Real Madrid po kalon një sezon negativ, që kishte nisur në mënyrën më të mirë me Superkupën Europiane kundër Atalantës, por më pas ka pësuar një rënie të pandalshme, duke u eliminuar pa lavdi nga çdo kompeticion. Një cikël që, në disa aspekte, duket se ka përfunduar me largimin tashmë zyrtar të Carlo Ancelotti. Sidoqoftë, edhe gjendja brenda dhomave të zhveshjes nuk është e qetë: thashetheme për Vinicius, por mbi të gjitha “çështja” Rodrygo, i cili sipas raportimeve, kishte kërkuar të largohej që para humbjes në “El Clasicon”, ku nuk luajti asnjë minutë.
Pika që derdhi gotën ishte pikërisht humbja e hidhur në “El Clasico”, që në thelb i dorëzoi titullin Barcelonës dhe e bëri Real të valëvisë flamurin e bardhë. Një ditë pas përmbysjes së katalanasve, në “casa blanca” u fol vetëm për largimin e teknikut Ancelotti, i cili ka përfunduar në detaje marrëveshjen me përfaqësuesen e Brazilit. Por tani kanë shpërthyer disa “çështje” mes lojtarëve të pakënaqur e të zhgënjyer. Mes tyre edhe ajo e bujshme e Rodrygo, që e ka kaluar sezonin si zgjedhje dytësore, shpesh – tepër shpesh – i lënë në stol përballë lojtarëve si Bellingham e Mbappé. Kështu që ai ka kërkuar largimin, sipas burimeve nga Spanja, që përpara disfatës në “El Clasico”, ku qëndroi i ulur në pankinë për 90 minuta.
Rodrygo braktisi stërvitjen, Ancelotti e mbuloi
“Çështja” shpërtheu edhe më shumë pas imazheve të fundit që vinin nga Ciudad Deportiva, ku braziliani u largua përpara kohe nga stërvitja, duke çaluar lehtë. Në një video, shihet teksa flet shkurt me teknikun Ancelotti, për t’u drejtuar më pas me kokë ulur drejt dhomave të zhveshjes. “Nuk është rikuperuar mirë nga ethet,” shpjegoi më vonë trajneri në konferencë për shtyp. “Më tha që ndjeu një shqetësim në këmbë, nuk e di në cilën, ndaj u ndal. Zërat? Janë bërë shumë spekulime. Të gjithë kemi një ndjesi të veçantë për Rodrygo, sidomos unë: ai është keq emocionalisht, do të ndihmojë më shumë skuadrën, është normale kjo gjendje shpirtërore”.
Rodrygo kishte kërkuar largimin që para “El Clasico”
“Rebelimi”, siç e kanë cilësuar mediat spanjolle, është frut i një pakënaqësie që zgjat prej të paktën një viti dhe është bërë i dukshëm në prag të ndeshjes më të rëndësishme të këtij fund sezoni, më pas të humbur kundër Barçës. Në qendër të kritikave është vënë 24-vjeçari brazilian Rodrygo, i cili sipas asaj që raportohet nga shtypi, i ka kërkuar largimin klubit, si pasojë e situatave të përsëritura brenda dhomës së zhveshjes që nuk i kanë pëlqyer. Sipas burimeve pranë klubit, Rodrygo është ndjerë i përjashtuar nga projekti teknik fillestar në të cilin formonte dyshe të qëndrueshme me bashkëkombasin Vinicius – edhe ky i përfshirë në thashetheme merkatoje. Sidomos pas jehonës mediatike që sollën ardhjet e Jude Bellingham dhe më pas Kylian Mbappé, të cilët ia kanë zbehur prezencën e tij dhe ia kanë reduktuar minutat në fushë.