Flash

Banka e Shqipërisë rifilloi blerjet e valutës për të ndalur rënien e Euros

Lapsi.al 27 May 2025
Banka e Shqipërisë rifilloi blerjet e valutës për të

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë përsëri në tregun valutor në muajin maj, për të frenuar valën e re të rënies të kursit të këmbimit Euro-Lek. Më datë 6 maj, kursi i këmbimit Euro-Lek zbriti në një minimum të ri historik, në nivelin e 97.99 lekëve. Burime nga tregu financiar bëjnë të ditur se, qysh të nesërmen, më datë 7 maj, Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë duke blerë Euro në treg, me qëllim për të mos lejuar një rënie të mëtejshme të kursit me Lekun.

Shumat e blera nuk bëhen publike nga Banka e Shqipërisë. Ato publikohen gjithmonë me kohëvonesë, në deklaratat për ndërhyrjet në tregun valutor, në fund të tremujorit pasardhës.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, duke arritur vlerën më të lartë historike. Sasia e valutës së blerë është rritur me 249% krahasuar me një vit më parë. Blerjet e planifikuara, në funksion të rritjes së rezervës valutore, në fakt përbënin vetëm një pakicë të shumës së përgjithshme të blerë. Ato vitin e kaluar arritën vlerën e 283.8 milionë euro, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, blerjet direkte, me synim moslejimin e rënies së mëtejshme të kursit Euro-Lek arritën shumën rekord prej 649 milionë eurosh. Për herë të parë vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ndërmori një ndërhyrje afatgjatë në tregun valutor, me objektiv moslejimin e forcimit të mëtejshëm të monedhës vendase.

Blerjet direkte nisën qysh në muajin maj dhe vazhduan deri në muajin dhjetor, me një ndërprerje të përkohshme në muajin shtator. Muaji me vlerën më të lartë të blerjeve ishte tetori, kur Banka Qendrore bleu 169.4 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.

Kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek vitin e kaluar pësoi një rënie me 7.4% krahasuar me vitin 2023. Gjatë muajit nëntor 2024, kursi i euros regjistroi nivelin më të ulët historik në vlerën e 98.11 lekëve, ndërsa e mbylli vitin 2024 shumë afër kësaj vlere.

Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, rënia e Euros në kursin e këmbimit me lekun do të kishte qenë edhe më e madhe. Banka e Shqipërisë i ka argumentuar ndërhyrjet në kursin e këmbimit me ndjekjen e objektivit të saj të inflacionit. Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron ushtron presione në ulje mbi inflacionin e importuar në ekonomi. Prej më shumë se një viti, inflacioni ndodhet poshtë objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Një situatë e tillë ka motivuar edhe ndërhyrjet për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit Euro-Lek, megjithëse në parim Banka e Shqipërisë ka theksuar se ngelet e përkushtuar ndaj regjimit të lirë të kursit të këmbimit valutor.

Për vitin 2025, Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 22 ankande të blerjes së valutës, mes muajve shkurt dhe dhjetor. Shuma e parashikuar e blerjeve parashikohet në intervalin midis 270 dhe 350 milionë eurove. Megjithatë, kjo shumë nuk përfshin ndërhyrje të mundshme direkte në kursin e këmbimit, të cilat nuk mund të parashikohen. / Monitor

Të këshilluara

Kursi i këmbimit valutor për ditën e sotme

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, euro do të blihet me 97.8 lekë dhe do të shitet me 98.5 lekë, ndërsa një dollar amerikan do blihet sot me 85.9 lekë dhe d...

08:08

ide

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

MOTI TIRANA

33°c

KËMBIMI EURO

94.30

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI