Flash

Everesti i Igli Tares: rinovime, largime dhe trajner për një verë zjarri në Milano

Lapsi.al 26 May 2025
Everesti i Igli Tares: rinovime, largime dhe trajner për një verë

Këtë pasdite Igli Tare do të hyjë në zyrën e tij të re në “Casa Milan” dhe mbi tavolinë do të gjejë një sërë çështjesh për t’u zgjidhur. Para së gjithash, trajneri i ri, por edhe kapitulli i rinovimeve dhe merkato (dalëse) që duhet përballuar. E gjitha kjo menjëherë pas zyrtarizimit të rolit të tij të ri si drejtor sportiv i Milan, pozicion që kishte mbetur pa zot pas shkarkimit të Massara e Maldini. Puna e ish-lacialit, e formuar nga përvoja me një president jo edhe aq të lehtë si Claudio Lotito, është, vetëkuptohet, gjithçka përveçse e lehtë, duke nisur pikërisht nga vendimi më i rëndësishëm: ai për trajnerin e sezonit të ardhshëm.

Lista e trajnerëve në duart e Tares

Lista e kandidatëve të mundshëm, me të gjitha ekipet e mëdha (ose pothuajse) që janë gati të ndryshojnë trajner, po zbrazet dalëngadalë. Italiano, që i pëlqente pothuajse të gjithëve, duket se është drejt rinovimit te Bologna (sot është takimi vendimtar); Gasperini pritet të bindet nga Percassi për të qëndruar në Bergamo; Antonio Conte nuk ka qenë kurrë realisht në fokus dhe gjithsesi është gati të rikthehet te Juventus; Allegri, një tjetër emër në krye të listës së Milan, është mes Napolit dhe, në rast largimi të Simone Inzaghi, Interit.

Nga teknikët e lirë mbeten Roberto Mancini, që vjen nga një përvojë jo shumë entuziaste në Arabinë Saudite, dhe Thiago Motta, “fisniku i rënë”, pas mrekullive me Bolognën dhe shkarkimit nga Juventusi. Mundësi të tjera? De Zerbi duket i vendosur të qëndrojë në Marseille, Farioli nuk bind, Fabregas ndiqet nga Roma dhe Inter, pra nuk është i lehtë për t’u bindur.

Sakrifica për bilancin quhet Reijnders

Sigurisht, në këtë “gjellë” ndoshta më shumë mediatike sesa reale, bën përshtypje pasiguria e një projekti që kalon, për shembull, nga “lojtarët e bukur” tek “rezultatet”, nga trajnerë të rinj tek njerëz me përvojë. Pra, bardhë e zi – kështu do të jetë fusha në të cilën drejtuesit e Milan duhet të ndërtojnë një skuadër konkurruese. Dhe këtu hyn kapitulli i dytë i punës që e pret Igli Taren. Misioni i parë, nëse mund të quhet kështu, duhet të jetë mbajtja e yjeve. Mision, megjithatë, që për arsye bilanci duket i pamundur.

Njeriu që do t’i jepte Milan mundësinë për të rregulluar financat, të tronditura nga mungesa në Champions, është Reijnders. Për të pritet ditët në vijim një ofertë nga Manchester City rreth 50 milionë euro. Me atë shifër holandezi nuk do të largohet, por nëse arrihet kuota 70, do të jetë e vështirë t’i thuhet më “jo” Guardiolës. Përveç nëse ato para nuk gjenerohen nga largime të tjera. Kush? Chukwueze, Thiaw, Musah, Theo Hernandez – për të përmendur vetëm katër. Të cilëve mund t’u shtohen paratë nga blerjet e detyrueshme të lojtarëve në huazim (Kalulu? Saelemaekers? Pobega?).

Rinovimet nyje problematike

Pra, hapësirë për të shpëtuar Reijnders duhet të ketë (për sa kohë nuk është vetë ai që dëshiron të largohet). Hapësirë për të negociuar rinovimet, ndoshta jo. Për Theon dihet dhe ka pak dyshime mbi mungesën e rinovimit. Maignan, i cili në janar kishte arritur praktikisht një marrëveshje, nuk e ka pëlqyer mungesën e kontakteve nga klubi në muajt në vijim dhe mund të largohet (i pëlqen Manchester United, për shembull).

Lexo më tej: E ka për Igli Taren? Nesta, kritika ndaj drejtuesve të Milan: “Duhen njerëz të mëdhenj”

Rafa Leao, ndonëse me një kontratë ende relativisht të gjatë, është në shënjestrën e Bayern Munchen dhe nuk është e sigurt që do të jetë në startin e sezonit të ardhshëm me Milan. Pulisic do të dojë të kuptojë çfarë do të ndodhë. Ndoshta, si të gjithë të tjerët, për të zbuluar kush do të jetë trajneri i ri që do të zgjedhë Igli. Sepse pikënisja mbetet ajo: kush do ta udhëheqë ringritjen e Milan?

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

94.14

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI