Lamine Yamal mori skenën në “El Clasico” në të cilin Barcelona vuri duart mbi titullin në La Liga, por ka një zë të brendshëm që thjesht nuk arrin ta heshtë. Çfarë është ajo që e mundon pak? Kujtimi i gjysmëfinales së Champions të humbur ndaj Inter në “San Siro” është thuajse një traumë: nga 2-3 në minutën e 88’ në 4-3 në të 99’ ishte një goditje e rëndë. Dhe Sommer, në formë të mrekullueshme ndaj goditjeve të tij, e bëri edhe më të hidhur atë humbje. Është vetë fenomeni 17-vjeçar i katalanasve që e ka zbuluar këtë pas ndeshjes ndaj “blancos”, duke treguar çfarë i kishte thënë nënës së tij në pragun e një përballjeje vendimtare për garën për titullin në kampionatin spanjoll.
Real Madrid u shkatërrua nga mjeshtëritë e talentit blaugrana dhe nga dygolëshi i Raphinha. Janë ata që i vunë firmën në fund fitores me përmbysje (4-3) që i rrëzoi “blancos”-at nga piedestali, teksa ishin në avantazh me 2 gola. Dhe nëse braziliani hoqi një “gur nga këpuca” duke treguar kamerave kyçin e dorës së fashuar (një përgjigje e qartë/hakmarrje ndaj aludimeve të doktor Mihic, ish-“merengues”), Yamal zgjodhi një mënyrë tjetër për të rënë në sy, duke tallur kundërshtarët.
Ironia me lojtarët merengues
Së pari imitoi një festim të vjetër të ish-lojtarit të Real, Cristiano Ronaldo, duke bërë shenjën “qetësohuni” ashtu si CR7. Më pas u vendos drejt, në mes të fushës, me krahët e kryqëzuar dhe me shikimin të ngulur e krenar drejt tribunave, duke imituar Mbappé. Nuk kishte mënyrë më të mirë për të konsumuar hakmarrjen e tij ndaj skuadrës së Ancelottit dhe, më shumë akoma, ndaj atyre që javët e fundit kishin hedhur dyshime për shkak të atyre fashove të kyçit të dorës që dukeshin pak “të çuditshme”.
Barcelona përmbys Real Madridin në “El Clasico”
Gjithçka shumë e bukur, përveçse ka diçka që paksa zbeh gjithë këtë eufori. E pranon vetë Yamal në intervistat pas ndeshjes, kur zbulon mënyrën se si e ka qetësuar nënën e tij pas zhgënjimit të madh të pësuar në Kupë. Humbja në “Meazza” ende djeg dhe dhemb: është një mësim nga ato që nuk harrohen. “Ajo ndaj Real Madrid ishte një ndeshje shumë e rëndësishme që na lejoi të vendosim pak distancë mes nesh dhe atyre. Ta shijojmë tani… tifozët tashmë e kanë harruar Champions League”.
Ndoshta… por është një nerv i pambuluar, gjykuar nga mënyra se si Lamine flet për të në TV, me emocion. “Në fund i thashë nënës sime se Champions League luhet çdo vit. Do të provojmë derisa ta fitojmë. Ishte e rëndësishme të fitonim sot për t’u afruar me titullin”.