Flash

Xabi Alonso njofton largimin nga Bayer: nis valzeri i pankinave te Real e Brazili

Lapsi.al 9 May 2025
Xabi Alonso njofton largimin nga Bayer: nis valzeri i pankinave te Real e
Xabi Alonso ka njoftuar largimin nga Leverkusen pas dy viteve e gjysmë, lajm që më pas u zyrtarizua edhe nga vetë klubi: “Ka ardhur momenti të konfirmoj se këto do të jenë ndeshjet e mia të fundit me Bayer”, tha trajneri spanjoll në konferencë për shtyp, ku menjëherë kaloi te falënderimet: “I jam thellësisht mirënjohës klubit, lojtarëve dhe gjithë stafit, ashtu si edhe punonjësve. Pa harruar tifozët e mrekullueshëm të Bayer. Suksesi ynë ishte rezultat i një pune të jashtëzakonshme në grup. Nuk është momenti për të folur për të ardhmen time”, shtoi ai. Por Real Madrid është duke e pritur.

Real Madrid e Brazili nxitojnë

Të gjitha zërat, thashethemet dhe pistat çojnë në të njëjtin destinacion, me trajnerin aktual të Leverkusen që, sipas shtypit spanjoll, është pasardhësi i sigurt i teknikut Carlo Ancelotti në pankinën e “Los Blancos”. E vetmja dilemë është data e shpalljes zyrtare: ka nga ata që flasin për 25 majin, në përfundim të kampionatit spanjoll, por edhe nga ata që aludojnë për një ndryshim të menjëhershëm që pas “El Clásico” së së dielës kundër Barcelonës. Alonso ka qenë më parë trajner në moshat e reja të Real Madridit gjatë sezonit 2018/19 dhe e njeh shumë mirë ambientin. Trajner i ri në moshë, por i respektuar nga të gjithë, Florentino Perez ka dhënë miratimin për ta finalizuar marrëveshjen, me shpresën për të hapur një epokë të re. Sipas një rindërtimi të fundit, megjithatë, Ancelotti dhe klubi kanë rënë dakord që të mos e zyrtarizojnë menjëherë largimin, me shpresën – pikërisht në rast fitoreje ndaj Barcelonës – për të fituar titullin. E ndryshme do të ishte situata në rast humbjeje kundër katalanasve, çka do t’i hapte rrugën triumfit në kampionat ekipit të Flick. Në çdo rast, ndarja mes italianit Ancelotti dhe Real Madrid ka qenë miqësore, me një marrëveshje që ishte arritur që pas eliminimit nga Liga e Kampioneve në çerekfinale nga Arsenal. Për trajnerin nga Reggio Emilia, që ka fituar 15 trofe me “Los Blancos”, e ardhmja është kombëtarja e Brazil, ndërsa Real Madrid po përpiqet të përshpejtojë gjithçka me Xabi Alonso dhe Leverkusen për ta pasur spanjollin në stol që për Kupën e Botës për Klube.

KOMUNIKATA E BAYER LEVERKUSEN

“Bayer 04 Leverkusen dhe trajneri Xabi Alonso ndahen pas më shumë se dy vitesh e gjysmë së bashku. Kampionët e Gjermanisë, fitues të Kupës së Gjermanisë dhe të Superkupës 2024, kanë pranuar dëshirën e spanjollit për të ndërprerë kontratën e tij, që fillimisht ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2026, në përfundim të këtij sezoni. Bayer 04 do të njoftojë pasardhësin në momentin e duhur.” Një nga kandidatët është një tjetër spanjoll: Alvaro Arbeloa. Këtij njoftimi iu bashkua edhe komenti i Werner Wenning, president i komitetit të aksionarëve të Leverkusenit: “Me teknikun Xabi Alonso kemi shkruar një histori suksesi që nuk është parë kurrë më parë në futbollin gjerman, duke fituar kampionatin pa pësuar asnjë humbje.”

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

94.14

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI