Sampdoria bie në Serie C për herë të parë në historinë e saj. Ky është verdikti më tronditës i sezonit të rregullt të Serie B, që vjen si rezultat i një menaxhimi të mbushur me improvizim dhe zgjedhje pa asnjë logjikë, të cilat e çuan skuadrën blu e bardhë të mbyllë me 41 pikë në 38 ndeshje: një dështim teknik dhe shoqëror që është kulmi i viteve të mbushura me shumë pak siguri dhe shumë pikëpyetje, që shtrihen nga fusha deri te ata që janë pas tavolinave.
Katër trajnerë dhe një merkato shumë e kushtueshme për të tentuar rikthimin në Serie A, por me kalimin e javëve çdo lloj ambicieje u zbeh dhe u kuptua se sa e rëndë ishte situata brenda Sampdorias vetëm në momentin kur presidenti Matteo Manfredi mendoi se një ‘operacion nostalgjie’ si ai që solli Evani dhe Lombardo në pankinë, mund të ishte zgjidhja.
Si arriti Sampdoria të bjerë në Serie C
41 pikë në 38 ndeshje, fryt i 8 fitoreve, 17 barazimeve dhe 13 humbjeve. 38 gola të shënuar dhe 49 të pësuar. Këto janë shifrat e një sezoni që ta quash të dështuar nga çdo këndvështrim mund të jetë madje një nënvlerësim për një klub me historinë dhe emrin e Dorias. Pas eliminimit në raundin preliminar të play-off-it në sezonin 2023-2024, gjithçka dukej gati për një sezon në krye të renditjes dhe Samp ishte ndër më të besuarat për ngjitjen e kategorisë, edhe për shkak të merkatos së ndërtuar nga drejtori i ri sportiv Pietro Accardi.
Lojtarë të kalibrit të Coda, Niang, Tutino, Romagnoli, Leoni, Venuti, Silvestri, Cragno, Oudin, Altare, Beruatto dhe Sibilli duhej të ndihmonin në hapin cilësor të skuadrës blu e bardhë, por me kalimin e javëve situata u ndërlikua ngadalë dhe drita në fund të tunelit dukej gjithnjë e më e largët. Në javën e tretë erdhi shkarkimi i Andrea Pirlos, më pas i erdhi radha Andrea Sottil në të gjashtëmbëdhjetën, pastaj Leonardo Semplici në të 32-tën, deri tek thirrja për ndihmë e bërthamës së Sampdorias së titullit që solli në pankinë Alberico Evani-n në javën e 33-të. Një ‘operacion nostalgjie’, së bashku me rikthimin e Lombardos dhe Invernizzit, që nuk arriti të sjellë goditjen e shpresuar dhe që tregoi edhe më shumë brishtësinë e gjithë ambientit me kalimin e javëve.
38 lojtarë të përdorur, 5 portierë të ndryshëm, 4 trajnerë dhe shumë miliona të shpenzuara në një merkato të gabuar dhe me pagën e dytë më të lartë në Serie B, tregojnë historinë e një sezoni tragjik për Sampdorian që bie në Serie C për herë të parë në historinë e saj.
Sampdoria në krizë, në fushë dhe në klub: çfarë ndodhi që nga viti 2023
Pas rënies nga kategoria në vitin 2023 u shfaq rreziku i falimentimit, por Andrea Radrizzani, i njohur për rikthimin e Leeds United në Premier League pas shumë kohësh, u bë pronar së bashku me Matteo Manfredi, kreu i fondit Gestio Capital. Në mars të vitit 2024 Radrizzani u tërhoq dhe Manfredi u emërua president i klubit.
Disa muaj më parë, Josimar, një gazetë investigative norvegjeze, zbuloi se 58% e Gestio Capital kishte përfunduar në duart e “Kick Off Ventures”, një shoqëri në pronësi të një kompanie bastesh me emrin “Fun88”, e drejtuar nga investitorë nga Singapori. Një situatë jo e qartë, për të cilën shumë tifozë dorianë janë përpjekur të hedhin dritë nga dashuria për klubin e tyre.
Katastrofë totale
Gabimet e këtij drejtimi nuk sollën vetëm rënien e ekipit të parë në Serie C për herë të parë në histori, por gjithashtu edhe rënien e ekipit të të rinjve në Primavera 2 dhe të Sampdoria Women në Serie B. Një katastrofë e vërtetë në të gjitha nivelet.
Të vetmit në nivelin e duhur kanë qenë tifozët e Sampdorias, të cilët nuk munguan asnjëherë pranë skuadrës dhe e mbushën stadiumin me një mesatare prej 22 mijë personash për ndeshje.
“Sezoni i bukur” i Sampdorias ka përfunduar prej kohësh dhe ndoshta nuk do të përsëritet kurrë, por në vitet e mëvonshme blucerchiatët kanë jetuar momente entuziazmuese të alternuara me situata trishtimi të thellë. Ky, megjithatë, është pika më e ulët e të gjitha kohërave dhe të nisesh nga këtu nuk do të jetë e lehtë. “Unë nuk besoj në Zot, por tani besoj te Sampdoria”, tha Paolo Villaggio. Të shohim se sa veta në javët e ardhshme do të tregojnë se ende besojnë te Sampdoria.