Flash

Procesi kundër opozitës, si narkozë ndaj fundit të demokracisë

Lapsi.al 13 May 2025
Procesi kundër opozitës, si narkozë ndaj fundit të

Marshimi i Edi Ramës nga “fitorja në fitorje”, po shoqërohet, siç ka ndodhur rëndom, me fenomenin e shpifur të dënimit të humbësit dhe shmangien e gjykimit për fituesin. Kjo po vihet re edhe këto ditë me fitoren e paprecedentë të Rilindjes, që në një shoqëri normale do të ngrinte qindra pikëpyetje për mënyrën se si erdhi dhe për rreziqet që mund të sjellë në të ardhmen. Ta përmbledhësh këtë ngjarje brenda lëvozhgës së klishesë: Rama fitoi se opozita nuk ngjalli besim, është në rastin më të mirë dembelizëm intelektual dhe në atë më të keq, rreshtim- shërbim ndaj pushtetit.

Humbësi, në çdo garë, nxjerr dhe merr përgjegjësitë e veta. Në politikë shumë më tepër sepse ato përgjegjësi afektojnë direkt mbarë shoqërinë. Por elitat e një vendi, zërat që nuk ndikohen nga euforia e turmave por nga ftohtësia e arsyes, nuk nxitojnë të kryqëzojnë humbësin përpara se të analizojnë fituesin. Të merresh në këto orë me opozitën duke legjitimuar kësisoj pa kushte një fitore që bie erë, do të thotë asgjë më shumë se sa rreshtim me të fortin duke e gjetur fajin gjithnjë tek më i dobëti. Ky korruptim moral i elitave shqiptare, herë nga frika, herë nga interesi e herë nga mungesa e formimit, veç periudhës së komunizmit është shfaqur me po të njëjtën shije të shpifur edhe pas zgjedhjeve të vitit 1996 apo atyre të 2001-it.

Në rastin e zgjedhjeve të fundit, ndoshta të tretat (veç atyre të 1992) ku një forcë politike merr mbi 80 mandate, një elitë e shëndoshë do duhej të shtronte përpara shoqërisë çështjen tepër të debatueshme se si mundet që një parti e gërryer gjatë 12 viteve pushtet nga korrupsioni i nivelit të lartë, nga lidhjet e forta me krimin e organizuar prej qeverisë e deri tek forcat e rendit, me premtime të pambajtura dhe me një erozion të pashembullt të popullsisë, të sigurojë një mandat të katërt me shifra që do t’i kishte zili çdo regjim autokratik. Ky debat do duhej të ishte më i thellë se sa ai i tipit zgjedhjet janë vjedhur gjithnjë, se bandat dhe admnistrata janë përdorur në 30 vite, se nëse ka frymë manipulimet nuk pinë ujë, etj etj.

Çështja ekzistenciale për demokracinë shqiptare shtrohet mbi faktin se si një pushtet “që vjedh vota për të vjedhur Shqipërinë dhe vjedh Shqipërinë për të vjedhur vota” nuk fiton thjesht zgjedhjet por asfikson çdo hapësirë lirie, pavarësie, konkurrence të ndershme, rrënon institucionet, asgjeson drejtësinë dhe për rrjedhojë rrezikon të ardhmen e të gjithëve, përfshi edhe të vetvetes.

Rëndom ka ndodhur që ata që janë afër pushtetit të entusiazmohen nga fitore të tilla, duke harruar që shpesh janë shndërruar në viktima të entusiazmit të tyre. Kjo harresë e kërkuar bën që sot të mos flitet se për herë të parë në histori, opozita hyri në zgjedhje me liderin kryesor në proces penal, pasi u mbajt i izoluar për një vit rresht; me kreun e partisë së dytë opozitare në burg; dhe me disa eksponentë të tjerë në qeli e ndjekje penale. Po kështu këto ishin zgjedhjet e treta parlamentare, ku qeveria futet në garë pa patur kundërshtare asnjë prej mediave kryesore të vendit. Për të mos folur për kapjen e drejtësisë, monopolin mbi bandat dhe paratë e bizneseve të mëdha.

