Në SHBA, në situata të tilla thuhet “game recognizes game”, një shprehje që në thelb përfaqëson respektin reciprok mes kampionëve. Pikërisht këtë pamë mbrëmë mes Thuram dhe Yamal pas dy sfidave të çmendura në gjysmëfinalet e Champions League mes Inter dhe Barcelonës. Francezi iu afrua të ngushëllonte spanjollin, i cili ishte i dëshpëruar pas eliminimit të pabesueshëm.
Mesazhi i sulmuesit të Interit dukej si një nga ato klasikët: “Mbaje kokën lart, djali im, e ardhmja është e jotja.” Një mendim që me siguri u ka kaluar në mendje shumë dashamirësve të futbollit gjatë gjashtë ditëve të fundit, të mahnitur nga niveli i treguar nga 17-vjeçari i jashtëzakonshëm. Fushata e Barcelonës këtë vit ndalet një hap larg finales, por ndjesia është se me Yamal, Cubarsí, Pedri dhe gjithë talentin e ri në dispozicion, cikli i katalanasve sapo ka nisur.
POLEMIKA NË RRJETET SOCIALE
Pas gjestit të bukur në fushë, Thuram “u njollos” nga një prej ngacmimeve më klasike në rrjete sociale: francezi publikoi një “story” (më pas e fshiu menjëherë) në llogarinë e tij në Instagram, ku shfaqej duke përqafuar Yamal në qendër të fushës. Ajo që shkaktoi polemikën ishte mesazhi i zgjedhur nga lojtari i Interit: “On a mission ehh!!”, i shoqëruar nga tre emotikone duke qeshur. Një referencë ndaj fjalëve të Yamal pas ndeshjes së parë, ku ai kishte thënë se ai dhe shokët e tij ishin “në një mision” për të arritur finalen.

Në Spanjë, kjo provokim nuk kaloi pa u vënë re: shumë vetë, nga tifozë te media kombëtare, e ripostuan dhe e dënuan gjestin e francezit. Veçanërisht i ashpër ishte Marc Crosas, ish-lojtar i Barcelonës dhe sot opinionist: “Po festojnë eliminimin e Barcelonës duke tallur Lamine Yamal për deklaratat e tij. Një 17-vjeçar që sapo ka bërë një nga paraqitjet individuale më të mira në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. E paharrueshme ajo që bëri Lamine… dhe kjo tallje. Ata e dinë shumë mirë çfarë i pret…”