Flash

Si ta ruajmë votën opozitare? Një propozim modest

Lapsi.al 26 May 2025
Si ta ruajmë votën opozitare? Një propozim modest

Gjenocidi elektoral i regjimit Rama në zgjedhjet e 11 majit 2025 tashmë ka nxjerrë në hije edhe gjenocidin e Gazës. Ajo që u zhvillua më 11 maj nuk ishin zgjedhje por farsa më e shëmtuar elektorale jo vetëm në historinë shqiptare por edhe atë globale.

Sipas dokumentimit rigoroz të doktor Sali Berishës krimi i organizuar i siguroi regjimit Rama 30 mandate në kuvend. Po ti shtojmë këtyre edhe 20 mandate që u siguruan nga përdorimi i administratës publike i bie që regjimi kaloi 50 mandate parlamentare nga koalicioni i PD-së tek PS-ja. 

Ky jo vetëm është, por edhe duhet të ishte, realiteti i “fitores” së regjimit. Kush e injoron atë dhe pretendon se Berisha humbi sepse nuk gëzon popullaritet në elektorat, apo se ndikimi i krimit të organizuar edhe pse prezent e ka fryrë por jo përcaktuar fitoren e Ramës është një palaço-analist.

Enigma/ Si u rrit PS më shumë se në zgjedhjet e para katër viteve

Për të mbuluar manipulimin dhe shitblerjen masive të votës idiotët e dobishëm të regjimit po vjellin në publik pseudo-argumente të tipit “Berisha refuzohej më shumë se Rama në të gjitha sondazhet para zgjedhore”, apo se “PD-ja dilte shumë poshtë PS-së në të gjitha sondazhet”.

Po si mund ti besohet sondazheve kur jetojmë në regjimin më kriminal të globit? Nëse krimi i organizuar është i aftë ti rrëmbejë 30 mandate dhe mbi 300 mijë vota PD-së imagjinoni sa të lehtë e ka të shantazhojë 1000 apo 2000 të intervistuar në një sondazh, ku natyrisht janë përgjigjur me pistoletë në kokë. 

Ky është mjerimi mendor i shërbëtorëve të regjimit që refuzojnë të shohin të vërtetën që ndriçon si drita e diellit; rezultatin zgjedhor nuk e përcaktoi populli shqiptar por krimi i organizuar në bashkëpunim me SPAK-un. Krejt tjetër do kish qenë rezultati i  zgjedhjeve nëse SPAK do kish arrestuar Troplinët dhe Visin e Pojës para datës 11 maj dhe jo pas saj.

Është i njëjti SPAK që e arrestoi Erjon Veliajn jo menjëherë para zgjedhjeve të 11 majit por shumë javë përpara për të ndihmuar Edi Ramën me fushatën e Tiranës, duke i dhënë kohë ta organizojë atë pa Erjonin. Ishte kjo strategji politike e SPAK që prodhoi fitoren e thellë të Ramës dhe PS-së në Tiranë. 

Për të justifikuar gjenocidin elektoral të regjimit Rama mjaft palaço-analistë dhe idiotë të dobishëm argumentojnë se Berisha deklaron se zgjedhjet ishin farsë për të mos pranuar humbjen, sepse përndryshe do detyrohej të jepte dorëheqjen si kryetar i PD-së. Sipas propagandës ramiste Berisha i trëmbet Nenit Basha në statutin e PD-së.

Ky është një argument idiot sepse Berisha nuk ka nevojë për asnjë justifikim politik për të ndenjur përjetësisht në krye të PD-së. Aty e ka vendosur Zoti ndaj askush tjetër nuk mund ta heqë. Ai fare lehtë mund të deklarojë nesër se zgjedhjet i humbi ai vetë dhe përsëri të rizgjidhet kryetar i PD-së. 

Si do ta rrëzoka Berishën neni Basha sot që është kryetar ndërkohë që nuk e rrëzoi dot Kryetari Basha me SHBA-të nga pas kur doktori ishte anëtar i thjeshtë? Kaq mjafton për të kuptuar mjerimin e llogjikës së regjimit dhe të zëdhënësve të tij.

Doktori nuk ka asnjë interes personal në denoncimin e vjedhjes së votës. Lufta e tij është për një demokraci shqiptare ku vota as nuk shitet dhe as nuk blihet, siç ka ndodhur historikisht brenda PD-së nën udhëheqjen e Berishës. Aty vota kurrë nuk është shitur apo blerë, sepse nuk ka pasur asnjë vlerë. 

Nëse eleminojmë shit-blerjen e votës regjimi Rama bie menjëherë sepse popullit i jepet mundësia të votoj lirshëm për Berishn. Ndaj sfida kryesore e demokracisë shqiptare sot është ruajtja e votës së opozitës berishiste nga vjedhja, shitja apo blerja.

Deri tani janë hedhur të paktën dy propozime interesante për tu përballur me këtë sfidë. Njëri prej tyre është kalimi i PD-së në parti anti-sistem që nuk merr pjesë në votime sepse jemi nën regjim dhe jo në demokraci. 

Andi Bushati: PD duhet ti japë fund te sjellurit si parti e madhe

Ndonëse kemi të bëjmë me një një propozim inteligjent dhe invovativ duhet pranuar se shancet që një qasje e tillë të ruaj votën opozitare janë të pakta. Mos-pjesmarrja e PD-së në zgjedhje nuk e pengon regjimin Rama për të blerë vota në masë dhe për të “fituar” zgjedhjet pa kundërshtar.

Përkundrazi, shërbëtorët e regjimit dhe idiotët e dobishëm do çirren në kor se PS-ja fitoi sepse PD-ja nuk u paraqit në zgjedhje, edhe pse në të vërtetë PS-ja edhe në këtë rast do fitonte sepse bleu votat masivisht. Kjo është narkoza e demokracisë shqiptare që për rezultatin e zgjedhjeve ia vesh fajin gjithnjë opozitës madje edhe kur ajo nuk merr fare pjesë në zgjedhje.

Një ide e dytë akoma më largpamëse është që PD-ja të sillet si parti e vogël dhe jo e madhe. Kjo është një ide tepër e llogjikëshme sepse një parti e vogël merr më pak vota se një parti e madhe. Më pak vota ruhen më kollaj se më shumë vota. 

E megjithatë edhe kjo zgjidhje ndonëse plotësisht e llogjikëshme në teori nuk funksionoi në praktikë. Në zgjedhjet e 11 majit Berisha arriti ta zvogëlojë me shumë sukses votën e PD-së, me rreth 250 mijë vota. E megjithatë vjedhja dhe shitblerja u rrit në raport me vitin 2021. Gjasat janë që ky fenomen do vazhdojë edhe në zgjedhjet e vitit 2029.

Në fakt e vetmja qartësi që kemi mbi zgjedhjet e ardhëshme parlamentare është se Berishës do ia vjedhin votën përsëri. Ndonëse Berisha di ta ruaj demokracinë shqiptare e vërteta e dhimbëshme është se ai nuk di ta ruaj votën opozitare. Vjedhja, shitja dhe blerja masive e votës berishiste në farsën elektorale të 11 majit ishte dëshmia e rradhës se PD-ja e Berishës nuk di ta ruaj votën e saj.

Shifrat/ Diaspora thelloi fitoren e Partisë Socialiste në 11 qarqe

Pikërisht për këtë arësye është koha që Berisha dhe Berishizmi ti bëjnë thirrje shqiptarëve që votën mos ta depozitojnë te PD-ja por tek partitë e reja opozitare. Ato treguan qartë se dinë ta ruajnë votën, madje edhe pa komisioner, pa vëzhgues të mjaftueshëm dhe pa milionat që hodhi PD-ja në fushatë. 

Natyrisht votuesi i PD-së mund të jetë skeptik. Vota për partitë e reja opozitare mund ti duket si një votë e çuar dëm pasi probabiliteti që ato të rrëzojnë Ramën në vitin 2029 është ende i ulët. 

E megjithatë ai është shumë më i lartë se në rastin e PD-së berishiste. Shancet e saj për të rrëzuar Ramën dhe për të ardhur në pushtet në vitin 2029 janë zero, sepse që tani e dimë që Berishës do i vjedhin votën.

Artikull i Blendi Kajsiu shkruar enkas për Lapsi.al

   

Të këshilluara

Një protestë kundër vullnetit popullor

Protesta e 16 majit e organizuar nga berishizmi në mbrojtje të votës së lirë nuk ishte kundër qeverisë Rama apo pushtetit socialist. Pavarësisht se në atë mitin...

17:42

Zgjedhjet nuk i fitoi Rama, i humbi Berisha

Menjëherë pas katastrofës elektorale të PD-së më 11 maj, propaganda berishiste filloi të shfajësonte Berishën për këtë humbje. Sipas saj fitorja e Ramës nuk shp...

10:00

Pse u rrit Rama?

Rezultati marramendës i Edi Ramës, më i madh se i të gjitha herëve kur ai ka kandiduar si lider i PS-së, ngre një pikpyetje themelore: si ka mundësi që sa më sh...

11:50

Irena Gjoka si turpi i drejtësisë së rilindur

Sali Berisha ka bërë sërish atë që di të bëjë më mirë: të denoncojë. Këtë radhë në daljen e tij përpara derës së SPAK, lapsi i ka rënë gjykatëses star të reform...

17:14

ide

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

Flamingot duhet t'i injorojnë hijet e së djeshmes

Strategjia e një pjese të madhe të mbrojtësve oligarko-mediatikë të autokratit është të bëjnë kamikazin duke thithur mbi vete debate shterpë që largojnë vëmendjen nga thirrja: “Rama jeeeepe dorëheqjeeeeeen”

08:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.62

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI