Napoli u kthye nga Parma me një pjesë të mirë të titullit të kampionit të stampuar mbi kraharor: napolitanët janë ende zot të fatit të tyre, pasi në Tardini barazuan pikërisht siç bëri edhe Interi në Meazza ndaj Lazios, duke mbajtur kështu të pandryshuar avantazhin prej një pike në renditje: nëse mposhtin Cagliarin (tashmë të shpëtuar), në ndeshjen e fundit në Maradona, djemtë e teknikut Antonio Conte do të vendosin në vitrinë titullin e katërt kampion në historinë e Napolit, pavarësisht rezultatit të Interit në fushën e Comos. Vetë Conte, për më tepër, nuk do të jetë në pankinë, sepse u përjashtua nga arbitri Doveri (bashkë me Chivu) në fundin e ndeshjes plot tension, ku u shkëmbyen fjalë të rënda.
Me kë e kishte Conte: “Pastaj vij e të gjej”
Në Parma sapo kishte kaluar minuta e 90', me rezultatin të fiksuar në 0-0, ndërsa në San Siro Lazio sapo kishte barazuar 2-2 me golin e Pedros nga penalltia: në atë moment në Tardini shpërthen një përplasje mes pankinave, me arbitrin Doveri që vrapoi atje dhe më pas nxorri kartonët e kuq për të dy trajnerët. Pas përfundimit të ndeshjes dalin imazhe të tjera dhe edhe audio nga mikrofonat, dhe në atë pikë kuptohet me kë e kishte Conte dhe çfarë i kishte thënë. “Nuk po prisje gjë tjetër, copë m*ti!”, i ka bërtitur ai i tërbuar Antonio Gagliardit, ndihmësit të Cristian Chivu. “Pastaj vij e të gjej!”, ka shtuar teksa dilte i tërbuar nga fusha për të ndjekur minutat e fundit të kohës shtesë nga tuneli.
Në shënjestër ndihmësi i Chivu, Gagliardi
Conte nuk e ka mbajtur më veten sepse, sipas tij, në fund të ndeshjes sjellja e lojtarëve të Parmës ka qenë totalisht e njëanshme në drejtim të humbjes së kohës (pasi Parmës i mjaftonte barazimi për shpëtimin matematikisht) dhe u ka thënë diçka lidhur me këtë stolit kundërshtar, që i është përgjigjur duke treguar me gishta minutazhin e dhënë për shtesë nga gjyqtari. Aty ka shpërthyer gjithë përplasja me fjalët e rënda drejtuar Gagliardit (ish-analist taktik i Italisë së Mancinit kampione Europe, por edhe i Juventus) dhe përjashtimin pasues për trajnerin puljez.
Trajneri më pas ka shpjeguar arsyet e tij
Në konferencë për shtyp më pas Conte sqaroi se zemërimi i tij kishte të bënte pikërisht me ato humbje të tepërta kohe nga lojtarët e Parmës: “Më bezdisi shumë ostruzionizmi që bëri Parma në pjesën e dytë, më është dukur i ekzagjeruar në çdo drejtim. Dhe për më tepër ata po ankoheshin edhe për shtesën, që ishte vetëm 6 minuta. Në pjesën e dytë u luajt shumë pak, njëherë kramp, njëherë goditje në kokë, pastaj hynte doktori, dilte, sipas mendimit tim u lejua pak si shumë. Kam pasur fatin dhe aftësinë të stërvis në Angli, atje publiku i fishkëllen fort këto gjëra, për këdo që përpiqet të bëjë ostruzionizëm. E kuptoj që mund të kenë objektiva të ndryshëm, por çdo gjë ka një kufi. Kjo më bezdisi”.