Flash

Një protestë kundër vullnetit popullor

Lapsi.al 17 May 2025
Një protestë kundër vullnetit popullor

Protesta e 16 majit e organizuar nga berishizmi në mbrojtje të votës së lirë nuk ishte kundër qeverisë Rama apo pushtetit socialist. Pavarësisht se në atë miting u lëshuan shumë akuza, që për ti ditur nuk ka nevojë ti dëgjosh, protesta as nuk e zbeh dhe as nuk e trondit pushtetin e Ramës.

Aq më pak dëmtoi suksesin e samitit evropian në Tiranë. Fakti që një forcë opozitare proteston lirshëm dhe paqësisht është PR pozitiv për demokracinë shqiptare, ku kushdo është i lirë të thotë çfarë të dojë dhe të mbledhë kë të dojë dhe ku të dojë. 

Denoncimi i vjedhjes së zgjedhjeve nga një opozitë që ka rënë me një çerek milion votash në një vend ku banojnë rreth dy milion e gjysëm banorë vështirë se mund të merret seriozisht si provë e diktaturës. Ndaj protesta vërteton ekzistencën e lirisë politike më shumë se vjedhjen apo manipulimin e votës.

Në këtë aspekt protesta i bëri një shërbim shumë të mirë propagandës rilindase dhe samitit të saj evropian. Është shërbimi i rradhës që berishizmi i bën Ramës, duke e portretizuar pushtetin e tij si një demokraci që toleron dhe respekton opozitën, në proporcion me broçkullat që ajo artikulon.

Protesta e berishizmit nuk kishte të bënte as me votën e lirë opozitare, të paktën për dy arësye. Së pari, denoncimet e përdorimit të administratës, të krimit apo të blerjes së votës nuk shpjegojnë firimin e çerek milion votash. Përndryshe si shpjegohet që opozita merrte më shumë vota dje, kur përdorimi i administratës, i blerjes së votës dhe i krimit ishte shumë më prezent se sot?

   Së dyti, burimi kryesor i deformimit të vullnetiti popullor në zgjedhjet e fundit nuk ishte krimi apo blerja e votës por sistemi elektoral. Manipulimi i madh ishte penalizimi i partive të vogla me rreth 10 vende në parlament. Kjo prodhoi fryrjen parlamentare të PS-së, me gati 10 mandate, duke e çuar në shumicën e frikshme prej 83 mandatesh.

Është një sistem që votën e protestës kundër bipolaritetit PS-PD ia kalon partisë në pushtet. Është shumë më efektiv se bandat, krimi apo blerja e votës. Imagjinoni sa banda, krim dhe blerje votash duhen për të siguruar 10 mandate në Kuvend.

E megjithatë në morinë e akuzave të berishizmit nuk pati asnjë denoncim të sistemit tonë elektoral që deformon haptas vullnetin popullor. Kjo për faktin e thjeshtë se protesta nuk ishte në mbrojtje të vullnetit popullor. Përkundrazi ajo ishte një refuzim publik i verdiktit elektoral që u shpreh mjaft qartë në zgjedhje.

Asnjë palë zgjedhje, me përjashtim të vitit 1992, nuk ka prodhuar një verdikt më të qartë se ai i zgjedhjeve të 11 majit, 2025. Elektorati i dha një notë kaluese qeverisë Rama dhe një notë mbetëse opozitës berishiste. Dhe nota mbetëse e opozitë ishte shumë më qartë se nota kaluese e qeverisë, për faktin e thjeshtë se rënia elektorale e koalicionit të PD-së ishte shumë më e madhe se rritja elektorale e PS-së.

Pikërisht kundër këtij verdikti proteston berishizmi sot duke refuzuar notën mbetëse që i vuri elektorati shqiptar. Nuk është refuzim i fitores së Ramës sepse ajo pritej. Askush, në të majtë apo në të djathtë, nuk kishte iluzione të një fitore elektorale të berishizmit. Basti elektoral i këtij projekti politik ishte mbajtja, forcimi ose zmadhimi i votës opozitare, jo ardhja në pushtet.

Pikërisht për këtë arësye berishizmi sot refuzon humbjen e tij elektorale dhe jo fitoren e Ramës.  Berishizmi sot nuk pranon faktin që ra me çerek milionë votash në raport me zgjedhjet e kaluara dhe për këtë tregon me gisht, si gjithnjë, Edi Ramën. 

Ama firimi i votës opozitare nuk ka të bëjë me bandat, administratën apo gjobat e Ramës. Të gjitha këto janë mjete që Rama i përdor për të ruajtur votën socialiste, por ato vlejnë pak ose aspak për të hequr qafe një çerek milion vota opozitare.

Këtë e kanë të qartë edhe berishistët që tashmë kanë filluar sulmin ndaj popullit shqiptar. E akuzojnë si të manipuluar, të nënshtruar, të blerë, të shitur, pa moral politik dhe pa kulturë demokratike, sepse refuzon moralin politik, lirinë dhe demokracinë që ofron dyshja Berisha-Meta, bashkë me Flamur Nokën. 

Ndaj berishizmi sot nuk është në opozitë me Ramën apo me Partinë Socialiste. Përkundrazi ai prej kohësh është paterica politike dhe elektorale që e konsolidon këtë pushtet, ndër të tjera edhe duke argumentuar se është i pathyeshëm. 

Berishizmi sot është në opozitë me verdiktin e elektoratit. Mbetet për tu parë se si do ti fitojë zgjedhjet e ardhëshme, në vitin 2029, tashmë që si strategji elektorale ka shpallur denoncimin e vullnetit popullor. 

Artikull i Blendi Kajsiu shkruar enkas për Lapsi.al

 

Të këshilluara

Zgjedhjet nuk i fitoi Rama, i humbi Berisha

Menjëherë pas katastrofës elektorale të PD-së më 11 maj, propaganda berishiste filloi të shfajësonte Berishën për këtë humbje. Sipas saj fitorja e Ramës nuk shp...

10:00

Pse u rrit Rama?

Rezultati marramendës i Edi Ramës, më i madh se i të gjitha herëve kur ai ka kandiduar si lider i PS-së, ngre një pikpyetje themelore: si ka mundësi që sa më sh...

11:50

Irena Gjoka si turpi i drejtësisë së rilindur

Sali Berisha ka bërë sërish atë që di të bëjë më mirë: të denoncojë. Këtë radhë në daljen e tij përpara derës së SPAK, lapsi i ka rënë gjykatëses star të reform...

17:14

Kolapsi moral dhe politik i PD-së

Debati në lidhje me 6 milion dollarët që supozohet se do shpenzojë berishizmi për të lobuar në SHBA ka nxjerrë edhe një herë zbuluar kolapsin parimor dhe moral ...

13:15

Për kë po zhvillohet Shqipëria?

Përtej zallamahisë elektorale debati themelor mes PS-së dhe PD-së mbetet po ai i viteve 1990; a po zhvillohet apo jo Shqipëria? A po shkon apo jo drejt Evropës?...

16:33

ide

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

Flamingot duhet t'i injorojnë hijet e së djeshmes

Strategjia e një pjese të madhe të mbrojtësve oligarko-mediatikë të autokratit është të bëjnë kamikazin duke thithur mbi vete debate shterpë që largojnë vëmendjen nga thirrja: “Rama jeeeepe dorëheqjeeeeeen”

08:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.62

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI