“Ishte shumë i fryrë, nuk i shiheshin as sytë (…) kishte një zë si robot”. Kështu dëshmoi një nga vajzat e Diego Armando Maradona, Gianinna, në seancën e fundit të procesit gjyqësor për vdekjen e të atit, duke ngritur akuza shumë të rënda ndaj ekipit mjekësor që u kujdes për të gjatë muajve të fundit të jetës së tij.
Për afro shtatë orë me radhë dëshmie – mes ngashërimesh dhe lotësh të pafund – Gianinna rrëfeu se ishte ndjerë e keqinformuar, e mbajtur larg dhe madje e përçmuar nga ekipi i ndihmës që aktualisht ndodhet nën hetim penal.
Gianinna Maradona: “Ishte një kurth për të marrë atë që donin”
“Kur e mendoj tani (…) besoj se ishte një kurth, një lëvizje që ata (ekipi mjekësor) bënë kundër nesh, për të marrë atë që donin, për ta mbajtur babin vetëm, në një vend të errët dhe të shëmtuar”. Fjalë shumë të forta nga Gianinna, një nga dy vajzat që Maradona pati me Claudia Villafañe. Ajo nuk specifikoi motivet që mund të kishin pasur ndihmësit për ta mbajtur babanë në atë gjendje, por që në fillim të procesit, avokati i saj Fernando Burlando kishte përmendur një “interes financiar” të ekipit mjekësor ndaj klientit të tyre, një aspekt që konsiderohet si “ana tjetër e medaljes” në akuzën për neglizhencë.
Shtatë profesionistë shëndetësorë – përfshirë mjekë, një psikiatër, një psikolog dhe infermierë – janë nën gjykim prej dy muajsh në San Isidro, në veri të Buenos Aires, për “vrasje me dashje”, domethënë neglizhencë me vetëdijen se mund të sillte vdekjen. Maradona vdiq në moshën 60-vjeçare më 25 nëntor 2020 për shkak të një arresti kardiak dhe edeme pulmonare, në një shtëpi private në Tigre. Ai ndodhej në fazë rehabilitimi pas një operacioni neurokirurgjikal për hematomë në kokë disa ditë më parë.
“Qëllimi strategjik është t’u hidhet përgjegjësia familjarëve”
Gjatë dëshmisë së saj të martën, Gianinna shprehu zhgënjimin dhe indinjatën ndaj njërit prej të akuzuarve, mjekut personal të Diegos, Leopoldo Luque, që sipas saj ishte vendimmarrësi kryesor në ato javë fatale, bashkë me psikiatren Agustina Cosachov. Vendimi për rikuperimin në shtëpi pas operacionit dhe mungesa e cilësisë në kujdesin dhe pajisjet mjekësore në atë ambient kanë qenë deri më tani në qendër të çështjes dhe janë vënë në dyshim nga disa dëshmitarë.
Lexo më tej: “Zemër anormalisht e madhe”: Procesi Maradona, ekspertët zbulojnë shkakun e vd*kjes
Gianinna nuk arriti të përmbante lotët kur në sallën e gjyqit u dëgjua një regjistrim i një takimi mes stafit mjekësor të Pibe de oror, familjes së tij dhe disa nga miqtë më të afërt. Aty u diskutua mundësia e rikuperimit në shtëpi apo në një institucion privat, me rekomandimin e klinikës që e kishte operuar: “Të gjitha këto vendime më duken kaq të padrejta, gjithçka që u premtua (rreth rikuperimit të tij) dhe nuk u mbajt kurrë (…) Më duket si një manipulim i tmerrshëm (…)”.
Mesazhi tronditës i zbuluar në sallë
Frustrimi u shtua kur në gjyq u riprodhua një mesazh audio i njërit prej të pandehurve, psikologut Carlos Díaz, i paraqitur si “ekspert në varësi” (problemi që kishte Maradona), drejtuar psikiatres Cosachov. Fjalë që tregonin një shqetësim më tepër ligjor sesa mjekësor. “Këtu qëllimi strategjik është t’u hidhet faji familjarëve (…) ideja është të mbulojmë veten”: thuhej në audio. Kjo frazë shkaktoi murmërima indinjate në sallën e gjyqit.
Të pandehurit, nga të cilët deri tani është dëgjuar vetëm psikiatrja Agustina Cosachov, mohojnë çdo përgjegjësi dhe pretendojnë se kanë kryer detyrat e tyre (monitorim psikiatrik, planifikim infermierie, trajtim për varësi, etj.) dhe se këto nuk kanë lidhje direkte me shkaqet e vdekjes. Ata rrezikojnë nga 8 deri në 25 vite burg.