Duke parë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, kupton edhe pse Ilir Meta u morr zvarrë dhe u godit nga policë me maska apo pse Fredi Beleri u plas në burg dhe u morr peng bashkia e Himarës. Akte të tilla, veç frikës rrënojnë dhe autoritetin apo besimin që mund të ngjallin figura të caktuara politike. Ato zhvlerësohen përballë dhunës së pushtetit dhe votat e mbetura “pa zot” shkojnë tek më i forti. Shkrirja elektorale e LSI në këto zgjedhje, është efekti që u projektua me heqjen zvarrë të Ilir Metës në sytë e publikut.

 

Po ashtu, nën dritën e 82 mandateve të Edi Ramës, kuptohet se pse u bënë “kurban” që nga ish numri dy i qeverisë Ahmetaj e deri tek numri dy i partisë Veliaj. Sa më i gjatë dhe më i rëndë pushteti, aq më shumë peshojnë dhe kurbanet e tij. Aq më shumë rritet edhe “pavarësia” e SPAK-ut, për të çertifikuar më pas virgjinërinë e zgjedhjeve të prishura të Edi Ramës. Pushteti i një njeriu, që sot entusiazmon sejmenët e tij, i ka dhënë vendit iluzionin e tmerrshëm të një drejtësie të re, që nuk guxoi kurrë të prekë dy shtyllat e së keqes: vendimarrjen ekzekutive që prodhon korrupsion dhe vjedhjen e zgjedhjeve. Pasojë direkt e së cilës është cikli i vjedhjes së Shqipërisë për vota dhe anasjelltas.

Nëse një fitore tjetër si kjo e Edi Ramës, çon pashmangshmërisht në asgjesimin pëfundimtar të drejtësisë, të lirive të pakta që kanë mbetur, të demokracisë përfaqësuese dhe të çdo pushteti tjetër që do duhej të ishte i pavarur, shqetësimi i asaj pjese të shoqërisë që ka ende zë në kapitull, do duhej të ishte procesi ndaj fituesit dhe jo sulmi ndaj humbësit si mbulesë për njollën e flirtimit me pushtetin. Pushteti i gjatë dhe absolut, zakonisht ushqehet me kokat e veta, ndaj dhe ata që sot ndihen afër tij do të duhej të shqetësohen për pasojat e mandatit të katërt dhe jo aq për përgjegjësitë e opozitës. Me 82 mandate, plus disa të tjera rrugës, Edi Ramës të gjithë mund t’i duken si zara që i gjuan kur dhe si t’i teket. ©lapsi.al

Të këshilluara

Pse u rrit Rama?

Rezultati marramendës i Edi Ramës, më i madh se i të gjitha herëve kur ai ka kandiduar si lider i PS-së, ngre një pikpyetje themelore: si ka mundësi që sa më sh...

11:50

Irena Gjoka si turpi i drejtësisë së rilindur

Sali Berisha ka bërë sërish atë që di të bëjë më mirë: të denoncojë. Këtë radhë në daljen e tij përpara derës së SPAK, lapsi i ka rënë gjykatëses star të reform...

17:14

Kolapsi moral dhe politik i PD-së

Debati në lidhje me 6 milion dollarët që supozohet se do shpenzojë berishizmi për të lobuar në SHBA ka nxjerrë edhe një herë zbuluar kolapsin parimor dhe moral ...

13:15

Për kë po zhvillohet Shqipëria?

Përtej zallamahisë elektorale debati themelor mes PS-së dhe PD-së mbetet po ai i viteve 1990; a po zhvillohet apo jo Shqipëria? A po shkon apo jo drejt Evropës?...

16:33

Rama fushatë në aleancë me TV e mëdha

Ky fillim jave u dominua nga jehona mediatike që patën dy dalje publike të kryeministrit. I pari, takimi i tij i munguar me një bloger tejet popullor ndërmjet g...

13:32

Kritika konstruktive dhe propaganda anti-SPAK

Fakti që SPAK është institucioni më i suksesshëm në historinë e shtetit shqiptar në luftën anti-korrupsion në nivelet e larta të politikës e bën akoma më të dom...

12:57

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI