dhe shumë i ashpër, me një mesazh në rrjetet sociale për një rrjet bastesh dhe ndeshje të trukuara nga shtatë lojtare. Denoncimi tashmë ndodhet në duart e hetuesve që kanë hapur një hetim për çështjen.
Njoftimi për vendimin për të ndërprerë kontratën me Yniaris Garcia erdhi me një komunikatë zyrtare ditën e mërkurë dhe më pas u ripublikua në rrjetet sociale të klubit. Një njoftim në të cilin theksohej nevoja për një ndryshim “për shkak të rezultateve të pamjaftueshme” nga ana e skuadrës dhe një zgjidhje e cila u ndërmor nga shoqëria që “shkëputi në mënyrë të njëanshme çdo marrëdhënie”.
Denoncimi i Garcia: “Kam prova që 7 lojtare i shesin ndeshjet”
Garcia nuk qëndroi duarkryq dhe vetëm disa orë pas vendimit të Atletico Junior, deklaroi në llogarinë e saj në Instagram se shtatë lojtare të skuadrës femërore, emrat e të cilave nuk i zbuloi, kishin manipuluar rezultatet.
“Vendimi për të ndërprerë marrëdhënien e punës iu komunikua grupit të lojtareve” – shkroi trajnerja. “Një situatë që shkaktoi pakënaqësi mes disa anëtareve të skuadrës, gjë që çoi në mbledhjen e provave që tregonin se rezultatet e dobëta në disa ndeshje të luajtura, si në kampionatin aktual ashtu edhe në ato të mëparshme, ishin rezultat i një sjelljeje antisportive nga një grup prej shtatë lojtareve, të akuzuara për manipulim të rezultateve.”
Garcia shpjegoi në postimin e saj se “ekzistojnë prova për sa më sipër, të cilat ndodhen në duart e autoriteteve kompetente” të cilat tashmë kanë hapur një hetim për skandalin e supozuar të basteve dhe ndeshjeve të trukuara. “Shpresoj që faktet të sqarohen”, tha ajo, “sepse përparimi i arritur për të çuar futbollin femëror në nivelin aktual nuk duhet të njolloset” – përfundoi trajnerja në denoncimin e saj që ka krijuar jo pak skandal në Kolumbi.
Situata e vështirë e Atletico Junior: fatale humbja e fundit 6-0
Skuadra femërore e Atletico Junior ndodhet aktualisht në vendin e njëmbëdhjetë në Women’s League me vetëm 11 pikë të grumbulluara nga dy fitore, pesë barazime dhe gjashtë humbje në 13 ndeshje të luajtura. Humbja e fundit, 6-0 ndaj Santa Fe, ishte arsyeja e vendimit nga ana e klubit për të shkëputur menjëherë kontratën me trajneren, e cila kishte marrë drejtimin e skuadrës në mesin e sezonit të kaluar.